
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi dje kandidaten e selisë rozë për Minibashkinë Nr. 1 në Tiranë, Lindita Nikolli.Kreu i opozitës akuzoi qeverinë se gjatë katër viteve ka tentuar të bllokojë punën e Bashkisë së Tiranës, teksa i kërkoi kryeministrit Berisha të japë llogari për çmimet e larta të ushqimeve, vrasjet dhe inflacionin. “Na e lanë Tiranën si mos o zot më keq, me një Këshill Bashkiak që mblidhej nëpër restorante, dhe sot kanë nxjerrë një kukull të Saliut për të kërkuar një votë të cilën Tirana s’do t’ua japë kurrë atyre që i bllokuan dhunshëm Këshillin Bashkiak, sepse duan ta marrin peng siç kanë marrë Shqipërinë. Ta harrojnë Tiranën, ajo do të rinisë të vrapojë drejt së ardhmes me të gjithë forcën e ambicies së qytetarëve të saj pa dallim, sapo të ketë Këshillin Bashkiak ku Saliu s’do të ketë më fuqinë bllokuese që i dha Iliri duke u bashkuar me të për bllokun e punëve të zeza”,- theksoi kreu socialist. Teksa prezantoi kandidaten e opozitës për Njësinë Nr. 1, Lindita Nikolla, e cila kërkon një mandat tjetër katërvjeçar, kreu i opozitës vlerësoi punën e saj gjatë katër viteve që po mbyllen. Sipas Ramës “Lindita është Tirana që duam. Jam krenar sot që katër vjet pas zgjedhjes së saj të kthehem në këtë fushë për t’i thënë banorëve të Ali Demit dhe të Shkozës që me 8 maj votoni për veten, duke votuar për Linditën. Lindita është Tirana që duam, puna e saj i bën qytetarët e këtij komuniteti të besojnë tek e nesërmja. Dera e saj e hapur është e vetmja rrugë për Njësinë Bashkiake Nr. 1. Në një fushatë elektorale kërkohen fjalët më të mëdha. Lindita është fjala më e mirë dhe lëvdata jonë më e madhe për komunitetin e kësaj njësie gjatë 4 viteve dhe është premtimi ynë më i fortë”. Në përfundim të fjalës së tij, kryetari i Partisë Socialiste tha se kandidatët e opozitës janë përballë politikës së vjetër. Sipas Ramës, vota për PS-në në 8 maj është votë për t’i thënë kurrë më kryeministrit Berisha. “Kurrë më një pushtet që mbron Kryeministrin e ministrat nga drejtësia dhe një drejtësi që s’i jep qytetarit të drejtën që i njeh ligji. Kurrë më mungesë konkurrence në treg dhe monopole që zhvillohen nën sqetullën e Kryeministrit për përfitime të paligjshme. Kurrë më trysni mbi median e kapje të saj përmes pushtetit të dhunës e të parave të pista. Kurrë më flakje nga puna e qytetarëve për arsye politike dhe kurrë më presion psikologjik mbi nëpunësit e shtetit, mbi mësuesit, mjekët, policët, për të kushtëzuar mendimin e tyre, lirinë e tyre si njerëz, të drejtën e tyre si zgjedhës”, theksoi më tej kreu i PS-së.
Nikolli: Basha e njeh pak Tiranën
Në prezantimin për një tjetër mandat në Njësinë 1, kandidatja Lindita Nikolli akuzoi Lulzim Bashën se e njeh shumë pak Tiranën. “Kam hyrë në çdo zemër të qytetarit dhe nuk do shkulem nga aty për ta ndryshuar njësinë tonë dhe për t’u bërë pjesë e ndryshimit. Gjatë katër vjetëve jemi përballur me pushtet të pamoralshëm. A e shihni Lulin e Saliut i cili vjen vërdalllë për të na treguar se sa shumë pak e njeh Tiranën?”, tha Nikolli.
“PD kopjoi keq programin tonë”
“Në vend që të bëjnë premtime mashtruese, me idera të kopjuara keq nga programi ynë i zhvillimit, duhet t’u japin llogari qytetarëve të Tiranës për keqqeverisjen e tyre. Për faturat e papërballueshme. Për çmimet e papërmbajtshme. Për taksën e pamëshirshme të inflacionit që ua merr si era qytetarëve lekët nga xhepi, sapo Saliu u thotë se u rriti rrogën a pensionin”, u shpreh Rama, gjatë takimit të djeshëm elektoral në Njësinë Bashkiake Nr. 1.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











