Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka braktisur mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve në Kuvend, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të përplasjeve mes policisë dhe protestuesve jashtë godinës së Parlamentit.
Gjatë fjalës së tij, Blushi deklaroi se nuk mund të vijojë asnjë diskutim parlamentar në një moment kur, sipas tij, qytetarët po dhunohen dhe po lëndohen gjatë protestës.
“Asnjë diskutim nuk ka vlerë në këtë Kuvend kur ndërkohë gjakosen dhe dhunohen protestuesit. Nuk duhet të bëjmë sikur asgjë nuk po ndodh jashtë Kuvendit”, u shpreh ai.
Blushi i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, që të ndërhyjë për të ndalur situatën, duke e cilësuar të papranueshme dhunën ndaj protestuesve.
“Nuk mund të qëndroj në një mbledhje ku deputetët ruhen me badigardë, ndërsa qytetarët dhunohen barbarisht”, deklaroi ai.
Sipas Blushit, përplasjet jashtë Kuvendit kërkojnë reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe jo vijimin e punimeve sikur situata të jetë normale.
© Panorama.al












