Rama tregon faturat: Sa do ulen çmimet nëse hiqet TVSH

Oct 27, 2011 | 10:56

Edi Rama

“Ekonomia në rrokullimë, ndërsa Fullani është në ngjitje”

Kryesocialisti gjeti një mënyrë tjetër komunikimi dje me publikun në blogun e tij. Dje, Rama tregoi në mënyrë të detajuar dhe me tabela se çfarë efektesh do të ketë për xhepin e shqiptarëve ulja e TVSH për ushqimet bazë. Në blog-un e tij, www.edirama.al, në të cilin kryesocialisti ka hedhur editorialet, fjalimet dhe takimet e tij që prej disa muajsh, shfaqi me grafik dhe me shembuj konkretë çmimet që do të kenë artikujt kryesorë ushqimorë në vend, nëse TVSH për to do të ulet nga qeveria. Po dje, kryesocialisti në Twitter, menjëherë pas deklaratave të bëra nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, vendosi një koment të tij, duke shprehur rrezikun në të cilin ndodhet ekonomia shqiptare. “Ekonomia shqiptare në rrokullimë, ndërsa guvernatori Fullani është në ngjitje. Ekonomia paraqet shenja të sigurta rreziku, të paralajmëruara edhe nga FMN-ja”, u shpreh kryesocialisti në profilin e tij në Twitter.
TVSH
Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend një draft për uljen e TVSH për artikujt kryesorë ushqimorë. Dje, kryesocialisti për ta bërë sa më të prekshëm dhe më konkrete peshën financiare që shqiptarët do të përfitojnë nga kjo ulje, paraqiti shembuj konkretë në shifra. Në një paraqitje grafike ilustrohen çmimet aktuale të disa artikujve bazë ushqimore dhe ulja e këtyre çmimeve, nëse merret parasysh propozimi i socialistëve për heqjen e TVSH-së në vlerë 20% ose përgjysmimin e saj. Rama thotë se “Këto propozime janë pjesë e paktit qytetar të 8 majit dhe, ashtu sikurse ishte premtuar, do ngrihej me forcë nga PS-ja në opozitë, por do të bëhet realitet kur PS të jetë në qeverisje”. Më konkretisht, PS propozon që çmimi i 1 kg mielli, i cili me TVSH në treg kushton 100 lekë, me heqjen e kësaj takse, 1 kg miell të shitet në treg 83 lekë, pra 17 lekë më pak sesa shitet tani. PS propozon që buka masive 650-gramëshe me heqjen e TVSH-së të shitet në treg 75 lekë, nga 90 lekë që shitet aktualisht. 1.5 litra qumësht me heqjen e TVSH-së të shiten në treg 100 lekë, nga 120 lekë që shitet aktualisht. Kurse 10 kokrra vezë të shiten në treg 100 lekë, nga 120 që shiten me gjithë TVSH. Për këta 4 artikuj miell, bukë, qumësht dhe vezë, PS propozon heqjen e TVSH, kurse për artikujt e tjerë, si: vaji, sheqeri dhe orizi, PS propozon përgjysmimin e TVSH-së. Me përgjysmimin e TVSH-së, 1 litër vaj nga 235 lekë që është aktualisht, do të shitet 215 lekë. Një kg sheqer nga 145 lekë, do shitet 133 lekë dhe një kg oriz nga 166 lekë, do shitet 152 lekë. Por maxhoranca i ka cilësuar këto propozime të socialistëve populiste dhe jo realiste, pasi sipas saj heqja e TVSH nuk do ndikonte në uljen e çmimit të artikujve ushqimorë.
Anëtari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, deklaroi se ulja e TVSH-së për produktet e konsumit nuk shihet aspak si një zgjidhje, pasi nuk do të ulte koston e tyre. “Ulja e TVSH-së që propozohet nga PS-ja, është vetëm një politikë populiste dhe me prapaskena politike”, tha Shehu. Në këtë drejtim, ai shtoi se nuk ka mekanizëm që tregon se efekti i uljes së TVSH-së shndërrohet në ulje të çmimeve të mallrave të konsumit për konsumatorët. “Në këtë situatë, në mënyrë të natyrshme dalim në konkluzionin se kjo nuk është taksë për të favorizuar qytetarët, por tregtarët”, nënvizoi ai.

83 lekë propozon PS të jetë çmimi i 1 kg mielli pas heqjes së TVSH, nga 100 lekë që kushton sot, pra 17 lekë më pak

75 lekë të shitet buka masive 650-gramëshe, nga 90 lekë që shitet aktualisht me TVSH

100 lekë propozohet të bëhet çmimi i 1.5 litrave qumësht, nga 120 lekë që shitet aktualisht. Heqja e TVSH do ta bëjë 20 lekë më të lirë

Ulja e çmimeve pas heqjes se TVSH-se, sipas Rames

PS p/ligj për heqjen e TVSH
Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend draft-propozimin për tatimin e vlerës së shtuar (TVSH). PS propozon që ilaçet të përjashtohen nga TVSH dhe të mos tatohen produktet e grurit. “Propozimi i Grupit Parlamentar të PS është një përpjekje serioze për të rritur efikasitetin e administratës tatimore, uljen e evazionit të madh fiskal dhe mundësimin e luftës ndaj korrupsionit, me qëllim dhe në funksion të rritjes së konsumit dhe uljes së varfërisë në vend”, thuhet në propozimin e PS. Nevojat për mallrat vaj, sheqer, oriz plotësohen të gjitha nga importi dhe përgjysmimi i TVSH-së për këto mallra do të sillte një efekt në buxhetin e shtetit jo më të madh se 1,8 mld lekë. Ndërsa tatimi me 0% TVSH i grurit, miellit, bukës, qumështit dhe vezëve do të ketë një efekt jo më shumë se 1,9 mld lekë.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura