Realitetet s’mund të shpjegohen me slogane

Dec 26, 2025 | 9:30

gezim tushiGËZIM TUSHI

Duke ndjekur me vëmendje profesionale dhe intelektuale diskutimet, analizat, debatet teorike dhe perceptimet e zakonshme empirike të qytetarëve të zakonshëm për problemet aktuale me të cilat përballet shoqëria dhe mënyrën si konceptohen ato nga njerëzit tanë, të krijohet ideja se ato megjithë sinqeritetin apo naivitetin e konceptimit, jo gjithnjë janë vlerësime koherente e objektive apo gjykime analoge me të vërtetat e jetës. Të atyre që duken, shfaqen në mënyrë evidente apo edhe “brutalisht”, por edhe të atyre që janë në gjëndje latante por me dinamikën e brendshme për të prurje të sigurta në horizontin e të nesërmes sociale të shoqërisë tonë.

Shpesh për shkak të ndërlikimit të fenomeneve sociale dhe dukurive të sjelljes individuale, ka një paqartësi në vlerësimin e “gjërave që duken”, që mund të jenë të qëndrueshme apo mund të jenë “provizore” e kalimtare dhe ca dukurive që tashmë janë të pakthyeshme dhe që kanë fituar të “drejtën e qytetarisë”, duke u shfaqur si thelbësore dhe të cilat, duhen vlerësuar më seriozisht në impaktin e tyre të pritshëm. Unë jam dakord me sintagmën e Anthony Giddens-it i cili me shumë inteligjencë i këshillon sociologët, antropologët, filozofët dhe intelektualët në tërësi, që të kuptojnë dhe të binden se në kohën e sotme gjërat janë bërë tejet të ndërlikuara për t’u vlerësuar me objektivitet dhe interpretuar saktë përmes inteligjencës sociale. Ndaj ai thotë se “interpretimet sociale kërkojnë më shumë “mish sociologjik”. Anthony Giddens, “Pasojat e modernitetit”, f. 19

Në këtë kontekst edhe realitetet tona sociale, shfaqjet e sjelljeve karakteriale të natyrës njerëzore, konfliktet dhe kontradiktat në ndërtimin e lidhjeve sociale dhe format e rregullimit të marrëdhënieve midis tyre, në shoqërinë shqiptare sot shfaqen më të ndërlikuara se kurrë më parë. Në këto kushte janë të pafalshme analizat e përcipta, shikimet e njëanshme metafizike, perceptimi me mediokritet amatoresk e pseudo social të realiteteve që kanë shfaqen të turbullta, analizat sociologjike dogmatike e të alambikuara me një tis të vjetër “pseudo-patriotik”. Sepse jemi në momente kruciale të zhvillimeve intensive të natyrës së shoqërisë dhe karakterit të njeriut modern, të cilat kërkojnë interpretime të kthjellta për problemet e ndërlikuara të tyre.

Probleme të cilat në mënyrë të domosdoshme kërkojnë “lente” të re analitike. Sepse shoqëria shqiptare është duke u përballur me një sulm patologjik të natyrshëm të fenomeneve tipike të postmodernitetit, që kanë sjellë anomali sociale, çekuilibre ekzistenciale dhe marramendje metafizike e konceptuale individuale. Kjo që po ndodh në shoqërinë tonë nuk është as e rastit as e paparashikuar. Jetojmë në kohë të reja, të cilat nuk mund të shikohen me “syze” të vjetra, apo me “lente të kalçifikuara e dogmatike”.

Që të kuptojmë situatat sociale dhe turbulencat e jetës individuale, duhet të pranojmë të vërtetën se, “Cdo epokë ka sëmundjet e veta shoqëruese”, ka thënë filozofi ByungChul Han. Dhe që jo vetëm ka të drejtë, por kjo sintagmë sociologjike është universale dhe aktuale.

Në këto kushte, duhet të kuptojmë se koha që jetojmë, zgjerimi i gamës së problemeve të reja e të panjohura sociale, kanë vënë para përgjegjësisë detyruese të gjithë politikanët, intelektualët, sociologët, antropologët, psikologjinë sociale për të bërë analiza e intrepretime më të kthjellta e objektive të realitetit, të problemeve me të cilat po përballen shoqëria dhe njerëzit tanë. Kjo do të thotë se duhen argumentime të thelluara të natyrës së problemeve sociale, të karakterit të tyre sinkretik dhe diakronik, të aliazhuara me shumë fatorë endemikë. Ato janë fenomene sociale të reja dhe të tilla, që kerkojnë “lente” të re analitike, me të cilat mund të vëzhgojmë, studiojmë dhe nxjerrim konkluzionet e duhura.

Ky është imperativ i qartë politik, teorik dhe sociologjik, parakusht i domosdoshëm për trajtuar me kompetencë e seriozitet të vërtetë problemet e agravuara sociale të shoqërisë tonë, të cilat momentalisht shoqërohen nga prania e një kaosi social hermeneutik dhe empirik, me paqartësi të theksuara të orientimit individual. Shqetësimi është në rritje dhe vështirësitë e orientimit social po zgjerohen me rritëm frenetik. Shumë fenomene po shfaqen me gravitet të rënduar. Kjo ka krijuar një realitet, që nganjëherë të duket anormal e skizofrenik. Pikërisht, për të analizuar këto situata sociale, është e domosdoshme të sqarohet, se pse duket sikur shoqëria jonë në këto momente është si në udhëkryq social? Gjërat duhen parë me objektivitet, jo me analiza dembele, që bëhen “prapa pecetës” së probleme reale, apo thjesht të hamendësuara. Problemet sociale janë bërë të vështira, të ndërlikuara në pamje dhe me natyrë “prizmatike” në thelbin dhe fenomenologjinë e shfaqjes së tyre. Shpesh herë shumë të vështira për t’u analizuar në kontekstin e gjëndjes aktuale, sidomos në vlerësimin dhe parashikimin e perspektives së zhvillimit të tyre.

