
Komisioni i Shërbimit Civil: “Fitues shpallen punonjësit me kontratë, paguhen nga dy rroga për të shkarkuarit”
Konkurset për pran-imet në administratën publike janë fiktive dhe në të gjitha rastet fitues dalin punonjësit që kanë punuar gjatë asaj periudhe në atë institucion. Në këtë përfundim ka dalë Komisioni i Shërbimit Civil pas kontrolleve të organizuara në katër ministri (Ministria e Financave, Ministria e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Shëndetësisë). Në të njëjtën kohë, në proces kontrolli janë gjithashtu edhe Ministria e Punës, Ministria e Mjedisit, Ministria e Integrimit, Departamenti i Administratës Publike, si dhe bashki e këshilla qarku në Fier dhe Berat.
Konkurset
Sipas raporteve të siguruara nga gazeta për këto institucione, rezulton se në konkurset e organizuara fitues janë ata punonjës që kanë punuar deri në atë periudhë përmes kontratave të përkohshme. “Konstatohet një numër relativisht i madh i procedurave të konkurrimit të zhvilluara këtë vit në këtë institucion. Ky numër përkon me emërimet e përkohshme nëpërmjet kontratave që janë evidentuar në këtë periudhë. Kështu, rezulton se pothuaj në të gjitha rastet kur këto pozicione pune janë shpallur si të lira nga ana e DAP, pas kërkesës së institucionit, në fakt nuk kanë qenë të tilla. Më tej, konstatohet se në të gjitha konkurrimet e zhvilluara kanë fituar punonjësit të cilët kanë qenë të emëruar nëpërmjet kontratave dhe duke kryer efektivisht detyrat e këtij pozicioni edhe gjatë procedurës së konkurrimit”, thuhet në raportin për Ministrinë e Financave. Sipas KSHC-së, për të gjitha ministritë vlerësohet se marrja në punë e nëpunësve, jo sipas parimit të barazisë dhe të kriterit të meritokracisë, ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e prurjeve të reja. “Personat e interesuar e konsiderojnë të kotë pjesëmarrjen në konkurrim, pasi ai kryhet vetëm si procedurë që të ligjërohet mbajtja në punë e personit të marrë më parë me kontratë. Konstatojmë se besueshmëria ndaj procesit të rekrutimit ka rënë dukshëm në opinionin e publikut midis kandidatëve të mundshëm, kjo reflekton edhe në raste të dështimit të procedurave të konkurrimit për mungesë kandidatësh”, theksohet më tej në raport.
Dëmi financiar
Një tjetër çështje e ngritur nga KSHC-ja është fakti se si pasojë e moszbatimit të vendimeve të saj, disa ministri paguajnë dy rroga për një pozicion, rrogën e punonjësit që e mban vendin e punës dhe të atij që ka fituar gjyqin pas largimit nga puna. “Gjatë këtij ristrukturimi, KSHC-ja ka analizuar me hollësi momentet e procesit dhe ka evidentuar se ndodhemi në kushtet kur ka shtim të numrit të përgjithshëm të pozicioneve të punës, e megjithatë me pasoja për listën e pritjes dhe njëkohësisht një numër relativisht të lartë të të punësuarve me kontratë. Në këto kushte, ekzistenca e listës së pritjes për këto raste llogaritet në kosto financiare në dëm të buxhetit të shtetit me një pagë vjetore për çdo pozicion pune. Konkluzioni që mund të nxirret në këtë rast, është se lista e pritjes vazhdon të konsiderohet si një mjet për të kryer lëvizje njerëzish në mënyrë më të zbutur, duke mos pasur parasysh që ajo është kosto e pastër që rëndon buxhetin e shtetit, duke paguar paralelisht dy persona për një vend pune për një vit, apo edhe më shumë në rastin e vendimeve gjyqësore”, thuhet në raportin për Ministrinë e Mbrojtjes.
