Rëndohet gjendja e paraplegjikëve, reagon Ambasada Britanike

Apr 22, 2011 | 9:38

Greva e para dhe tetraplegjikëve ka hyre në ditën e tetë, por nuk ka ende shenja të një marrëveshje mes tyre dhe qeverisë për t’i dhënë fund grevës. Thuajse të gjithë para dhe tetraplegjikët kanë paraqitur probleme serioze të shëndetit. Për këtë arsye, disa prej tyre janë dërguar nga mjeku në spital, nga ku pa çudi kanë dalë pa asnjë mjekim. Ndërsa gjatë orëve të natës të së mërkurës, njëri nga grevistët, Adem Demushi, 51-vjeç, ka pësuar një krizë të fortë në veshka e shoqëruar kjo me hemorragji, ndërsa është transportuar me urgjencë drejt Spitalit “Nënë Tereza”, ku mbahet i shtruar. Po dje, në lidhje me grevën e urisë së para dhe tetraplegjikëve, kanë reaguar ambasada Britanike dhe Këshilli Britanik në Shqipëri. Diplomatët britanikë janë shprehur të shqetësuar për këtë grevë dhe nxisin palët e përfshira të angazhohen në dialog konstruktiv për të zgjidhur shqetësimet e tyre. “Është përgjegjësi e qeverisë dhe shoqatave me aftësi të kufizuar për të arritur këtë”- thuhet në deklaratën e ambasadës Britanike. Grevistët kërkojnë nga qeveria të plotësojë kërkesat e tyre e ankohen për gjendjen e rënduar shëndetësore. “Më morën në spital se rrahjet e zemrës i kisha të ngadalshme. Nuk më bënë asnjë lloj mjekimi për 30 minuta dhe më bën një serum, pa më shtruar në krevat. Ma bënë serumin në karrigen e invalidit dhe nuk më sollën më në grevë, duke thënë se nuk e kemi për detyrë”, shprehet njëri prej grevistëve. Ai theksoi se bashkë me te ngujuarit e tjerë nuk ka ndërmend të lërë grevën. “Presim që qeveria të marrë një vendim, vendimin e presim vetëm nga qeveria. Sa për Parlamentin, ai duhet t’i kishte diskutuar me kohë problemet e aftësisë së kufizuar”, -tha përfaqësuesja e tyre, Mybere Prizreni. Ajo i cilësoi jetike kërkesat që janë parashtruar. Para dhe tetraplegjikët kërkojnë rritjen e përfitimit të karburantit në 80 litra në muaj, rritjen e pagesës së paaftësisë, sipas pagës minimale 10 200 lekë, nga 9000 lekë që marrin aktualisht, rritjen e përfitimit të paketës higjieno-sanitare në vlerën 30 000 lekë në muaj, respektimin e ligjit “Për të drejtën e strehimit” dhe ngritjen e një ambienti çlodhës në bregdet.

© Panorama.al

Te lidhura