Grupi parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim depozitoi në Kuvend kërkesën për krijimin e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Në projektvendimin prej 12 pikash, LSI propozon ngritjen e një grupi pune me dy kryetarë nga maxhoranca dhe opozita. Në draftin e dorëzuar nga nënkryetari i Kuvendit Vangjel Tavo, për t’i paraprirë mundësisë së bllokimit të Komisionit, mungesa e njërit prej kryetarëve nuk do të ndërpriste punën. “Komisioni drejtohet nga dy kryetarë që i përkasin partive të mëdha parlamentare. Mungesa e njërit prej kryetarëve nuk shtyn, ndalon apo pezullon mbledhjet e programuara të Komisionit. Sekretari i Komisionit zgjidhet nga partitë e tjera parlamentare”, theksohet në propjektvendim. Vendimet në Komision do të merren me shumicë votash të të gjithë anëtarëve me të drejtë vote, dhe nëse nga rrethanat e caktuara konstatohet se puna e Komisionit bllokohet, atëhere vendimet do të merren me shumicën e anëtarëve që përfaqësojnë parti parlamentare. Parashikohet që Komisioni duhet të përfundojë punën e tij brenda një periudhe gjashtëmujore, edhe pse si klauzolë jepet mundësia e zgjatjes së mandatit, nëse do të jetë e nevojshme. LSI kërkon edhe plotësimin e një prej kërkesave të saj të vazhduesheme, atë të pjesëmarrjes së partive të vogla në reformën zgjedhore. Komisioni do të përbëhet nga një deputet prej secilës parti parlamentare, si dhe nga një përfaqësues zyrtar i partive joparlamentare, që në zgjedhjet e datës 28 qershor 2009 kanë marrë mbi 2% të votave të vlefshme. Në përbërje të këtij Komisioni do të jenë edhe pesë përfaqësues nga organizatat kryesore të shoqërisë civile për çështjet e reformës zgjedhore, pa të drejtë vote. Për të ndimuar në mbarëvatjen e punës mund të marrin pjesë në Komision edhe KQZ-ja dhe Ministria e Brendshme, të cilët caktojnë nga dy përfaqësues ekspertë. Ky Komision mund të caktojë edhe ekspertë të tjerë ligjor për hartimin e amendamenteve për çdo çështje qe ky Komision do të shqyrtojë. l.t











