Ndërtimet pa leje, BB: Të shtyhet afati i legalizimit

Oct 17, 2011 | 11:24

Selia e Bankes Boterore

“Qeveria s’mund të shembë 80 mijë ndërtime të tjera pa leje”

Procesi i legalizimit të ndërtimeve informale në vend ka ecur ngadalë dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ligji nuk i jep zgjidhje përfundimtare çështjes, por lë vend për probleme të reja. Kjo duket qartë në përcaktimin që bëhet në ligj për ata që përfitojnë legalizim të ndërtimit informal, i cili u mundësohet vetëm atyre që kanë përfunduar këtë ndërtim brenda majit të 2006-s dhe kanë paraqitur kërkesë për legalizim brenda 15 nëntorit 2006. Kush ka ndërtuar jashtë këtij harku kohor nuk përfiton, dhe pikërisht këtu qëndron edhe problemi që ngre Banka Botërore, e cila gjykon se jashtë procesit mbeten shumë ndërtime të tjera informale.
Problemi me legalizimet
Në raportin “Qeverisja në mbrojtjen e të drejtave mbi pronën e paluajtshme në Shqipëri: sfidë e vazhdueshme”, Banka thekson se jashtë procesit të legalizimeve mbeten me mijëra ndërtime informale. Ky numër i konsiderueshëm vetvetiu të bën të mendosh se qeveria nuk do t’i shembë, pasi tingëllon jorealist si veprim. “Po të supozojmë një shifër me rezerva prej 350 mijë ndërtimesh të paligjshme gjithsej, krahas 270 mijë pronave për të cilat është bërë kërkesa për legalizim, ka të paktën edhe 80 mijë prona që mbeten jo të ligjshme dhe jashtë procesit të legalizimit. Nuk është realiste të pritet që qeveria të shembë 80 000 (apo më shumë) ndërtesat që nuk janë tani të përfshira në procesin e legalizimit. Nuk është realiste të pritet që qeveria të shembë 80 mijë (apo më shumë) ndërtesa që nuk janë tani të përfshira në procesin e legalizimit”, thuhet në raportin e Bankës Botërore. Në këtë pikë, në rast se prishja nuk është zgjidhja e problemit, atëherë mbetet që të gjendet një tjetër mënyrë për t’i dhënë zgjidhje çështjes së këtij grupi ndërtimesh. Raporti i Bankës gjykon se qeveria mund të zbatojë një alternativë të sajën, por duhet të tregohet shumë e kujdesshme.
Zgjidhja
Për të gjitha ato ndërtime të mbetura jashtë procesit të legalizimit, për shkak të përcaktimeve kohore të sanksionuara në ligj, nuk duket e besueshme se qeveria mund të ndërmarrë një valë prishjesh. Në këtë kuadër, duke qenë se numri i tyre mendohet të jetë relativisht i lartë, qeveria mund të zbatojë një valë të re legalizimi, duke përfshirë këtë herë të gjitha këto ndërtime, por pikërisht këtu qëndron edhe një problem. Banka Botërore i druhet kësaj nisme, pasi te qytetarët mund të krijohet një kulturë e gabuar që gjatë gjithë kohës mund të ndërtosh pa leje dhe askush nuk do ndëshkohet, madje ky ndërtim do legalizohet. Në këtë pikë propozohet që qeveria të jetë korrekte me zbatimin e ligjit dhe të tregohet e ashpër nga momenti i valës së re të legalizimeve dhe në vijim. “Qeverisë mund t’i duhet të nisë një valë tjetër legalizimesh, çka duket se pritet edhe nga popullata. Mirëpo, një vendim i tillë do të rrezikonte të forconte shtysat për ndërtime dhe zaptime të paligjshme në të ardhmen, nëse popullata e interpreton këtë që do të thotë se do të vijë një ditë që aktivitete të tilla të formalizohen. Prandaj, do të jetë shumë e rëndësishme që qeveria të kujdeset që zbatimi i çdo vale të ardhshme legalizimi të shoqërohet me një program të besueshëm të zbatimit të detyrueshëm të legjislacionit ekzistues për kontrollet e ndërtimit dhe nga përpjekje të forta për ta ndaluar ndërtimin e paligjshëm përpara se të fillojë”, thuhet në raportin e BB. Kjo e fundit gjykon se në një farë mënyrë një valë e re legalizimesh mund të siguronte edhe disa para më shumë për ish-pronarët.

