Ish-partnerja e Refit Buzit, i cili u vetëvra pas 9 orësh rrethimi dhe negociatash të dështuara me Policinë, do jetë dëshmitarja kryesore e ngjarjes së rëndë të ndodhur në Vidhisht të Fierit.
Burime nga Policia Fier bënë me dije se ish-partnerja e Refit Buzit ka lënë ambientet e spitalit dhe ndodhet në komisariat, ku po merret në pyetje. Ajo do japë sqarimet për shkakun e ngjarjes dhe dinamikën që çoi në vrasjen e babait të saj, (ish-vjehrri i autorit), plagosjen e rëndë të nënës dhe pengmarrjen e vetë asaj.
35-vjeçari Refit Buzi dyshohet se mëngjesin e sotëm në fshatin Vidhisht të Roskovecit vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plakën, 58 vjeç, plagosi ish-vjehrrën, Belere Plakën, 55 vjeçe, dhe më pas mori peng ish-partneren e tij, të cilën e ka liruar disa orë më vonë.
Rrethimi i Refit Buzit nga Policia në fshatin Kurjan të Roskovecit zgjati rreth 8 orë.
Pavarësisht thirrjeve nga RENEA, të cilët u afruan në distancë të afërt me mjetin ku qëndronte i ngujuar 35-vjeçari nuk pranoi të dorëzohej dhe u gjet i vetëvrarë në makinë. Më herët ai kishte refuzuar të dorëzohej, duke thënë se do qëllonte veten.
Familjet e të dy palëve kanë dhënë qëndrime të ndryshme për motivet, teksa autori kishte precedentë të shumtë penalë për agresion.
Policia tha se po heton në dy pista. E para është refuzimi për të pranuar ndarjen nga vajza dhe e dyta konflikti për një shumë parash të dërguara nga Buzi tek ish-partnerja kur ishte emigrant në Angli dhe që pas ndarjes kërkonte t’i ktheheshin.
Prononcimi i Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Drejtues Erion Ahmeti:
“Sot, rreth orës 06:00, ndodhi një ngjarje e rëndë kriminale në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu, babanë e ish të dashurës së tij, plagosi nënën e saj, mori peng ish-të dashurën dhe u largua me automjet nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në vendngjarje, rrethuan zonën, organizuan ndjekjen e autorit, ngritën pika kontrolli dhe koordinuan veprimet me të gjitha strukturat policore të angazhuara.
Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të autorit dhe dinamikës së ngjarjes, u kërkua ndërhyrja e Forcës Speciale “RENEA”.
Pas lokalizimit të autorit, shërbimet e Policisë e rrethuan atë dhe nisën negociatat, pasi ai kërcënonte se do të vriste veten dhe ish të dashurën, të cilën e mbante peng.
Falë profesionalizmit, qetësisë dhe veprimeve të mirëkoordinuara të efektivëve të Policisë, fillimisht u bë i mundur lirimi i shtetases që mbahej peng në automjet, kundër vullnetit të saj. Ajo u transportua menjëherë në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe për sqarimin e të gjitha rrethanave dhe zbardhjen e motivit”.
© Panorama.al












