Revolta qytetare, biznesmeni Erlind Xhindi: Nëse largohet kjo qeveri, biznesi do të marrë “frymë”! Me këto politika fiskale, po na largojnë nga Shqipëria

Jul 1, 2026 | 15:22

Biznesmeni Erlind Xhindi, pjesëmarrës në protestën masive kundër qeverisë së Edi Ramës, tha se politikat fiskale aktuale po dëmtojnë biznesin dhe ekonominë.

erlind xhindi

Në një intervistë për News24, ai deklaroi se niveli i lartë i ekonomisë informale bën që buxheti i shtetit të jetë shumë më i ulët se potenciali real, ndërsa shtoi se Shqipëria duhet të kishte një buxhet prej rreth 30 miliardë eurosh. Ai kritikoi gjithashtu edhe zhvlerësimin e euros, duke argumentuar se kjo ka dëmtuar eksportuesit.

Biznesmeni u shpreh se, nëse qeveria aktuale largohet, evazioni fiskal do të ulet në nivele të pranueshme, deklarimet dhe xhiroja e bizneseve do të rriten, ndërsa biznesi i vogël dhe i mesëm do të ketë më shumë mundësi zhvillimi. Ai akuzoi qeverinë se me politikat fiskale po largon sipërmarrësit nga vendi.

“Duke marrë të gjithë pushtetin, kanë pasur mundësinë të bëjnë çfarë të duan. E kam ndjerë në kurrizin tim, në kurrizin e klientëve. Kanë vendosur një tavan për deklarimet tek biznesi i vogël dhe matanë atij tavani mundohen që me anë të shtrëngimeve fiskale dhe levave të tyre, mundohen të mos ta kalojnë të gjithë dhe të qëndrojnë të vegjël.

Por mosdeklarimi na lë në një PBB të ulët dhe evazioni është shumë i lartë. Kjo bën që të kemi deklarime të ulëta, që në BSH të vijë një buxhet modest ndërkohë që buxheti jonë real është trefish. Ne sot duhet të kishim një buxhet 30 miliardë euro.

Po kjo bëhet me dashje se kartëmonedhën euro kanë filluar ta zhvlerësojnë. Nuk ka kërkuar llogari dhe kanë lejuar që të ulin në masën 30% euron dhe e thënë me fjalë të thjeshta, lekët tona bashkohen me lekët e krimit dhe humbin. Eksportues nuk ka më. Bizneset janë më pamundësi likuiditeti.

Nëse Rama largohet evazioni do të jetë në përmasat e pranueshme, sepse në çdo vend ka evazion por të ulët. Deklarimi do të jetë i lartë, xhiroja do të jetë e lartë dhe biznesi do të ketë frymëmarrje, një farë lëvizshmërie, sidomos i mesmi dhe i vogël. Jo me këto politika fiskale që po ndjekin, janë drejt falimentit. Po na ndjekin nga Shqipëria, po na thonë “ikni se s’na duheni më”, deklaroi ai.

© Panorama.al

Te lidhura