Rama: Të nisin reformat. Gjoba mafioze mbi PS

Nov 15, 2011 | 13:50

TIRANE- Kreu i PS-së, vlerësoi si hap pozitiv arritjen e konsensusit për tre nga 10 pikat e paktit të propozuar më herët nga PS dhe bëri apel për nisjen e punës për reformat, sipas nje axhende te percaktuar.

Duke folur në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PS-së, Rama deklaroi se duhet kryer reformë zgjedhore deri në fund të marsit me një proces transparent dhe të hapur, duhet të kryhet reforma parlamentare brenda katër muajsh, me qëllim kthimin e Kuvendit, në një institucion me standarde evropiane dhe duhet të kryhet reforma shtetndërtuese përmes ligjeve që kërkojnë tre të pestat, duke garantuar se PS do të japë të gjithë kontributin e saj.

Ai theksoi se duhet ngritur një komision ad hock për Avokatin e  Popullit. “Ky komision të hartojë një ftesë publike për të gjithë ata persona që e shohin veten të aftë për të kryer këtë funksion të rëndësishëm. Komisioni duhet të përgatisë brenda 30 ditësh një raport dhe një propozim konkret në grupin parlamentar për kandidaturën e Avokatit të Popullit”, tha Rama.

Në fjalën e tij Rama është ndaluar në reformën e domosdoshme në drejtësi. Ai akuzoi drejtësinë për vendime, sipas tij, të njëanshme për paditë që 9 deputetë socialistë kanë depozituar gjatë këtyre muajve ndaj kryeministrit Berisha apo deputetëve të djathtë të përfshirë në korrupsion.

“Por cilët janë gjyqtarët që japin vendime për llogari të Saliut, duke ndëshkuar me gjoba si të mafies deputetë të opozitës? Një gjë u them: E vërteta njësoj si e drejta, vonon por nuk harron. Bëni mirë të mos harroni që toga e zeza që vishni, nuk do t’ju mbrojë gjithë jetën, sepse drejtësia në Shqipëria do të vihet në një ditë jo shumë të largët. Ato gjoba mafioze gjykatësish, janë për të gjithë opozitën. Askush nuk e blen dot heshtjen tonë, jemi solidarë 100% me 9 deputetët që janë përzgjedhur nga shtëpia e Saliut për tu gjobitur nga gjykatësit”, tha Rama.

Kreu i PS-se ka akuzuar qeverine se prej kohesh po e trajton me verberi krizen e ekonomike, duke theksuar se ate gjithnje e me shume po e vuajne familjet shqiptare. Ai ka bere apel per veprime te pergjegjshme e me shpejtesi per ndaljen e asaj qe ai e ka cilesuar ‘rrokopujen drejt se ciles po shkon vendi’.

© Panorama.al

Te lidhura