Kryeministri Edi Rama, në aktivitetin për 35-vjetorin e Partisë Socialiste që po mbahet krahas protestës kundër tij, iu bëri thirrje qytetarëve që kërkojnë largimin e tij, duke thënë se është gati që të flasë me ta nëse duan.
Rama u shpreh se çdo vendim për zhvillimin në zonën e Zvërnecit do të varet nga cilësia e projektit dhe ofertat e investitorëve, ndërsa ftoi qytetarët që, sipas tij, janë të shqetësuar për mjedisin, të verifikojnë vetë faktet dhe institucionet.
“Jam në dispozicion në çdo kohë dhe i hapur për çdo diskutim mbi mënyrën se si do të harmonizojmë mbrojtjen e natyrës ndërkohë që lidhur konkretisht me fatin e zhvillimit në Zvërnec atë do ta vendosë vetëm cilësia e projektit dhe shkalla e ambicies së programit që investirorët do të paraqesin për zhvillimin e zonës. Merreni një këshillë nga unë, ikini hienave që iu mbledhur rrotull se ju jeni të parët që do të mbyteni në jargët e asaj urrejtjeve që e njoh mirë, e asaj hipokrizie dhe urie për pushtet që unë e socialistët e njohim nga shumë larg. Që e fshehin nën qeleshet që vënë në kokë për herë të parë apo nën flamujt që lidhin në qafë. Nëse doni të bëni vërtet Shqipërinë, ju njerëzit që jeni sinqerisht të dashuruar me natyrën dhe të shqetësuar për mjedisin mos ngatërroni nga i vjen rreziku natyrës, mjedisit e Shqipërisë por hajdeni bashkohuni me ne.”, tha Rama.
Sipas tij, në këtë protestë ka pasur ndërhyrje jo vetëm nga opozita por edhe nga forca të tjera nga Kosova dhe Maqedonia, duke thënë se hedhin gurën dhe fshehin dorën.
“Jam i qartë që tanimë më një protestë e nisur për natyrën është kthyer me natyrë politike. Legjitime për këdo që do të ndryshojë shqipërinë sipas qasjes së tij dhe krejt normale. Asgjë jo normale edhe në faktin se megjithëse në vlorë e duan projektin dhe hallin e kanë e po u dëmtohet sezoni nga anulimet e rezervimeve për shkak të protestës, forca të ndryshe hedhin në bulevard gurët deri nga Kosova e Tetova dhe fshehin dorën njësoj si opozita e këtushme që derdh në bulevard prurjet e kënetës së vet, grushtshtetasit e rraskapitur të 98 e deri te tabakatë që mbi taka mbledhin like duke ecur me pasqyrë përpara dhe duke qarë hallin e popullit. Ndërkohë që edhe partitë e reja që mbeten të vogla, por u bënë të vjetra kërkojnë edhe ata një copë aty në prurjen e re të protestës.”, tha ai.
© Panorama.al












