
Rakordimi i shifrave, që vetë bizneset deklarojnë në drejtoritë e Tatimeve, kanë zbuluar më shumë se 1.3 milionë USD para të padeklaruara nga biznesmenët. Raporti i fundit i Ministrisë së Financave tregon se vetëm në drejtorinë e Tatimeve të Tiranës dhe Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj ose VIP, një kontroll rutinë, duke përplasur shifrat e TVSH, zbuloi 138 milionë lekë xhiro të padeklaruar. Raporti, i cili bën një analizë të të gjithë punës së tatimeve, tregon se mbledhja e TVSH-së për 9-mujorin e parë ka qenë më e dobëta në të gjithë zërat e tatimeve. Zbulimi i evazionit në raportin e Financave erdhi si rezultat i ballafaqimit të shifrave që vetëdeklarojnë biznesmenët dhe inventarëve. Një veprim rutinë ky, që duhet të kryhet nga të gjithë tatimorët, por që nga moskryerja ka bërë që rreth 1.38 milionë USD të ardhura të fshihen nga biznesmenët. Rakordimi i shifrave është bërë pas largimit nga detyra të Drejtorit të VIP-ave, Jovan Cano.
Mbledhja e TVSH
Raporti i korrikut dhe i gushtit është konfirmua sërish edhe në shtator. Si 9-mujor, TVSH-ja është zëri më i dobët i Tatimeve. Financat janë munduar ta justifikojnë këtë ndryshim me ndryshimet në strukturën e prodhimit të përgjithshëm apo edhe me uljen e çmimeve të tarifave të celularëve. Sipas raportit, politikat e reja për uljen e çmimeve në sektorin e telekomunikacioneve kanë sjellë uljen e të ardhurave nga TVSH në 8.1 milionë USD. Nga ana tjetër, ulja e veprimtarisë së sektorit të ndërtimit ka sjellë uljen me 10 milionë USD të të ardhurave nga TVSH. Por duket se shpresa është për vitet në vazhdim. Atë që shpesh drejtuesit e financave e kanë thënë publikisht, në raport është me shifra. TVSH kreditore, për shkak të investimeve në teknologji, arrin në më shumë se 4.5 miliardë lekë, ose rreth 45 milionë dollarë. Financat parashikojnë, dhe teorikisht kështu duhet të ndodhë, që kjo TVSH do të japë të ardhura më të larta gjatë viteve në vazhdim, kur investimet të sjellin prodhim apo konsum. Një ndikim tjetër i konsiderueshëm është edhe TVSH-ja e parashikuar, por që në fakt nuk mund të mblidhej nga ulja e importit të duhanit dhe cigareve.
Tatimet
Sipas raportit të financave, deri në fund të shtatorit, administrata tatimore ka arritur të mbledhë 43.7 milionë USD më shumë se një vit më parë. Në krahasim me planin, janë mbledhur 11.5 milionë USD më shumë. Të ndara sipas zërave, duket se tatimi mbi fitimin mban peshën kryesore të rritjes. Nga taksa e fitimeve janë mbledhur 22 milionë USD më shumë. Më pas vjen akciza, nga grumbullimi i së cilës kanë shkuar në buxhet 17 milionë USD më shumë dhe tatimi mbi të ardhurat personale, me 6 milionë USD më shumë.
Duket se amnistia ka dhënë efekt negativ në të ardhurat e tatimeve. Sipas raportit për 9-mujorin, në mbledhjen e tatimit mbi të ardhurat amnistia ka dhënë një efekt negativ prej 10 milionë USD. Sipas përllogaritjeve, vetëm nga mungesa e të ardhurave, që normalisht mblidheshin nga detyrimet e prapambetura gjatë dy viteve të fundit, efekti negativ në të ardhurat mujore që grumbullojnë tatimet është rreth 40 për qind. Ndikim tjetër ka sjellë edhe kriza botërore. Paratë që emigrantët kanë sjellë në Shqipëri, janë ulur me 12 për qind, si rrjedhojë edhe të ardhurat nga tatimi janë ulur me 10% të kësaj shifre.
Një tjetër shifër pozitive në raport është ajo e të ardhurave që shkojnë për pensionet. Sipas të dhënave të financave, rritja e të ardhurave në zërin e kontributeve është 2.1 miliardë lekë, ose 21 milionë USD. Kjo krahasuar me vitin e kaluar. Në total, administrata tatimore ka të regjistruar 415 mijë të punësuar. Për 9-mujorin e parë të këtij viti janë shtuar 30 mijë punonjës më shumë se vjet.
Biznesi i vogël dhe kasat
Zbatimi i skemës së TVSH edhe për biznesin e vogël ka sjellë edhe 6700 biznese të tjera në skemë. Të dhënat tregojnë se kontributi i tyre, vetëm për 9-mujorin e parë është 4.5 milionë USD. Problemi në këtë rast është informimi dhe i bizneseve për detyrimet e reja tatimore dhe mënyrën e plotësimit të tyre. Kasat fiskale janë ende një sfidë për tatimet. Shifrat tregojnë se nga kontrollet janë vendosur 3800 gjoba me një vlerë prej 4 milionë USD. Nga kontrollet e tatimeve janë bllokuar mallrat e 120 tregtarëve.
Emigrantët
Emigrantët kanë ndikuar në uljen me të paktën 4.1 milionë USD të tatimit mbi të ardhurat personale. Sipas të dhënave, emigrantët kanë sjellë rreth 41 milionë USD më pak, në krahasim me vjet. Në 2010-n, ata sollën 342 milionë USD, ndërsa këtë vit sipas Bankës së Shqipërisë 12% më pak. Ndikimi direkt në tatimin mbi të ardhurat është 10% e kësaj shume ose 4.1 milionë USD.
Shifrat e raportit të Financave
• 4.37 miliardë lekë
Rritja e të ardhurave në krahasim me vitin 2010
• 1.15 miliardë lekë
Rritja e të ardhurave në krahasim me planin
• 2.2 miliardë lekë
Rritja e të ardhurave nga tatimi mbi fitimin
• 1.7 miliardë lekë
Rritja e të ardhurave nga akciza
• 0.6 miliardë lekë
Rritja e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale
• 2,1 miliardë lekë
Rritja e të ardhurave nga kontributet e sigurimeve
• 415 mijë persona
Deklarohen si të punësuar në tatime
• 6700 biznese
Janë shtuar pas zgjerimit të bazës së TVSH-së
Konfiskimet
. 120 ton
karburante
. 100 hl
pije alkoolike
. 1,100 hl
birrë
. 0.5 tonë
kafe











