Kur flitet sot për mbështetësit, tifozët, fansat ose thjesht simpatizantët e zotit Berisha, zakonisht kam dëgjuar të përdoret termi “berishianë”, kurse për ata të zotit Rama, nuk e kam hasur ndonjëherë termin “ramianë”. Arsyeja më duket e thjeshtë dhe shpjegohet, të paktën sipas meje, me faktin se emri “Rama” është dyrrokësh, pra, jo aq i gjatë sa duhet për t’u harmonizuar me prapashtesën “-ian”, çka nuk është rasti për emrin “Berisha”. Personalisht, meqenëse më është dukur një padrejtësi flagrante që mbështetësit, tifozët, fansat ose thjesht simpatizantët e zotit Rama të mbeten pa një emër karakteristik me prejardhje nga emri i Udhëheqësit të tyre të lavdishëm, gërmova në dijet e mia gjuhësore, sidomos në ato morfologjike, dhe zbulova se po t’i shtojmë emrit në fjalë mbaresën “-ist”, përftojmë termin “ramist”, i cili është i pranueshëm për veshin e shqiptarëve, qofshin ata të majtë, të djathtë, të qendrës apo të periferisë së sferës politike tek ne, madje po aq i pranueshëm sa termat “enverist”, “stalinist”, “puçist” etj., etj. Duke i shtyrë edhe më tej hulumtimet e mia gjuhësore, papritur zbulova se po t’i shtojmë emrit të udhëheqësit socialist shqiptar mbaresën “-esk”, përftojmë termin “ramesk”, që është i pranueshëm për veshin e shqiptarëve të sapopërmendur, madje po aq i pranueshëm sa termat “libresk”, “karnavalesk”, “grotesk” etj., etj. Këto kohët e fundit, sidomos pas ngjarjeve dramatike të 21 janarit, se si më erdhi ndër mend mbaresa “-oid” dhe, duke ia ngjitur atë emrit të kryetarit të Partisë Socialiste, përftova termin “ramoid”, sigurisht sipas modelit “human(us) + oid = humanoid” ose “andr(o) + oid = android”, dy terma këta që kanë kuptimin “robot me pamje ose tipare njerëzore” dhe që i përkasin si letërsisë fantastiko-shkencore, ashtu edhe robotikës, kësaj tërësie studimesh e teknikash që mundësojnë konceptimin dhe prodhimin e robotëve, sidomos në fushën e industrisë.
Në këtë pikë, e ndiej dhe jam i sigurt që lexuesi im i vëmendshëm e i paanshëm mund ta humbasë durimin dhe të hidhet e të më pyesë: “Po ku doni të dilni, zoti Tupja, sepse si shumë gjatë po e tirrni, apo jo?”. Po nxitoj, pra, t’i përgjigjem:
Sigurisht, të tre termat që përbëjnë titullin e këtij shkrimi nuk janë sinonime absolute të njëri-tjetrit; e thënë ndryshe, secili syresh dallohet prej tjetrit falë një ngjyrese të veçantë kuptimore. Kështu, të paktën sipas mendimit tim modest, me të cilin jam dakord, “ramist” quhet ai mbështetës, tifoz, fans ose thjesht simpatizant i zotit Rama që i përqafon me vetëdije të plotë idetë dhe veprimet e këtij, me gjithë ndonjë rezervë që mund të ketë, por duke u treguar gjithsesi i përmbajtur në entuziazmin e tij politik. Përsa i përket termit “ramesk”, gjithmonë sipas mendimit tim shumë modest me të cilin jam shumë dakord, ky term i përshtatet më së miri atyre socialistëve që bëhen qesharakë duke sajuar pseudoargumente e silogjizma për ta ngritur lart e më lart Udhëheqësin e tyre. Së fundi, përherë e më shumë sipas mendimit tim jashtëzakonisht modest me të cilin jam jashtëzakonisht dakord, termi “ramoid” karakterizon atë tip socialisti, i cili vepron si robot duke përsëritur papagallisht fjalët e zotit Rama, ose duke lexuar fjalimet që ia ka përgatitur ai, që imiton deri edhe intonacionin dhe gjestet e këtij, madje edhe mënyrën e tij sarkastike të të buzëqeshurit, por që dhunën gojore të Udhëheqësit e përkthen tejet besnikërisht në dhunë fizike sapo t’ia kërkojë Ai në vendin e kohën e caktuar.
Sidoqoftë, në mënyrë që lexuesi im i vëmendshëm e i paanshëm të mos mendojë se unë po i mbaj me hatër mbështetësit, tifozët, fansat ose thjesht simpatizantët e zotit Berisha duke mos u marrë fare me ata në këtë shkrim, çka në pamje të parë, por edhe të dytë e të tretë, mund të duket si një padrejtësi ndaj mbështetësve, tifozëve, fansave ose thjesht simpatizantëve të zotit Rama, po turrem ta siguroj atë që ditën kur zoti Berisha do të jetë në opozitë dhe kur mbështetësit, tifozët, fansat ose thjesht simpatizantët e tij do të dalin në demonstrata të dhunshme, burim aktesh të paligjshme dhe antikushtetuese, unë këtë analizë emrash do ta kthej ashpër, madje edhe më ashpër, kundër tyre!
© Panorama.al












