Reforma Territoriale, Boçi kërkon zgjatjen e mandatit të komisionit: Nuk është bërë as gjysma e punës, mungojnë dëgjesat dhe raporti final! Doni të shkrini bashki që ofrojnë shërbime

Jul 23, 2026 | 11:14

Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Luçiano Boçi, kërkoi në seancë plenare zgjatjen e mandatit të komisionit, duke argumentuar se procesi nuk ka përfunduar ende.

WhatsApp Image 2026-07-23 at 11.07.20

Gjatë fjalës në Kuvend, Boçi theksoi se komisioni nuk mund të mbyllë punën pa përfunduar dëgjesat publike, pa analizuar reformën e vitit 2014 dhe pa hartuar një raport përfundimtar të diskutuar.

Sipas tij, një pjesë e rëndësishme e procesit nuk është realizuar, duke përmendur se ende nuk janë zhvilluar dëgjesat për Tiranën, ku jeton rreth një e treta e popullsisë së vendit, si dhe nuk janë dëgjuar komunitetet që kanë paraqitur kërkesa.

“Komisioni është në mes të punës së tij. Nuk mund të kërkohet një raport përfundimtar kur nuk ka ende një produkt dhe nuk është zbatuar kalendari”, deklaroi Boçi.

Deputeti i opozitës akuzoi shumicën se po synon mbylljen e komisionit pa përfunduar të gjitha hallkat e konsultimit publik dhe parlamentar. Ai shtoi se pas kësaj qëndron, sipas tij, synimi për të ndërhyrë në hartën vendore pa një proces transparent.

“Ajo që po bëni është politike. Doni të shkrini bashki pa u konsultuar me qytetarët, përfaqësuesit vendorë dhe vetë kryetarët e bashkive”, u shpreh ai.

Në cilësinë e bashkëkryetarit, Boçi tha se ka paraqitur zyrtarisht kërkesën për shtyrjen e afatit, duke theksuar se një vendim i tillë është në përputhje edhe me praktikat parlamentare kur koha nuk ka qenë e mjaftueshme.

Ai u bëri thirrje deputetëve që të votojnë për zgjatjen e mandatit të komisionit, duke e cilësuar këtë si një hap të nevojshëm për të garantuar seriozitetin e procesit.

“Votoni sot zgjatjen e afatit të këtij komisioni, sepse kështu i bëni nder vetes dhe Parlamentit”, përfundoi Boçi.

Fjala e Bocit ne kuvend

Komisioni i Reformës Territoriale është në mes të punës së tij. Nuk mund të kërkohet një reformë apo një raport përfundimtar, kur në fakt komisioni nuk e ka përfunduar punën dhe nuk ka ende një produkt.

Komisionet i dërgojnë produktet e tyre në seancë plenare vetëm pasi ato të jenë diskutuar dhe debatuar. Ky raport nuk është diskutuar dhe komisioni nuk ka arritur ende të bëjë vlerësimin e reformës së vitit 2014.

Puna e komisionit duhet të vazhdojë me dëgjesat, ashtu siç është përcaktuar në kalendar. Ajo duhet të vazhdojë sepse Tirana, ku jeton rreth një e treta e popullsisë së Shqipërisë, nuk e ka zhvilluar ende dëgjesën. Nuk janë realizuar të gjitha dëgjesat e parashikuara dhe nuk janë dëgjuar komunitetet që kanë depozituar kërkesat e tyre.

Për sa kohë kjo punë nuk ka përfunduar dhe nuk kemi arritur konsensus, komisioni duhet të kërkojë zgjatjen e mandatit të tij.

Në emër të këtij komisioni dhe në cilësinë e bashkëkryetarit, kam kërkuar zgjatjen e afatit. Ekziston edhe një praktikë parlamentare sipas së cilës mandatet e komisioneve janë zgjatur kur koha në dispozicion nuk ka qenë e mjaftueshme. Kjo është një çështje logjike shumë e thjeshtë.

Për ne, kryesore janë përmbajtja, thelbi i punës së këtij komisioni dhe produkti i tij përfundimtar.

Ajo që po bëni ju është politike, sepse doni të shkrini bashki që u ofrojnë shërbime qytetarëve dhe realizojnë atë që kërkon Europa: përfaqësimin e qytetarëve në pushtetin vendor.

Kërkesa jonë është legjitime. Ju, përfaqësuesit e së majtës, nuk dini se cilat bashki do të shkrihen. Në fakt, bashki do të shkrihen, por ju nuk jeni pyetur. Madje, as kryetarët e bashkive nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me njësitë që drejtojnë. Prandaj, kjo përgjegjësi rëndon edhe mbi ju.

Janë anashkaluar të gjitha hallkat e konsultimit publik dhe parlamentar. Votoni sot për zgjatjen e afatit të këtij komisioni, sepse kështu i bëni nder vetes dhe Parlamentit.

© Panorama.al

Te lidhura