Rama sulmon mijëra qytetarët që dalin në shesh: Nuk është më protestë, por skenë! Me PS-në nuk fitohet duke dalë me lugën e ndryshkur në tregun e karrierave të humbura!

Jun 20, 2026 | 12:08

Kryeministri Edi Rama ka vijuar sulmet ndaj protestuesve që prej javësh janë mbledhur në Tiranë kundër qeverisë së tij, duke e cilësuar tubimin një fenomen të nxitur nga rrjetet sociale dhe kërkesa për vëmendje.

Gjatë mbledhjes me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se sipas tij protesta është kthyer në një “skenë” ku shpërblehen deklaratat dhe postimet më të forta.

Rama komentoi edhe te personat që sipas tij synojnë të ndërtojnë karrierë përmes protestave, duke i cilësuar si “më qesharakët”.

“Ai që do të bëjë postimin më të fortë, që do të shpallë katastrofën më të afërt, ai që do të lajmërojë ndëshkimin më të egër, ai shpërblehet nga algoritmi. Dhe një protestë nuk është më protestë, është skenë. Është treg. Një treg emocionesh, klikimesh, një treg morali, madje edhe një treg karrierash.

Po në gjithë këtë, ata të karrierave janë më qesharakët. Janë qesharakë sepse nuk e kanë marrë vesh akoma që me Partinë Socialiste dhe me ne, nuk fitohet duke dalë me lugën e ndryshkur në tregun e karrierave të humbura”, tha Rama.

© Panorama.al

Te lidhura