
Prokuroria e Përgjithshme përsërit kërkesën për ekstradimin në Tiranë të ish-agjentit të SHIK-ut, Ilir Kumbaro, i akuzuar për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, në vitin 1995. Pak ditë pas vendimit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të cilat kanë në fuqi masën e arrestit ndaj Kumbaros, prokuroria ka plotësuar me këtë vendim kërkesën e saj drejtuar palës angleze. Organi i akuzës në letërporosi vë në dijeni autoritetet britanike se Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në Tiranë e gjetën të rregullt dhe të bazuar në ligj masën e arrestit “burg pa afat” ndaj shtetasit Ilir Kumbaro, i akuzuar në Shqipëri për veprën penale të rrëmbimit, torturës me pasojë zhdukjen. Më 14 tetor, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë i dhanë fund dilemës ligjore, duke deklaruar të ligjshme e të rregullt masën e sigurisë ndaj Ilir Kumbaros. Në këtë mënyrë, sipas Prokurorisë është ezauruar edhe ai moment i paqartë ligjor e juridik, që mund të pengonte ekstradimin e ish-agjentit të SHIK-ut në Shqipëri. Duke qenë se vendimi i Kolegjeve të Bashkuara nuk është zbardhur ende, prokuroria ka dërguar në letërporosi për palën angleze një diapozitiv ku vërtetohet konfirmimi i masës së sigurisë. Për shkak të ndalimit në Londër të Ilir Kumbaros dhe zvarritjes së procedurave të ekstradimit të tij, gjyqi për zhdukjen e Remzi Hoxhës në Tiranë është zhvilluar vetëm ndaj tre ish-zyrtarëve të SHIK-ut.
Masa e sigurisë
Më 14 tetor 2011, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhanë qëndrimin e tyre për masën e sigurisë “arrest me burg”, caktuar nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ndaj Ilir Kumbaros, më 5 janar 2010. Lënia në fuqi e kësaj mase i hapi rrugë mundësisë së ekstradimit të Ilir Kumbaros në Tiranë. Edhe më herët, Prokuroria shqiptare kishte kërkuar ekstradimin e Kumbaros, mirëpo fakti që masa e sigurisë ishte ankimuar dhe Gjykata e Lartë nuk kishte vendosur ende, ishte përdorur si argument për të penguar procedurën. Kumbaro u arrestua më 10 shtator 2008 në Londër, teksa qëndronte me emrin e rremë Shaqa Shatri. Ndërkohë që procedurat e ekstradimit filluan, me kërkesë të avokatëve, një trupë e Gjykatës së Lartë vendosi më 2 dhjetor 2009 shfuqizimin e masës së sigurisë ndaj Kumbaros, në mungesë, duke nxjerrë jashtë loje kërkesën për ekstradim. Për rrjedhojë, Gjykata e Apelit të Londrës, më 15 dhjetor 2009, pushoi çështjen e ekstradimit. Prokuroria kërkoi që vendimi i trupit gjykues të Gjykatës së Lartë të shqyrtohej nga një kolegj më i madh dhe më i lartë, siç janë Kolegjet e Bashkuara. Më 14 tetor, Kolegjet në fjalë e gjetën me vend masën e sigurisë në mungesë ndaj Kumbaros dhe kërkuan zbatimin e saj.
Trazhgim Sokolaj