80 mije
vlerëson me përafërsi BB se mund të jetë numri i ndërtimeve informale që mbeten jashtë procesit të legalizimit, për shkak të kufijve kohorë që vendos ligji që zbatohet në vend.

270 mije
vlerësohet me përafërsi se është numri i ndërtimeve informale, të cilat përfitojnë nga ligji në fuqi, pasi janë ndërtuar para majit 2006 dhe kanë bërë kërkesë para 15 nëntorit të po këtij viti.

4.5 miliarde lekë
është shuma që duhet të dorëzojë pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ALUIZNI apo buxheti për të paguar kompensimin e kërkuar për 1300 dosje, të cilat janë përpunuar.

Raporti i BB për legalizimet
-Dispozitat për kompensimin e pronarëve të tokës së shpronësuar ekzistojnë, por tarifat që paguajnë kërkuesit e legalizimit janë më të vogla se shuma e nevojshme për kompensimin.

-Procesi i legalizimit ka ecur ngadalë, përkundër burimeve që i janë kushtuar.

-Procesi në vazhdim i legalizimit lë jashtë një numër të madh objektesh të ndërtuara në mënyrë informale. Ligji i legalizimit zbatohet vetëm për objektet e ndërtuara përpara muajit maj 2006 dhe për të cilat kërkesa është paraqitur brenda datës 15 nëntor 2006.

-Po të supozojmë një shifër me rezerva prej 350 000 ndërtimesh
të paligjshme gjithsej, krahas 270 592 pronave për të cilat është bërë kërkesa për legalizim, ka të paktën edhe 80 000 prona që mbeten jo të ligjshme dhe jashtë procesit të legalizimit.

– Të shikohet ideja e një vale tjetër legalizimesh, për të ulur numrin e madh të pronave që mbeten të paligjshme, por pa shpronësuar pronarët e mëparshëm (subjektet e kthimit) për të evituar stimujt e përsëritur për ndërtim dhe zënie të paligjshme të tokës.

-Çdo valë e re legalizimi do të duhet të shoqërohet me masa të besueshme të parandalimit të ndërtimeve të reja të paligjshme.

-Çështja e legalizimit po e polarizon popullatën, megjithëse asnjëra prej partive të mëdha politike nuk e ka vendosur në dyshim nevojën e tij.

-Subjektet e legalizimit nuk mund të fitojnë të drejta të qarta mbi pronësinë, nëse nuk kompensohen pronarët e shpronësuar. As procesi i legalizimit, as ai i kthimit dhe kompensimit nuk mund të përfundojnë menjëherë, pa zgjerimin e regjistrimit fillestar dhe pa përmirësimin e besueshmërisë së të dhënave të ZRPP-së.

Tarifat e legalizimit
Kompensimi i ish-pronarëve shihet si një problem i madh dhe për shkakun e të ardhurave që duhet të gjenerohen, në mënyrë që të përfundojë procesi. Kjo është pothuajse e pamundur të realizohet me të ardhurat që merren nga tarifat që paguajnë kërkuesit e legalizimit të ndërtimit informal, tarifa që shihen si të ulëta. “Dispozitat për kompensimin e pronarëve të tokës së shpronësuar ekzistojnë, por tarifat që paguajnë kërkuesit e legalizimit janë më të vogla se shuma e nevojshme për kompensimin”, thuhet në raport.

Përjashtimi nga legalizimi
Edhe pse një valë legalizimi shihet si një zgjidhje për ndërtesat infomale të mbetura jashtë procesit, Banka Botërore përcakton se edhe në këtë rast ka përjashtime. “Duhet thënë gjithashtu që jo të gjitha ndërtesat do të mund të legalizohen, duke qenë se disa prej tyre janë ndërtuar në zona të papërshtatshme për ndërtim, siç janë zonat e mbrojtura mjedisore, pikat e trashëgimisë kulturore dhe zonat që kanë risqe për sigurinë, si për shembull zonat ku ndodhin përmbytje”, përcakton raporti.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura