“Raportim brenda 72 orësh!”- Qeveria merr masa të reja kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit! Lista e autoriteteve mbikëqyrëse

Nov 12, 2025 | 20:55

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim që përcakton formën, mënyrën dhe procedurën e raportimit të të dhënave nga Autoritetet Licencuese dhe Mbikëqyrëse.

kryeministria

Sipas vendimit të miratuar, autoritetet licencuese dhe mbikëqyrëse do të raportojnë menjëherë, dhe jo më vonë se 72 orë nga çasti i konstatimit, çdo dyshim apo informacion që lidhet me pastrimin e parave, financimin e terrorizmit apo financimin e armëve të shkatërrimit në masë, tek Agjencia e Inteligjencës Financiare.

Me propozimin e Ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar edhe listën e autoriteteve mbikëqyrëse për subjektet e ligjit në këtë fushë.

Sipas vendimit, autoritetet mbikëqyrëse që duhet të raportojnë janë:

Banka e Shqipërisë

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare

Organet e qeverisjes qendrore

Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit apo çdo autoritet tjetër i ngarkuar me ligj për lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet

Ministria e Drejtësisë

Dhoma Kombëtare e Avokatisë, për avokatët

Ministria përgjegjëse për infrastrukturën, për subjektet që merren me tregtimin e mjeteve motorike, lundruese, ajrore, si dhe për veprimtaritë e transportit e spedicionit

Agjencia e Inteligjencës Financiare, për:

  1. a) agjencitë e udhëtimit
  2. b) shoqëritë e ndërtimit
  3. c) bizneset e metaleve dhe gurëve të çmuar

ç) çdo person fizik ose juridik që ofron shërbime të caktuara për klientët

Bordi i Mbikëqyrjes Publike, për audituesit ligjorë dhe kontabilistët e miratuar

© Panorama.al

Te lidhura