Sepse shoqëria e sotme është krejt tjetër, thelbësisht e ndryshme nga të gjitha modelet historike të trashëguara, apo paradigmat teorike nëpër të cilat ajo është interpretuar, kur gjërat kanë qënë më të qarta dhe relacionet individ-shoqëri të sanksionuara, të determinuara në përmbajtjen, formën, strukturën, relacionet e brendshme dhe të jashtme, individuale apo sociale. Analizat e fenomeneve të shoqërisë tonë të së kaluarës janë më të thjeshta, sepse realitetet të mundësonin analiza të qëndrueshme, konsistente e të realizuara me “terma teorikisht të ngurtë e mekanikisht jothlbësorë”. Kjo do të thotë se kur shoqëria shqiptare ka sjellë probleme sociale, pamje e raporte të reja të shoqërisë dhe njeriut, kur ajo është në zhvillim dinamik e likuid, atëherë edhe analiza nuk mund të bëhet me parime sociologjike thelbësore, por me koncepte e terma sociologjikë të ndryshueshëm, madje dinamikë e të “rreshqitshëm”.

Duke vlerësuar situatën, duke e parë atë nga “jashtë” dhe nga “brenda”, nga dukja dhe thelbi, në mënyrë krejt të natyrshme kuptohet që situate sociale është bërë më e vështirë për vlerësimin sociologjik dhe studimin e ndryshimeve të vrullshme objektive, duke përfshirë dinamikat e reja në relacionet sociale e marrëdhëniet intersubjektive, relacionet kaotike detereministe midis thelbit të natyrës së shoqërisë postmoderne dhe karakterit antinomik e kaotik të njeriut adekuat të kësaj kohe. Nuk pse fshihemi pas të vërtetave sociale. Sidomos kur ato janëme prirje objektive e në thelb të pandryshueshme.

Përkundrazi, është mirë të kuptojmë dhe pranojmë, se jemi përballë një situatë të re sociale, në klimë tipikisht liberale, në të cilën sjelljet individuale zhvillohen në mënyrë kaotike dhe shfaqen me strukturë të paqartë analitike e studimore. Është kjo arsyeja që e bën akoma më e vështirë, mundësinë për të vlerësuar ndryshimet sociologjikisht ontologjike, moralisht thelbësore, me ndikim të gjërë nga pikëpamja empirike dhe shfaqjet konkrete në jetën e përditshme. Sepse jetojmë në një kohë kur marrëdhëniet midis natyrës së shoqërisë dhe karakterit të njeriut, të ndërtuara e të integruara në shoqërinë e sotme shqiptare, tërësisht liberale e individualiste, janë marrëdhëniet jo kompatibile, me një lidhje të fortë respektive midis çorganizimit të strukturave tradicionale të shoqërisë dhe natyrës së çorganizuar të individit.

Kjo e bën të vështirë procesin e analizës dhe studimit për të parë dhe vlerësuar në mënyrë precize mutacionet ontologjike, morfologjike dhe sociale bipolar midis performancës aktuale të shoqërisë dhe mënyrave të sjelljes personale dhe komportimit social të njerëzve. Të gjithë e ndjejmë që sot ka paqartësi sociale, kaos kuptimesh dhe keqkuptimësh individuale, ndërthurrje të së vërtetës dhe iluzionit, të kërkesave ultimative, konsistente, të pandryshuara të realitetit empirik dhe dëshirave iluzive të pamundura, utopive sociale, që vijnë si mentalitete penguese nga përplasja e koncepteve vlerësuese individuale me realitetet e shoqërisë shqiptare. Kjo bën që të duket sikur jetojmë në një realitet kontroversal, në të cilin në të njëjtën kohë përzihen, kaotizohen “vlerat” dhe “antivlerat” me natyrë sociale dhe individuale.

Kaotizmi social është një nga faktorët që determinon situatën kur shumë njerëz po e ndryshojnë natyrën e tyre, pa ditur pse dhe çfarë duhet të bëjnë për të shkuar aty “ku duhet”. Ca të tjerë të mbërthyer nga ide të vjetra kolektiviste e iluzione humane, shoqëruar me mentalitete supersociale nuk dalin dot me sukses jashtë në shoqëri. Për pasojë mbeten “brenda vetes” të pafuqishëm, të paorientuar dhe për pasojë e kanë të pamundur të ambientohen me kërkesat imperative të saj.

Kjo po krijon një shtresë sociale të njerëzve naivë, që nuk kanë dëshirë të vënë në lëvizje mendjen, të kuptojnë kohën dhe thelbin e shoqërisë në të cilën jetojnë. Ata janë njerëzit tanë, por në mënyrë naive vazhdojnë të besojnë se janë njerëz të mirë, të ndershëm dhe se nuk është faji i tyre që mbeten në terrene sociale utopike. Sipas tyre, shkaku nuk është tek ata, por është shoqëria e keqe, e cila nuk është e përshtatshme për formatin e tyre. Një gjë duhet të kuptojnë njerëzit tanë, që tani nuk është slogan por “filozofi jete”, që duhet t’ua mësojnë edhe fëmijëve tanë. Nuk ka më shoqëri në kuptin klasik, egalitar dhe humanist. Tani ka masa njerëzish që janë jo aq shumë të lidhur me njëri tjetrin. Kjo bën të domosdoshme që secili nga ne pas “vetes” të shikojë së pari “veten”.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura