Koordinatori i opozitës, z.Zogaj, në një dalje mediatike rreth një javë më parë, pas një takimi informal të krerëve të opozitës, deklaroi se po diskutohet, ndër të tjera edhe një pakt mbi pikat ku do të bazohej reforma zgjedhore, por edhe kërkesat e tjera të opozitës. Pak a shumë, në të njëjtën kohë, në Parlamentin Europian u zhvillua “Takimi vjetor në mbështetje të Deklaratës mbi parimet për vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve”, një deklaratë e Kombeve të Bashkuara, e miratuar në vitin 2005, e njohur ndryshe edhe si Kodi i Sjelljes për vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve. Në fokus të këtij takimi diskutimi mbi sfidat dhe vështirësitë që hasin vëzhguesit në misionin e tyre për të dëshmuar dhe konsoliduar demokracinë në vendet në zhvillim. Ajo që më tërhoqi më shumë vëmendjen ishte diskutimi i ambasadorit Janez Lenarcic, drejtor i OSBE/ODIHR-it, i cili, ndër të tjera, i mëshoi një fenomeni të mirënjohur edhe në Shqipëri, kur pohoi se “… brenda nesh, sfidë kyçe është dhënia e një vlerësimi të besueshëm për zgjedhjet. Besueshmëria për atë që ne bëjmë është thelbësore, jetike. Ndërtimi i një besimi të tillë është proces i gjatë, por dhe që humbet shpejt, mjaftojnë pak gabime. Na nevojitet vullneti politik i vendit, të cilit i kemi drejtuar rekomandimet, që ta ndjekin atë plan. Pavarësisht se, 12 vite më parë, të gjitha shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së (ku bën pjesë edhe Shqipëria), u angazhuan për të ndjekur menjëherë rekomandimet e misionit vëzhgues, për fat të keq, një gjë e tillë thjesht nuk ndodh. Pse jo? Sepse mungon vullneti politik. Është kaq e thjeshtë”.
Në fakt, është edhe po kaq e vërtetë. Dhe Shqipëria është paradigma më elokuente e kësaj të vërtete. Ndër vite, rekomandimet e misioneve vëzhguese të OSBE/ODIHR-it janë anashkaluar, edhe pse përmbushja e tyre ka qenë një kusht “sine qua non” për integrimin europian të vendit. Kjo detyrë e pakryer nga ana e politikës shqiptare theksohet me forcë edhe në progres-raportin e Këshillit të Europës, dorëzuar vetëm pak ditë më parë autoriteteve më të larta të vendit, si një nga 12 detyrat kryesore që BE i kishte caktuar Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Po cila është vërejtja kryesore që ka Këshilli i Europës lidhur më reformën zgjedhore? Edhe pse raporti e thotë qartë, akoma më qartë problematika del në vetë rekomandimet e misionit të vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it (rekomandime të cilave iu referohet dhe progres-raporti), për zgjedhjet vendore të 8 majit, ku në pjesën A – REKOMANDIME PRIORITARE, pika 1, thuhet: Rekomandimi i parë nga Raporti Përfundimtar i MVZ-së së OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 duhet konsideruar si prioritet i menjëhershëm: Partitë duhet të tregojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, që u korrespondon privilegjeve të mëdha që gëzojnë sipas ligjit, në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve. Ato duhet të përmbushin detyrat e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme, në interesin e përgjithshëm të Shqipërisë. Kjo vlen edhe për punën e komisionerëve zgjedhorë dhe nëpunësve të zgjedhur e të emëruar të të gjitha niveleve, të cilët nuk duhet t’i mbështesin veprimet dhe vendimet e tyre në lidhje me zgjedhjet, mbi çështje apo bindje politike”.