105 ankesa
Në Komisionin e Shërbimit Civil kanë ardhur deri tani në total 105 ankesa nga punonjës që gëzojnë statusin e nëpunësit civil. Nga këto, 85 janë të institucioneve qendrore dhe 20 të institucioneve vendore. 21 ankesa janë pranuar plotësisht, ndërsa 29 prej tyre janë rrëzuar. Në tetë raste, KSHC-ja ka vendosur ta pranojë kërkesën pjesërisht, ndërsa në 11 të tjera, çështja është pushuar. KSHC-ja ka vendosur inkompetencën për 14 raste.
Shëndetësia
Në raportin për Ministrinë e Shëndetësisë thuhet se “Konstatohet një numër relativisht i madh i procedurave të konkurrimit të zhvilluara këtë vit, nga të cilat në 32 raste përkojnë me emërimet e përkohshme nëpërmjet kontratave që janë evidentuar në këtë institucion. Kështu, rezulton se në këto raste kur këto pozicione pune janë të shpallura si të lira nga ana e DAP, pas kërkesës së institucionit, efektivisht nuk kanë qenë të tilla. Konstatohet se në këto raste në konkurrimet e zhvilluara kanë fituar punonjësit, të cilët kanë qenë të emëruar nëpërmjet kontratave duke kryer efektivisht detyrat e këtij pozicioni edhe gjatë procedurës së konkurrimit.
Rekomandimet: “Si duhet të bëhet rekrutimi”
Sipas KSHC-së, për të qenë efikas në tërësinë e tij, procesi i rekrutimit duhet të ndjekë disa etapa, në mënyrë që të mos përsëriten rastet e deritanishme, ku konkurset kanë qenë fiktive dhe çdo vendim është shoqëruar me dëme financiare. “Duhet të kryhet duke siguruar një konkurrencë të hapur, që realizohet nëpërmjet ekzistencës fillimisht të pozicioneve efektivisht të lira dhe pastaj të kritereve të paravendosura e shpalljes së detyrave për pozicionet e lira; metoda e vlerësimit që të arrihet vlerësimi i kandidatëve sipas njohurive, aftësive dhe sjelljes; një prag cilësie, që lejon që në shërbimin civil të mund të futen ata nëpunës që të kryejnë realisht detyrat, pra të jenë të pranueshëm për shërbimin civil”, thuhet në rekomandimet e KSHC-së.
“Tatimet nuk zbatuan 29 vendime të KSHC-së”
Në raportin e Komisionit të Shërbimit Civil për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve theksohet fakti se 29 vendime të KSHC-së për kthimin në punë apo ngritjen në detyrën e mëparshme të punonjësve, që kanë statusin e nëpunësit civil, nuk janë zbatuar. “Mosveprimi në këtë rast ka sjellë dëme të pariparueshme financiare në buxhetin e shtetit, pasi ndërkohë që ka punonjës të emëruar me kontratë të përkohshme, është vepruar me pagesën e dy personave njëkohësisht, për një pozicion pune, ku njëri është paguar në zbatim të mjetit të njohur nga ligji, kontratës së punës, sipas së cilës punonjësit paguhen sipas detyrimeve kontraktuale dhe tjetri do të paguhet në zbatim të detyrimit ligjor të ekzekutimit të vendimit gjyqësor. Në këtë rast, dëmi llogaritet me pagën vjetore të secilit punonjës të përmendur më sipër për një periudhë mbi 1 vit dhe, më tej, çka lidhet me momentin e ekzekutimit të vendimit”, thuhet në raportin për Tatimet. Sipas KSHC-së, për gjendjen e krijuar duhet të nxirret përgjegjësia individuale e personave që kanë shkaktuar këtë situatë dhe do të procedohet sipas ligjit për përgjegjësi disiplinore.
Shkarkimet, ankesat për çdo ministri
Komisioni i Shërbimit Civil jep të dhënat deri në gusht 2011. Tetë ankesa u pranuan pjesërisht
“Vetëm 17 ankesa nga 85 janë pranuar, 25 u rrëzuan”
Shumica e vendimeve të institucioneve shtetërore për largimet nga puna të zyrtarëve me status të nëpunësit civil kanë qenë të drejta. Në këtë përfundim del Komisioni i Shërbimit Civil në një evidencë të nxjerrë për punën e kryer deri më 31 gusht të këtij viti. Gjatë kësaj periudhe, pranë dyerve të këtij institucioni kanë ardhur 85 ankesa nga nëpunës të larguar nga puna, ulje në detyrë apo dërgim në listën e pritjes. Numrin më të madh të këtyre ankesave e ka Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, me 31 ankesa dhe pas saj vjen Ministria e Drejtësisë me 10 ankesa. Nga këto 85 ankesa të ardhura, rezulton se deri në muajin shtator pesë anëtarët e Komisionit të Shërbimit Civil kanë zhvilluar seanca dëgjimore për 77 raste dhe janë shqyrtuar duke u dhënë një drejtim 68 rasteve.
Statistikat

Sipas shifrave të bëra publike nga vetë KSHC-ja, bëhet e ditur se 17 ankesa nga 85 në total janë pranuar dhe me këtë rast janë detyruar institucionet përkatëse që të zbatojnë këto vendime. Konkretisht, edhe këtu numrin më të madh të vendimeve që duhet të zbatojë, e ka pikërisht Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Për katër raste, krerët e këtij institucioni duhet të marrin masat për rikthimin në punë të punonjësve të larguar apo të ulur në detyrë. Në vend të dytë është Ministria e Drejtësisë, kundër së cilës janë dhënë 3 vendime, ndërsa më pas vijnë Ministria e Ekonomisë, Ministria e Kulturës dhe Këshilli Kombëtar i Radio-Televizionit me nga dy vende kundër. Në të njëjtën kohë, KSHC-ja ka vendosur të pranojë pjesërisht 8 ankesa nga punonjësit që kanë statusin e nëpunësit civil. Për këtë rast, shtatë nga këto vendime janë për ankesat e ardhura nga punonjës të Drejtorisë së Tatimeve, ndërsa një rast është për punonjësin e Departamentit të Administratës Publike. Për 25 raste, pesë anëtarët e KSCH-së në mbledhjet e tyre, pasi kanë dëgjuar pretendimet e palëve, kanë vendosur që të rrëzojnë ankesat e ardhura nga punonjësit e shërbimit civil për institucionet ku ata kanë punuar. Gjashtë vendime pro janë për Tatimet, pesë për Ministrinë e Drejtësisë dhe nga tri vendime pro kanë Ministria e Bujqësisë dhe Departamenti i Administratës Publike (DAP). Sa i përket vendimeve për pushimin e çështjes, KSHC-ja e ka parë të arsyeshme këtë zgjidhje për 11 raste, nga ku kanë përfituar mes të tjerash edhe Ministria e Mbrojtjes, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Meteorologjisë. Në një rast, zyrtari që ka depozituar ankesën ka vendosur të tërhiqet, ndërsa në 10 raste Komisioni i Shërbimit Civil ka vendosur se nuk është kompetent për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.
Vendorët
KSHC-ja ka bërë publike edhe disa të dhëna për ankesat e ardhura nga punonjës që kanë statusin e nëpunësit të shërbimit civil dhe punojnë në bashki. Në total janë gjithsej 20 ankesa të paraqitura në KSHC, nga të cilat, për 12 janë zhvilluar seanca dëgjimore dhe për 9 prej tyre është dhënë vendim. Konkretisht, katër kërkesa janë pranuar dhe institucionet vendore janë të detyruara të zbatojnë vendimin e KSHC-së, katër të tjera janë pushuar dhe për një ankesë nuk ka pasur vendimmarrje për shkak të mungesës së kuorumit. Bashkitë që kanë pasur më shumë çështje në KSHC, kanë qenë ajo e Lushnjës dhe e Burrelit, ndërkohë që në dyert e këtij institucioni janë paraqitur edhe Bashkia e Tiranës, Njësia Bashkiake Nr. 6, Këshilli i Qarkut të Gjirokastrës dhe ai i Kukësit.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











