Raporti, Boshtinaru: Politika se ka kuptuar se çfarë ka humbur

Oct 13, 2011 | 17:55

Zëvendëskryetari i delegacionit për Evropën Juglindore, Viktor Boshtinaru është shprehur mjaft i ashpër me Shqipërinë pas refuzimit për të dytën herë rradhazi të statusit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Pas publikimit të raport- progresit, Boshtinaru gjatë një konference për shtyp është shprehur; “Kam frikë se klasa politike në pushtet në Shqipëri, nuk e ka kuptuar se sa ka humbur vendi dhe çdo shtetas shqiptarë. Ajo që më shqetëson është fakti se për shkak të disa politikanëve, të gjithë qytetarët shqiptarë po përballen me një të ardhme të pasigurtë. Nëse nuk do të ketë ndryshim të shpejtë, kam frikë se Komisioni Evropian në raportet e ardhshme do të jetë i detyruar të ndryshojë emrin, duke e shëndërruar atë në raport dështimesh, dhe jo raport-progresi”- tha Viktor Boshtinaru.

Boshtinaru është shprehur para gazetarëve se nuk është i befasuar nga përmbajtja e raportit, pasi në raport thuhet ajo që prej kohësh është artikuluar nga KE-ja.

“Unë shpresoj se qeveria shqiptare do të marrë parasysh vlerësimin e Komisionit, ata do të kuptojnë se rruga që kanë ndjekur deri tani është shumë larg së duhurës, ndaj kjo duhet të ndryshojë shumë shpejt. Bllokimi, Shqipërinë nuk do ta çojë askund. Berisha duhet ta kuptojë se shumica qeverisësë në një demokraci duhet të përfshijë edhe opozitën, veçanërisht për çështje kyçe siç janë reformat. Qytetarëve u duhet shpjeguar se pse kjo nuk ka ndodhur, duke bërë që vendi të humbasë dy vite rradhazi statusin”- theksoi Boshtinaru.

Victor Boshtinaru përfundoi duke shprehur shpresën e tij se Shqipëria mund të kapërcejë dallimet që e ndajnë atë nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Duke cituar Komisionin, ai theksoi përsëri se kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me opozitën, gjë e cila, për një kohë të gjatë ka munguar.

© Panorama.al

Te lidhura