VIDEO/ “Rama ka zgjidhje vetëm dorëheqjen”- Protestuesi ironizon qeverinë: Disave u ka mbetur këmba në Aruba, disave në tunelin e Belës!

Jul 22, 2026 | 21:29

Një nga protestuesit organizatorë të revoltës popullore tha nga podiumi ditën e sotme se kryeministri Edi Rama ka vetëm një zgjidhje, dorëheqjen e tij.

Ai ironizoi edhe pushtetarët, duke thënë se disave u ka mbetur këmba në Aruba dhe disa të tjerëve te tuneli i Belinda Ballukut.

Ai hodhi akuza të forta ndaj qeverisë, duke deklaruar se të gjitha përpjekjet e mazhorancës për të përballuar situatën kanë dështuar.

Në fjalën e tij, ai u shpreh se qeveria ka provuar strategji të ndryshme, por sipas tij, pa sukses.

“Gjatë këtyre 53 ditëve provoi me agjentura, dështoi me turp. E provoi duke shpallur në kërkim algoritmin, duke sharë influencuesit. E provoi të na përçante, por vetëm na bashkoi. E provoi duke na ofenduar, por vetëm na frymëzoi”, u shpreh protestuesi.

aktivisti proteste

Qytetari shtoi se, sipas tij, qeveria po shqyrton ndryshime në kabinet, por theksoi se kjo nuk përbën zgjidhje për protestuesit.

“Si çdo autokrat, kur i dështojnë të gjitha tentativat, fillon të pranojë se mund të ketë bërë edhe ai njëfarë faji. Po përgatit disa ndryshime në qeveri, por nuk na interesojnë. Disave u ka mbetur këmba në Aruba, disa në tunelin e Belës, disave në call center-in e Taos. Disa vrapojnë në ambasada, por edhe aty u është mbyllur dera. Të mos lodhet kot, zgjidhja e vetme për të është dorëheqja”, deklaroi ai gjatë protestës.

© Panorama.al

Te lidhura