Nga Lezha, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se kryeministrit, Edi Rama i anuluan darkën në Strasburg.

Berisha tha se gjatë vizitës së tij në Strasburg, ai ndjeu turpërim të vërtetë kur u njoftua se “në tempullin më të vjetër të demokracisë evropiane, tempullin e vlerave, lirive dhe të drejtave të njeriut dhe zgjedhjeve të lira, Edi Ramës ia kishin pezulluar darkën”.
Berisha: Unë sot në mëngjes u nisa nga kryeqyteti i Europës, Strasburgu, drejt Lezhës dhe nuk mund të mos ju përcjell ju, përshëndetjet për të përzemërta të grupit të Partive Popullore Europiane në Këshillin e Europës, Asamblenë Parlamentare, të grupit të Demokratëve dhe Konservatorëve të cilët sytë dhe mendjen i kanë të drejtuar tek fitorja e opozitës në Shqipëri, tek mbizotërimi i saj ndaj narkoshtetit dhe shpëtimi i Shqipërisë.
Miq, u ktheva shumë mirënjohës, u ktheva realisht optimist dhe i sigurtë se mbështetja e miqve tanë është më e madhe se kurrë.
Por dua të ju them këtu se pata dhe një ndjenjë turpërimi të vërtetë, pasi në tempullin më të vjetër të demokracisë evropiane, tempullin e vlerave, lirive dhe të drejtave të njeriut dhe zgjedhjeve të lira, Edi Ramës ia kishin pezulluar darkën. Po.
Duke u bërë kështu, i pari mysafir i ftuar që i anulohej darka. Megjithatë ju garantoj se respekti për Shqipërinë dhe shqiptarët, mbështetja e parlamentarëve të grupeve të qendrës së djathtë dhe konservator është e jashtëzakonshme dhe unë aty përfaqësova secilin prej jush, përfaqësova vullnetin tuaj. Vetëkuptohet përfaqësova çdo shqiptar që di të sillet si shqiptar dhe nuk detyron mikëpritësin të ja plasin derën në fytyrë.
© Panorama.al











