Rezarta Shkurta sakrifikon flokët për performancën

Oct 15, 2011 | 12:40

“Të jesh e mirë s’mjafton”, thotë Rezarta Shkurta në këngën e saj konkurruese në festivalin “Kënga Magjike”, këngë me të cilën u paraqit të dielën e kaluar. Kënga është një baladë rock, siç e kishim shkruar edhe më parë. Sipas klikimeve në Youtube dhe komenteve, duket se është pritur shumë mirë, paçka se thuhet se baladat nuk ngjisin me të parën. Pra, Rezi kishte një këngë të mirë për festival, por me sa duket, “të kesh një këngë të mirë s’mjafton” ose Rezit nuk i mjafton, sepse ajo kishte menduar deri në detaje një performancë artistike, e cila ngjante me një minifilm të luajtur në skenën e “E diela shqiptare”. E veshur me një këmishë nate që zbulonte mjaft pjesë nga trupi, këngëtarja performonte para një pasqyre dhe bënte monolog me shëmbëlltyrën e saj. Fjalët e këngës që rrëfejnë për një vajzë të zhgënjyer nga i dashuri i saj, shpesh jetësoheshin nga gjeste nervozizmi, të cilat nuk ishin gjë tjetër veçse një aktrim në funksion të fabulës. Por çudia ndodhi nga fundi, kur Rezarta…. preu flokët! Ishte një gjest që mbase mund ta bëjnë shumë vajza të dëshpëruara dhe të zhgënjyera nga partnerët, por e realizuar në skenë, se si të jepte një ndjesi ankthi. Në fakt, në fillim menduam se këngëtarja kishte në kokë ndonjë paruke, por nëse e takoni Rezin këto ditë rastësisht nëpër Tiranë, do të shihni se ajo i ka flokët deri në sup. Natyrisht që kjo performancë është komentuar në detaje nga fansat e këngëtares, por ne veçuam njërin prej tyre, i cili na u duk më i këndshëm. Ja si thotë një djalë që e ka ndjekur prezantimin e këngëtares: “Më pëlqeu kënga e Rezartës dhe performanca shumë e ndjerë më rrëqethi, por u shqetësova shumë kur filloi të presë flokët. Mendova me vete: Rezit i duhen edhe dy debutime të këngës, një në gjysmëfinale dhe një në finale. Nëse tek të dyja do presë flokët, i bie që të përfundojë tullace natën finale!” Në fakt, është një koment me humor, sepse me siguri ky nuk është një shqetësim real, aq më tepër që në skenën e madhe, me siguri që Rezarta ka ide të tjera për të ilustruar këngën e saj. Ne i urojmë suksese!

© Panorama.al

Te lidhura