Çdo koment është i tepërt. Edhe lexuesi më pak i informuar mbi procesin zgjedhor kupton qartë se mungesa e vullnetit dhe dialogut politik e ka ndalur reformën dhe e ka bërë klasën tonë politike të marrë vlerësime negative nga partnerët dhe aleatët tanë strategjikë. Kokëfortësia e opozitës për të mos qenë pjesë e dialogut politik dhe, për rrjedhojë, edhe e reformës së shumëpritur zgjedhore, e ka vënë vendin përballë vështirësish serioze, në kuadër politik dhe social. Frigohesh kur dëgjon deklaratat kontradiktore, por edhe kur sjell ndër mend veprimet në të shkuarën e afërt të opozitës, kreut të saj. Ligështohesh nga fakti se kjo reformë kaq e domosdoshme rrezikon të mos shihet si rruga e parë që do të hapte dhe ringrinte dialogun politik, por si një kusht për të. E kjo do të ishte fatale. Ndërsa akuzat e ndërsjella mes palëve pasojnë njëra-tjetrën, kryerja e kësaj reforme mbetet një prioritet dhe domosdoshmëri absolute. Të gjithë janë në pritje të hartimit të një kuadri ligjor të plotë, të saktë, me sa më pak ekuivokë dhe larg interesave politike të çastit. Si udhërrëfyes kryesor për fillimin e punës mund të shërbejnë rekomandimet e misionit të vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it, si ato të vitit 2009, edhe ato të dala nga zgjedhjet vendore që sapo lamë pas. Një element që duhet marrë në konsideratë gjatë hartimit të reformës, ndër të tjera, është dhe pika 2 e rekomandimeve ku kërkohet që “reforma zgjedhore duhet të zhvillohet kohë përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Në diskutimin e reformës zgjedhore duhet të përfshihen jo vetëm partitë politike, por edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, autoritetet përkatëse shtetërore dhe grupet e vëzhguesve vendorë”. Për hir të së vërtetës, një rekomandim i rëndësishëm, po të gjykosh edhe nga vetë renditja numerike e tij dhe kjo për disa arsye. KQZ është tashmë një organ i konsoliduar dhe me eksperiencë të gjatë në proceset zgjedhore. Tërheqja e mendimit dhe përvojës së këtij institucioni është mëse i nevojshëm, pasi mjaft nga elementet teknike që jo pak herë kanë shkaktuar konfuzione, pështjellime, vonesa dhe përplasje të panevojshme, do të ishin shmangur nëse do ishte dëgjuar mendimi i KQZ-së. Po kështu, lidhur me rekomandimin për forcimin e rolit të saj në proces, kush më mirë se anëtarët dhe administrata e këtij institucioni do të jepnin mendime të qarta dhe të kolauduara. Praktika ka provuar se edhe në momente të vështira dhe vakumi ligjor, kjo trupë ka mundur të marrë vendime shumë të rëndësishme, të cilat e kanë nxjerrë procesin zgjedhor nga qorrsokaku dhe kaosi ku mund të zhytej. Zbatimi me profesionalizëm dhe përgjegjshmëri i kuadrit ligjor, ka qenë një nga thelbet e punës së institucionit, i pranuar pa konformizëm nga vëzhguesit ndërkombëtarë, por, me pa të drejtë, shpesh i sulmuar dhe akuzuar nga opozita, thjesht dhe vetëm për interesa politike dhe aspak parimore. Po kështu, do të ishte po kaq e nevojshme që edhe autoritetet përkatëse shtetërore dhe grupet e vëzhguesve vendorë të përfshihen në këtë debat, pasi edhe ata janë pjesë integrale e procesit dhe tashmë me shumë përvojë. Për më tepër, tërheqja e sa më shumë aktorëve në tryezën e reformës do të ndihmonte që ajo të jetë sa më e gjithëpranuar, duke shmangur rrezikun e kalkulimeve momentale të politikës. Por, po kaq e rëndësishme mbetet edhe konsultimi me ekspertët ndërkombëtarë dhe të institucionet respektive, çka do të eliminonte paraprakisht çdo kërkesë të mëvonshme gjatë apo pas procesit, për ekspertizën e tyre, pasi do ishte një truk politik i pavlerë.
