Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi dje rezolutën mbi situatën politike në Ballkan, e hartuar nga raportuesi i Komisionit për Çështjet Politike, suedezi Björn von Sydow. Në draft thuhet se pavarësisht një vlerësimi të përgjithshëm pozitiv të situatës në Ballkan, rritja e fundit e tensioneve dhe ngërçi politik në disa pjesë të rajonit, japin arsye për shqetësim. Sa i përket situatës në Shqipëri, në draft-rezolutë mirëpritet përfundimi zyrtarisht i zgjedhjeve lokale 2011, ndërsa vihet në dukje angazhimi i liderit të Partisë Socialiste për t’i dhënë fund bojkotit në Parlament. Në draft thuhet gjithashtu se mirëpritet marrëveshja e arritur mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për të vazhduar punën me reformën elektorale dhe u bën thirrje atyre të sigurojnë që reforma të ketë parasysh problemet dhe të metat që u hasën si në zgjedhjet parlamentare, edhe në ato lokale, dhe të rrisë mundësitë për partitë e vogla që të hyjnë në Parlament. Kjo gjë do t’i jepte fund bipolarizimit që ka shënjuar politikën shqiptare dhe e ka frustruar shumë popullin shqiptar dekadat e kaluara. Lidhur me procesin e reformës elektorale, në draft-rezolutë thuhet se duhet të merret parasysh këshilla e Komisionit të Venecias. “Është shumë e rëndësishme që ngërçi politik të mos vazhdojë të paralizojë procesin legjislativ dhe miratimin e reformave të nevojshme për vendin, përfshirë këtu fillimin e negociatave për anëtarësim në BE”, thuhet në draft.











