Presidenti nga Pogradeci: E pakuptimtë që të mos zgjidhet Avokati i Popullit, pastaj komunikimi në Kuvend. “Pas ardhjes së ndërkombëtarëve gjërat do të funksionojnë”
Këtë deklaratë, kreu i shtetit e bëri nga qyteti i Pogradecit, ku mori pjesë në ceremoninë e 20-vjetorit të fondacionit “Nehemia”. “Si President, unë vazhdoj të jap apele, dhe besoj që jemi shumë afër një momenti komunikimi dhe fillimit të zgjidhjes së problemeve që janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe për çdo qytetar shqiptar. Edhe njëherë i inkurajoj që me predispozicionin e duhur të fillojnë dialogun, të fillojnë komunikimin, pastaj vendimmarrja, kuptohet, është sipas të gjitha rregullave që ka demokracia”, u shpreh kreu i shtetit në një prononcim për mediat. Por, i pyetur se çfarë ka pasur parasysh kur ka thënë që palët janë afër zgjidhjes, kreu i shtetit është përgjigjur duke thënë se “kam parasysh të gjithë faktorët që janë në veprim, patjetër edhe artikulimi që vjen nga individë të caktuar të partive politike, por më shumë nga komunikimi me partnerët ndërkombëtarë. Ardhja e misionarëve të rëndësishëm nga Europa dhe, natyrisht, mundësia që kam unë për të komunikuar me to, duket që ka një lloj shprese që gjërat të fillojnë të funksionojnë. Konkretisht, të fillojnë të punojnë së bashku në Parlament, së pari, për të zgjedhur disa institucione, të cilat deri sot nuk janë funksionale”. Sipas Presidentit, klasa politike duhet të rifitojë koshiencën dhe të krijojë bazën e bashkëpunimit. Sipas kreut të shtetit, partitë duhet të zgjedhin shpejt Avokatin e Popullit. “Unë e quaj të pakuptimtë që të mos zgjidhen disa institucione, sikurse është institucioni i Avokatit të Popullit, sepse në këtë betejë politike do ta quaja, partitë politike dinë t’i ruajnë interesat e tyre, por Avokati i Popullit ka një simbolikë shumë të veçantë, pra bëhet avokat i interesave të çdo njeriu, të çdo qytetari. Pra, unë mendoj që partitë politike duhet ta zgjidhin në mënyrë imediate. Pastaj, së dyti, çështje që ata vetë i kanë prononcuar, problemet e rregullimit të komunikimit në Parlament”, theksoi më tej Topi. “Zgjedhja pastaj e Gjykatës Administrative, që është shumë e rëndësishme, që shkon përtej interesit të partive politike, në interes të biznesit, të qytetarëve, edhe mjaft çështje të tjera që, sigurisht, kanë të bëjnë me reformën në Drejtësi, ku një pjesë e ligjeve është me tre të pestat. Pra, unë nuk mund të futem në çështje specifike, por jap apelin tim që partitë politike duhet t’i lënë llafet, por duhet t’i futen një bashkëpunimi”.
Ceremonia
Përgjatë ceremonisë, Topi u njoh në mënyrë më të detajuar me veprimtarinë e Fondacionit që nga viti 1991, kur mbërriti për herë të parë në Shqipëri. Fondacioni “Nehemia” gjatë këtyre dy dekadave ka ofruar shërbime të orientuara kryesisht në zhvillimin e sferës arsimore dhe të mirëqenies sociale në zona të ndryshme të vendit tonë, edhe në Gjirokastër, Durrës dhe Has, përmes projekteve të ndërtimit, restaurimit dhe të zhvillimit për komunitetin.
Takimi
Presidenti Topi u takua dje me kongresmenin amerikan, Geri Piters. Presidenti shprehu vlerësimet dhe për mbështetjen dhe përkushtimin e Kongresit Amerikan në përkrahje të çështjes shqiptare në përgjithësi, sidomos ndaj çështjes së Kosovës për fitimin e pavarësisë dhe rritjes së njohjeve ndërkombëtare. Nga ana e tij, Piters vlerësoi rolin kushtetues dhe institucional të Topit si dhe apelet e tij të qarta dhe të vazhdueshme në favor të rivendosjes së dialogut konstruktiv politik.
ADI SHKEMBI











