Rama: Ta nisim me Drejtësinë dhe reformën zgjedhore

Oct 11, 2011 | 10:34
Rama dje gjate mbleshjes se grupit parlamentar te PS

Kryetari i Partisë Socialiste i kërkoi dje Kryeministrit Berisha të shprehet në mënyrë të detajuar për 10 pikat e paktit të tij për integrimin.  Duke e ndarë paktin në disa çështje dhe duke vendosur afate kohore për çdo çështje, Rama hoqi dorë nga kërkesa që kundërshtari i tij politik të pranojë paktin “në bllok” dhe i kërkoi Berishës të pranojë nisjen e punës me reformën në Drejtësi. “T’i japim Komisionit të Ligjeve një axhendë reformash. Po të doni e vendosim Gjykatën Administrative dhe reformën e sistemit të Drejtësisë në pikën e parë të axhendës. Dhe të mos harrojmë se ka një sërë ligjesh që duhen miratuar në këtë kuadër. Këshilli i Lartë i Drejtësisë do një ligj. Konferenca Gjyqësore do një ligj. E me radhë. Ne jemi gati. Jemi plotësisht të qartë çfarë duhet të bëjmë së bashku, siç jemi të bindur se kuadri i reformës në Drejtësi, ku hyn edhe Gjykata Administrative, kërkon harmonizim me Kushtetutën. Saliu duhet ta thotë publikisht, do apo nuk do që deri në maj të kemi mbyllur një proces që zvarritet pa asnjë justifikim të mëtejshëm?”, u shpreh Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist. Kryesocialisti u shpreh i gatshëm që reforma për Drejtësinë të nisë sa më shpejt, duke kërkuar nga Kryeministri të pranojë nisjen sa më shpejt të saj. “Demokracia është sistemi i opozitës, jo ekskluziviteti i qeverisë. Nëse do, ne jemi gati. Që këtë javë. Nëse nuk do, shqiptarët le të gjykojnë. Ndërkohë Saliu nuk po na thotë ende, publikisht, i qëndron apo nuk i qëndron premtimit të bërë dy vjet rresht, sa mbi foltoren e Kuvendit e sa nga monologët e rrugicave e çezmave të fshatit, që do të pranonte çdo propozim të opozitës për reformën zgjedhore?”, u shpreh Rama para deputetëve të tij. Kreu i PS kërkoi nisjen sa më parë nga puna për reformën zgjedhore, duke komentuar dhe deklaratën e kreut të Ekzekutivit për ndërmjetësimin e OSBE-së në të. “Do apo s’do Saliu që ta mbajë këtë premtim dhe të fillojmë menjëherë punën për reformën zgjedhore? Unë them nuk do. Sot i rikërkoj publikisht që të shprehet, jo duke folur sikur ka arrore në gojë, po duke thënë copë: Do apo nuk do? Ne duam të fillojmë punën menjëherë për reformën zgjedhore dhe duam ta përfundojmë në mars. Që qeveria të ketë kohë të marrë të gjitha masat për infrastrukturën e zgjedhjeve. Po Saliu do? Do apo nuk do që të fillojmë menjëherë nga puna dhe ta përfundojmë reformën zgjedhore në mars? E dyta, a është dakord që të angazhohet, publikisht, para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar, që reforma të mbyllet në mars? Unë them Saliu s’do as njërën, as tjetrën”, u shpreh Rama.
Kreu i PS i kërkoi Kryeministrit nisjen nga puna dhe për reformën parlamentare. “Sa i takon reformës parlamentare, jo vetëm jemi plotësisht dakord t’i referohemi Rregullores së funksionimit të Parlamentit Europian, po tanimë një grup i drejtuar nga Ditmir Bushati ka nisur punën për të formuluar kontributin tonë konkret, me referencë institucionin e Parlamentit Europian, si edhe disa parlamente të vendeve të Europës së Bashkuar. Do apo nuk do Saliu që deri në dhjetor të ndryshojmë rrënjësisht funksionimin e Parlamentit?”, u shpreh Rama në përfundim të fjalës së tij para deputetëve socialistë.

Taksat
Kryesocialisti tha dje se kur PS të vijë në pushtet do të heqë taksat për ushqimet dhe ilaçet. “Ne do ta heqim TVSH-në për bukën, qumështin, vezët e ilaçet dhe do ta përgjysmojmë për gjithë bazën ushqimore të familjes shqiptare”, u shpreh Rama.

