
Ecuria e deritanishme e kthimit dhe kompensimit të pronave lë shumë për të dëshiruar dhe nëse do të vijohet kështu, Shqipërisë do t’i duhen dekada për ta përfunduar procesin. Banka Botërore vlerëson se skema e kompensimit është jo eficiente dhe ky nuk është i vetmi problem që parashtrohet. Paratë që shteti duhet t’u paguajë ish-pronarëve për pronat e tyre kapin vlera marramendëse, të cilat duken një mision i pamundur për t’u realizuar. Në këto kushte vijnë edhe një sërë rekomandimesh që qeveria duhet t’i ketë parasysh. Raporti “Qeverisja në mbrojtjen e të drejtave mbi pronën e paluajtshme në Shqipëri: sfidë e vazhdueshme”, i hartuar nga ekspertët e Bankës Botërore dhe i publikuar pak kohë më parë, nxjerr në pah situatën aktuale, ecurinë e saj ndër vite dhe çfarë duhet të bëhet për t’i dhënë zgjidhje.
Rekomandimet
Një ndër rekomandimet që Banka Botërore bën në raportin e saj është ndryshimi i ligjit për kthimin e kompensimin e pronave, i cili duhet të marrë parasysh vlerësimin me një çmim më të ulët të pronës sesa çmimi i tregut. Banka gjykon se ligji, i miratuar në vitin 2004 ndjek një qasje të ngjashme me atë të ndjekur nga vende të tjera në Europën Qendrore dhe Juglindore, mirëpo kërkesa për t’i kompensuar pronarët me vlerën aktuale të tregut është e vështirë për t’u zbatuar për shkak të kostove të larta fiskale. Në këto kushte propozohet që të bëhet një rishikim i ligjit për ta kufizuar kompensimin brenda një përqindjeje të caktuar të vlerës aktuale të tregut të pronës. “Ligji shqiptar është i vetmi rast që kërkon kompensim me vlerën aktuale të tregut. Për shembull, në Poloni, shkalla e kompensimit monetar është caktuar 20% e vlerës aktuale të tregut, ndërsa ligji letonez parashikon kompensim të vlerës së pronës në momentin e shpronësimit në vitin 1941”, thuhet në raportin e Bankës. Ky nuk është i vetmi propozim që bëhet për ndryshimin në ligj, por vihet në dukje se duhet të plotësohen edhe shumë boshllëqe të tjera që kanë nxjerrë në pah pikat ku çalon procesi. Banka Botërore propozon, përveç ndryshimit në ligj, edhe masa të tjera se ç’duhet të bëjë qeveria për t’i kompensuar sa më shpejt ish-pronarët.
Si të bëhet kompensimi
Paratë që qeveria vë në dispozicion për kompensimin e ish-pronarëve do të jenë një barrë e vazhdueshme për buxhetin e qeverisë. Në këto kushte, Banka Botërore propozon që qeveria të verë në veprim disa alternativa për këtë proces, duke filluar nga shembulli që kanë ndjekur vende të tjera për moskompensimin sipas çmimit të tregut deri te shitja e pronave të saj. Shteti ka në pronësi të tij toka, të cilat mund t’i shesë për të gjeneruar të ardhura që do të shkojnë për fondin e kompensimit. Nga ana tjetër, një alternativë që hidhet si e mundshme për zbatim është edhe ajo e kushtit kohë. Kjo nënkupton “shpërndarjen e kostos së kompensimit përmes emetimit të obligacioneve shtetërore me periudhë të gjatë maturimi (për shembull, 20 ose 30 vjet), të cilat t’u jepen kërkuesve të suksesshëm, si dhe dhënien kërkuesve të suksesshëm, të alternativave të ndryshme mes të cilave mund të zgjedhin, për shembull, të pranojnë një vlerë më të ulët kompensimi, të cilën mund ta marrin menjëherë ose të pranojnë obligacionet shtetërore me një vlerë më të lartë”.
Strategji për të drejtën mbi pronën
Një ndër rekomandimet e opinionit të Komisionit Europian për kërkesën e Shqipërisë për dhënien e statusit të vendit kandidat, është edhe strategjia për reformën për të drejtën mbi pronën. Në bazë të kësaj, në prill qeveria miratoi një plan veprimi për zgjidhjen e problemeve të pronësisë. Në thelb qëndron një koncept i ri për një strategji për të drejtat e pronës, me idenë që të përbëjë bazën për një debat publik për politikat për gjetjen e një zgjidhjeje të plotë.
Raporti i Bankës Botërore
Përfundime të raportit
. Përkundër disa përpjekjeve për të bërë reformë, të drejtat mbi pronën në Shqipëri nuk janë mjaftueshmërisht të sigurta dhe përbëjnë një sfidë të rëndësishme ndaj qeverisjes.
. Pasiguria e të drejtave mbi pronat e paluajtshme prek një përqindje të madhe të shtetasve shqiptarë, sidomos grupet në pozita të cenueshme.
. Tapitë e pasigurta dhe procedurat e paqarta për marrjen e lejeve të ndërtimit përbëjnë një pengesë madhore për investimet.
. Gjykatat nuk kanë pasur sukses në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për pronat apo në vënien në zbatim të të drejtave mbi pronën, çka e ka mundësinë ta dëmtojë perspektivën e integrimit
. të Shqipërisë në BE.
Rekomandimet për ndryshimin e ligjit
. Rishikimi i ligjit për ta kufizuar kompensimin brenda një përqindjeje të caktuar të vlerës aktuale të tregut të pronës.
. Rishikimi i ligjit për ta kufizuar madhësinë e pronës që mund të merrej në konsideratë me qëllim çmuarjen e vlerës së kompensimit.
. Shpërndarja e kostos së kompensimit përmes emetimit të obligacioneve shtetërore me periudhë të gjatë maturimi (për shembull, 20 ose 30 vjet), të cilat t’u jepen kërkuesve të suksesshëm dhe dhënia kërkuesve të suksesshëm, e alternativave të ndryshme mes të cilave mund të zgjedhin, për shembull të pranojnë një vlerë më të ulët kompensimi të cilën mund ta marrin menjëherë ose të pranojnë obligacionet shtetërore me një vlerë më të lartë.
Rekomandime për boshllëqet e ligjit
. Të jepet mbrojtje ligjore e qartë që të mbulojë edhe subjektet e legalizimit, çka do ta rriste sigurinë për ta dhe do të mund t’u jepte të drejta ligjore në rast shpronësimi për investime publike.
. Të shikohen mundësitë për shpërnguljen e njerëzve nga zonat informale që nuk mund të legalizohen për shkak të arsyeve mjedisore, të trashëgimisë kulturore apo të arsyeve që kanë të bëjnë me sigurinë.
. Të shikohet ideja e një mekanizmi përmes të cilit një përqindje më e madhe e kostos së kompensimit do të vinte nga përfituesit e shpronësimit (siç janë subjektet e legalizimit) ose nga të ardhura buxhetore jo tatimore (siç është shitja e pronës shtetërore).
NERTILA MAHO
© Panorama.al











