Reforma zgjedhore, miratohet ngritja e komisionit

Nov 14, 2011 | 15:57
Nga mbledhjet e konferencës së kryetarëve

TIRANË- Konferenca e kryetarëve në mbledhjen e së hënës ka miratuar ngritjen e  komisionit për reformën zgjedhore, ate parlamentare dhe nje axhende per diskutimin e ligjeve me 3/5.

Duket se kontaktet e fundit mes dy partive të mëdha kanë dhënë rezultat, që është finalizuar këtë paradite me vendimin për ngritjen e komisionit. Ne komision do te marrin pjese 5 anetare te opozites dhe 5 te maxhorances, te cilet do te nisin nga puna per ndryshimet e nevojshme ne Kodin Zgjedhor. Sipas Kuvendit, perberja do te jete e tille; nga maxhoranca do te kete 2 anetare te PD dhe nga nje per LSI, PDIU, PR. Ndersa nga opozita, 4 do te jete nga PS dhe 1 nga PBDNj.

Ne perfundim te mbledhjes, kreu i grupit kuvendor, Gramoz Ruci ka deklaruar se gjithcka eshte miratuar me konsensus.

Sipas tij, në këtë mbledhje, kryetarët e grupeve parlamentare kanë vendosur edhe hartimin e nje axhende që do të merret me shqyrtimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, ose 3/5.

Kuvendi zbardh vendimet

Ne Konferencen e Kryetareve Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i propozoi Konferencës miratimin e :

1. Projektligjeve të axhendës së Kuvendit që kërkojnë shumicë të cilësuar, që të kalojnë për rishqyrtim dhe miratim në Kuvend, në grupe me kalendarë 3-javor, në përputhje me rregulloren e Kuvendit. Konferenca në unanimitet miratoi kalendarin e propozuar nga kryetarja Jozefina Topalli.

2. Konferenca e Kryetarëve miratoi kërkesën e firmosur nga dy kryetarët e Grupeve Parlamentare, z.Astrit Patozi dhe z.Gramoz Ruçi, për ngritjen e Komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore.

3. Konferenca e Kryetarëve miratoi ne unanimitet ngritjen e grupit të punës për rishikimin e Rregullores së Kuvendit, duke marrë si model Rregulloren e Parlamentit Evropian.

Ne fakt, realizimi i reformës zgjedhore ka qenë prej kohësh një kërkesë e vazhdueshme e ndërkombëtarëve, që kanë apeluar për ta kryer atë me përgjegjësi, në mënyrë që të jetë gjithëpërfshirëse dhe në bashkëpunim mes palëve politike.

© Panorama.al

Te lidhura