Në fakt, të gjithë jemi koshientë se kur interesat e politikës janë cenuar, alibia për të dëgjuar ndërkombëtarët është shfaqur frikshëm, edhe pse askush nuk i kishte penguar ta bënin më parë. Një “casus” i tillë, ai i asgjësimit të materialeve zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, provokoi një kaos dyvjeçar në jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Krijoi një refraktarizëm të thellë mes palëve dhe mbështetësve të tyre dhe, sigurisht, prodhoi dhe ngjarjet e rënda dhe tragjike të 21 janarit, të përmendura edhe në paragrafin e parë të raportit të MNV-së mbi situatën në prag të zgjedhjeve vendore. Një fenomen të cilit i referohet dhe e përmend dhe Joe Clark, bashkëdrejtues i misionit ndërkombëtar për zgjedhje dhe njëkohësisht Kryeministër i Kanadasë në fund të viteve ’70 dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe ministër për Çështjet Konstitucionale në vitet 1983-1984. Gjatë fjalës në “Takimin vjetor në mbështetje të Deklaratës mbi parimet për vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve”, me tone të forta autokritike ai nënvizoi se mosndjekja e zbatimit të rekomandimeve nga ana e tyre sjellin për pasojë jo vetëm humbjen e besimit tek institucionet ndërkombëtare, por edhe “ndonjëherë, këto pasoja përfshijnë dhe rrezikun për dhunë që ne përmendim te konkluzionet e përbashkëta”. Të gjitha këto elemente, por edhe situata të cilën përjeton vendi, e bëjnë të domosdoshme kryerjen sa më shpejt të kësaj reforme, çka do t’i shërbente cilësisë së saj, konsolidimit të sistemit demokratik sa u takon zgjedhjeve dhe përmbushjes së një nga 12 “detyrat e shtëpisë”. Në fakt, proceset zgjedhore janë anatemuar njëri pas tjetrit dhe çdo rezultat zgjedhor ka shërbyer vetëm për të thelluar konfliktin politik dhe aspak për një rotacion normal demokratik. Pavarësisht se partitë parlamentare janë aktorë dhe faktorë të barabartë në zgjedhje, për asnjë çast pala humbëse nuk ka ngurruar të akuzojë KQZ-në, palën fituese për manipulim dhe presion. Por, pa fakte dhe argumente serioze.
Në këtë kontekst, por edhe më gjerë, reforma zgjedhore duhet të shihet si domosdoshmëri dhe aspak si kusht për dialogun politik në përgjithësi. Çdo përpjekje e opozitës për të kushtëzuar reformën zgjedhore edhe më kërkesat e tjera të saj ndaj maxhorancës mund të kishte për pasojë, ose moskryerjen e saj, ose një reformë të nxituar, një Kod Zgjedhor me mangësi, i cili do të duhej të ndryshonte sërish pas zgjedhjeve të radhës. Zgjedhjet janë baza e demokracisë dhe sikundër e theksojnë të gjithë, u përkasin qytetarëve dhe së drejtës së tyre për të bërë zgjedhjen e tyre, për të shprehur vullnetin e tyre, për të thënë fjalën e tyre. Askush nuk duhet ta harrojë këtë fakt dhe, për më tepër, të përpiqet ta shfrytëzojë për përfitime politike apo në interes të karrierave personale në politikë. Të gjithë aktorët dhe faktorët duhet të shmangin “pazaret” me reformën dhe të kenë vullnetin e mirë politik, aq të kërkuar dhe dëshiruar, por edhe po kaq të munguar, për një reformë të plotë, e mbi të gjitha diakronike. Në çdo rast të kundërt pasojat do të ishin të paimagjinueshme, në dëm të konsolidimit të demokracisë, integrimit europian të vendit, në dëm të interesave mbarëkombëtare dhe në dëm të interesave të çdo shqiptari kudo që ndodhet.
Dhe kush mendon se ka kohë, gabohet rëndë.
© Panorama.al












