“Rama jep dorëheqjen!”- Aktivisti Ilir Xhemalaj: Qeverisë i ka ardhur fundi, s’na interesojnë ndryshimet e ministrave! Kryeministri që i thotë shqiptarëve “f*ck you” nuk na përfaqëson

Jul 22, 2026 | 21:29

Aktivisti Ilir Xhemalaj deklaroi nga protesta se qeveria po përpiqet të ndryshojë ligje dhe ministra për të zbutur reagimin qytetar, por theksoi se kërkesa e protestuesve mbetet e pandryshuar, dorëheqja e kryeministrit.

“E keni vënë re që kësaj qeverie i ka ardhur fundi? Po bën çdo gjë që të shpëtojë, por nuk shpëton nga ne.  Po kërkon të shfuqizojë ligje, po kërkon të ndryshojë ministra, por ne nuk na interesojnë. Ne duam vetëm dorëheqje. Ne jemi mbledhur në këtë shesh sepse jemi të vjedhur”, tha ai.

Xhemalaj lexoi edhe një mesazh të dërguar nga një aktivist i arrestuar javët e fundit, në të cilin thuhej se një Parlament i rrethuar me kangjella dhe forca të shumta policie “nuk përfaqëson qytetarët”. Po ashtu, sipas tij, as një kryeministër që u përgjigjet shqiptarëve me ‘Fuck you’, nuk i përfaqëson ata.

“Edhe një herë kërkojmë dorëheqjen e kësaj qeverie, kërkojmë një kod të ri zgjedhor, zgjedhje të reja. Kërkojmë dorëheqjen e qeverisë Rama. Rama, jep dorëheqjen”, përfundoi Xhemalaj.

Aktivisti Ilir Xhemalaj: E keni vënë re që kësaj qeverie i ka ardhur fundi? Po bën çdo gjë që të shpëtojë, por nuk shpëton nga ne. Po kërkon të shfuqizojë ligje, po kërkon të ndryshojë ministra, por ne nuk na interesojnë. Ne duam vetëm dorëheqje. Ne jemi mbledhur në këtë shesh sepse jemi të vjedhur.

Çdo ditë na vjedh mafia e ushqimeve. E keni vënë re? Ushqimet vetëm ngrihen. Euro ka rënë, ushqimet ngrihen, nafta ngrihet. Po shkon 210 lekë nafta. Ku do të vemë? Kjo mafie vetëm na vjedh të gjithëve. Asnjëri nga ata nuk ka për të shpëtuar. Kam për të lexuar një fjalë që ma ka nisur një nga shokët tanë, i cili para pak javësh u burgos dhe nuk është këtu me ne sot.

“Një parlament i rrethuar me kangjella dhe qindra policë tregon hapur se nuk përfaqëson shqiptarët, por vepron kundër tyre dhe ka nevojë të mbrohet nga shqiptarët. Një kryeministër që bën masterplane me arkitektë të huaj për të shitur bregdetin e tokës shqiptare dhe u përgjigjet shqiptarëve me ‘Fuck you’, nuk përfaqëson shqiptarët.

Ju erdhi fundi! Një president që flet për protestat kudo nëpër botë, por nuk thotë asnjë fjalë për shqiptarët pas kaq ditësh, nuk na përfaqëson.

Kryefjala jonë dhe ajo për të cilën ne kemi dalë në këtë shesh është që politika 80-vjeçare të largohet dhe të vejë në burg. Edhe një herë kërkojmë dorëheqjen e kësaj qeverie, kërkojmë një kod të ri zgjedhor, zgjedhje të reja. Kërkojmë dorëheqjen e qeverisë Rama. Rama, jep dorëheqjen.

© Panorama.al

Te lidhura