Berisha, OSBE: Reformë zgjedhore konsensuale

Oct 4, 2011 | 14:42

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka përsëritur gatishmërinë e maxhorancës për bashkëpunimin me opozitën në realizimin e reformës zgjedhore dhe adresimin e 52 rekomandimeve të të OSBE/ODIHR-it. Deklarata u bë sot gjatë takimit që kreu i qeverisë zhvilloi me një delegacion të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga z. Roberto Battelli, Përfaqësues i Posaçëm i Asamblesë për Evropën Juglindore.

“Asambleja Parlamentare e OSBE-së vlerëson se gjatë viteve të fundit Shqipëria ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm për sa i përket procedurave zgjedhore, sistemit zgjedhor, i cili është tashmë shumë afër një ndër sistemeve më transparent”, u shpreh zoti Battelli.

Sipas tij, vendi shënoi sukses me pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit, si dhe sistemin elektronik të Regjistrit të Gjendjes Civile, i cili heq çdo lloj dyshimi mbi identitetin e shtetasve, gjë që e bën procesin zgjedhor jashtëzakonisht efiçent.

Në takim u theksua rëndësia e adresimit të 52 rekomandimeve të OSBE/ODIHR si jashtëzakonisht e rëndësishme për një efiçencë edhe më të lartë të sistemit ligjor dhe institucional zgjedhor në Shqipëri, i cili tashmë është provuar përmes dy proceseve zgjedhore  të njëpasnjëshme, si një kuadër shumë i mirë, i standardeve më të larta demokratike.

Kryeministri Berisha e siguroi Delegacionin për vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për t’i krijuar opozitës të gjitha hapësirat e nevojshme, në kuadër të 52 rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe brenda kuadrit kushtetues të Republikës së Shqipërisë, për një reformë zgjedhore tërësisht transparente dhe konsensuale.

Përfaqësues i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Evropën Juglindore, z. Battelli, vlerësoi se ecuria pozitive e ekonomisë shqiptare dëshmon qartësisht për politikat e drejta të ndjekura nga qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe dhe është një faktor i rëndësishëm në promovimin e imazhit të Shqipërisë, si një vend që po punon seriozisht për projektin madhor të anëtarësimit  në Bashkimin Evropian.

© Panorama.al

Te lidhura