Reforma zgjedhore, Berisha: Të gjitha hapësirat opozitës

Oct 5, 2011 | 11:51
Kryeministri Berisha me Delegacionin e Asamblesë së OSBE

Kryeministri Berisha premtoi se qeveria do të krijojë të gjitha hapësirat e nevoj-shme opozitës në kuadër të 52 rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe brenda kuadrit kushtetues të Republikës së Shqipërisë, për një reformë zgjedhore tërësisht transparente dhe konsensuale. Kjo deklaratë e Kryeministrit u bë gjatë takimit me Delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga Roberto Bateli, përfaqësuesi i posaçëm i Asamblesë për Europën Juglindore. Në takimin e pasqyruar në faqen zyrtare të Kryeministrisë theksohet rëndësia e adresimit të 52 rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për një eficiencë edhe më të lartë të sistemit ligjor dhe institucional zgjedhor në Shqipëri, i cili tashmë është provuar përmes dy proceseve zgjedhore të njëpasnjëshme si një kuadër shumë i mirë i standardeve më të larta demokratike.
Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grosruk, i pranishëm në këtë takim, u shpreh pas vizitës me kryetaren e Parlamentit, zonjën Topalli, se sistemi elektoral shqiptar nuk duhet ndryshuar plotësisht. “Sistemi elektoral u ndryshua 2-3 vjet më parë. Nuk mendoj se është e nevojshme të ndryshojë tërësisht. Ndoshta ka disa pika që duhen ndryshuar, por mendoj që është një vendim i parlamentit shqiptar dhe i politikanëve shqiptarë për të bërë sistemin e tyre elektoral dhe ligjet e tyre zgjedhore. OSBE/ODIHR bëri rreth 50 rekomandime. Mendoj që ata janë gati të bisedojnë për ato, për të negociuar për to”, u shpreh Grosruk.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura