Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i ka thënë Radio Kosovës se përdorimi i forcës mund të jetë i paevitueshëm për të garantuar lirinë e lëvizjes në veri.
Heqja e barrikadave nëpër rrugët e veriut dhe funksionimi i organeve të sigurisë atje duket se nuk do të mund të realizohet pa përdorimin e forcës.
Ky është perceptimi që ka aktualisht ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në kohën kur tentimet për largimin e barrikadave nga trupat e KFOR-it vetëm sa po shtojnë rezistencën e serbëve dhe numrin e ushtarëve të plagosur.
“Duket se pa përdorim të dhunës nuk do të mund të ketë pastrim të rrugëve sepse përditë tentimet për të larguar barrikadat po përcillen me sulm ndaj ushtarëve”, ka thënë Rexhepi.
Një nga opsionet e KFOR-it për të lënë çështjen e heqjes më masive të barrikadave është përmendur dhjetori apo janari, pasi koha të ftohet edhe më shumë dhe njerëzit të mos mund të qëndrojnë gjithë kohën pranë barrikadave.
Por, ministri Rexhepi është skeptik që ky opsion mund të funksionojë
“Ata mund ta mendojnë kohën e ftoftë si opsion, por serbët atje kanë sistem alarmi dhe aktivizohen shumë shpejt”, ka theksuar Rexhepi.
Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet i bllokuar në pothuajse të gjitha linjat rrugore që çojnë për në dy portat kufitare 1 dhe 31 që nga 25 korriku kur Qeveria e vendit vendosi të marrë nën kontroll pikat kufitare në veri. (Express)
© Panorama.al