PD-PS, dështon rezoluta për pensionistët
Kompromisi ndërmjet maxhorancës dhe opozitës mbetet ende larg. Shumica dhe opozita debatuan dje në Komisionin për Punën dhe Çështjet Sociale lidhur me pensionin për moshat e treta, ku dy palët nuk arritën të gjenin gjuhën e përbashkët për miratimin e një projektrezolute të përbashkët. Në emër të demokratëve, zëvendës-kryetari i Komisionit, Tritan Shehu, propozoi hartimin e një projektrezolute që do të shënonte edhe një bashkëpunim të ri ndërmjet dy palëve. “Dua ta bëjmë një rezolutë të përbashkët midis të majtëve dhe së djathtës në Parlamentin shqiptar. Le të jetë kjo një frymë e re bashkëpunimi në Parlamentin shqiptar midis maxhorancës dhe opozitës. Pra unë e bëra këtë në emër të maxhorancës”, theksoi deputeti Shehu. Por, opozita hodhi poshtë projektrezolutën për moshën e tretë, duke e kushtëzuar me pranimin e paktit prej dhjetë pikash ndërmjet dy palëve, të propozuar nga opozita. Duke e cilësuar propagandistike propozimin, kryetari i Komisionit, Ethem Ruka, u shpreh se demokratët duhet të pranojnë më parë paketën e propozimeve të socialistëve për t’i dhënë fund krizës politike. “Ne mund ta hedhin edhe në votë që s’jemi dakord me këtë projektrezolutë, sepse ajo ka karakter propagandistik përballë të gjitha problemeve të rënda. Nëse është fjala për një marrëveshje ose shenjë bashkëpunimi ndërmjet opozitës dhe pozitës, kemi një pakt me dhjetë pika, i cili i hap rrugë këtij bashkëpunimi. Jepini atij përgjigje dhe ne do të japim përgjigje për çdo lloj bashkëpunimi”, u shpreh deputeti socialist Ruka. Refuzimi nga socialistët u cilësua nga demokratët vijim i linjës së bllokimit të institucioneve. “Është nxitëse edhe për zgjidhjen e çështjeve në tërësi. Fatkeqësisht, opozita e ngurtësuar në një politikë jobashkëpunuese dhe sot nuk pranoi që së bashku të bëjmë rezolutën. Ne si maxhorancë i kemi të gjithë numrat, por nuk do ishte produktive”, tha Shehu. Pavarësisht rikthimit në Kuvend, socialistët ende nuk kanë dhënë votat e tyre për miratimin e ligjeve të maxhorancës, duke e kushtëzuar atë me ndryshimin e rregullores, nisjen e reformës zgjedhore, si dhe me ndryshimet kushtetuese. Maxhoranca nga ana e saj, ka kundërshtuar ndryshimet kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit, duke akuzuar opozitën për bllokim të reformave dhe të proceseve integruese.       l.t

Grupi i punës
Zëvendëskryetari i Komisionit, Tritan Shehu, propozoi që në hartimin e punës të marrin pjesë dy prej anëtarëve të këtij Komisioni, Eglantina Gjermenji për opozitën dhe Kosta Barka si përfaqësues i maxhorancës. Grupi i përbashkët i punës, së bashku me institucionet qendrore dhe shoqërinë civile, do të përgatisnin një projekt-rezolutë në të cilën të evidentohen arritjet dhe ndërhyrjet e nevojshme që do t’i propozoheshin qeverisë për përmirësimin e jetës së moshës së tretë. Edhe pse socialistët u shprehën në mbështetje të përmirësimit të kushteve të pensionistëve, ata refuzuan pjesëmarrjen në grupin e punës.

Rama: Deputetët të mos lëvizin nga salla
Kreu socialist, Edi Rama, u ka kërkuar deputetëve socialistë një disiplinë më të fortë parlamentare. Duke marrë shkas nga seancat e fundit parlamentare, kur deputetë të PS kishin kërkuar interpelanca me Kryeministrin Berisha dhe ministrat e qeverisë, shumë deputetë socialistë nuk qëndronin në sallë, por përkundrazi, vendosnin kartën e prezencës dhe largoheshin nga salla. Si Rama, edhe kreu i Grupit kanë kërkuar më shumë seriozitet në detyrimet që deputetët duhet të kenë gjatë seancave parlamentare. Gjithashtu ata kanë kërkuar që dhe gjatë votimeve, deputetët duhet të jenë prezentë në sallë, pavarësisht vendimit të marrë si grup për votimin.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura