Replika Shalsi-Mediu. Topalli: PS në krizë morale

May 17, 2012 | 12:04

TIRANË- “Opozita është në krizë të thellë morale, më e thella që politika ka njohur në 20 vjet”. Me këto fjalë i është drejtuar kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deputetit socialistë Eduart Shalsi, pas replikave të tij me ministrin e Mjedisit, Fatmir Mediu.

Debati është ndezur teksa në Kuvend debatohej për projektligjet për tokën bujqësore, për të cilën Shalsi ka akuzuar ministrin, se nuk po ndihmon në zgjidhjen e cështjes së pronësisë, si synim i partisë që drejton, por vazhdon prej vitesh një aleancë me kryeministrin Berisha, kundër interesit të pronarëve.

“Ministri Mediu nuk di ca bën 20 vjet me Berishën, ndërkohë që parimi themelor i partisë së tij janë pronarët. Sot minimumi që duhet të bënte ishte t’i kërkonte ndjesë shqiptarëve se është në aleancë pa kurrfarë parimi dhe sapo e pohoi”- tha Shalsi.

Pas tij ka reaguar Mediu. “Shalsi më kërkon të kërkoj falje, por ju duhet të këkoni falje që i keni burgosur, që i keni thënë ish-pronarwve nuk jeni pjesë e partisë tonë.”,- deklaroi Mediu.

Ka mjaftuar kaq qe debati te ashpresohet. Shalsi ka përsëritur akuzën për Gërdecin.  “Unë kam dy vjet në politikë, kurse ti ishe ministër në kohën që u vranë 26 shqiptarë në Gërdec dhe duhet të ishe kokulur”- tha ai.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Mediut, i cili ka sqaruar se ka pasur dhe do të ketë gjithnjë kurajën për t’u përballur me drejtësinë. “Ty dhe gjithë të tjerëve po ju them, të kishe pasur minimunim e kurajës për t’u përballur me drejtësinë. Kam kërkuar të zbardhej ajo që ka ndodhur. Mos bë kukuvajkën kot për këtë cështje, unë s’e kam fshehur veten, por ju jeni kthyer në aktor absurd në Kuvend. Kam një dhimbje dhe ajo është morale se kam qenë në atë pozicion, në kohën e ngjarjes. Jam përballur për vite me atë cështje dhe me turpin tuaj për atë që nuk është e vërtetë”- tha Mediu.

Pas kësaj, Topalli ka kërkuar nga opozita të kërkojnë falje ndaj shqiptarëve, pasi kanë akuzuar qeverinë, atë vetë, kryeministrin se kanë vrarë njerëzit në Gërdec, ndërkohë që gjykata e faktoi se ishte aksident.

“Jeni në krizë të thellë morale, më e madhja që ka pas politika në 20 vjet dhe pastaj ikni se nuk jeni burra”- tha Topalli.

© Panorama.al

Te lidhura