
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ftoi dje në një drekë pune disa nga krerët e partive opozitare. Në mesditë, në restorant “Austria”, që ndodhet ngjitur selisë rozë, kanë mbërritur kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi dhe kreu i PSV 91, Petro Koçi. Ra në sy dje prania në këtë takim e kryetarit të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i cili kishte munguar në takimet e mëparshme. Dule nuk ka dashur të komentojë mungesat e mëparshme të tij, duke e justifikuar atë me angazhimet partiake jashtë Tiranës. Në drekën e djeshme mungonte një pjesë tjetër e aleatëve, si kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, drejtuesi i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka dhe ai i Demokracisë Sociale, Paskal Milo. Është hera e dytë radhazi në një takim të tillë informal që nuk ftohet Milo. I kontaktuar në telefon, Milo u shpreh se “nuk ka marrë njoftim për këtë takim të kreut të PS-së me homologët e tjerë opozitarë”. Duket se ky qëndrim ndaj Milos vjen pas kritikave që ai ka adresuar ndaj Partisë Socialiste dhe lidershipit të saj lidhur me sjelljen e tyre ndaj partive aleate, kërkesave dhe bashkëpunimit që duhet vendosur. Takimi i djeshëm ka zgjatur rreth 2 orë, ndërsa në përfundim të tij, koordinatori i Opozitës së Bashkuar, Preç Zogaj, pjesëmarrës në këtë takim, tha se javën e ardhshme do të ketë një tryezë zyrtare, e cila do të vendosë rreth qëndrimit të partive opozitare ndaj disa çështjeve. “Në këtë takim informal të radhës diskutuam sërish për situatën politike. Doja të njoftoja se ditën e martë do të mblidhet tryeza zyrtare e Opozitës së Bashkuar, e cila do të diskutojë disa çështje. Do të diskutojë së pari për kryeproblemin e integrimit, pas publikimit të raport-progresit të BE-së, qëndrimi i opozitës dhe propozimet e opozitës”, u shpreh Zogaj.
pakti
Për koordinatorin e opozitës, takimi i javës së ardhshme do të përcaktojë një qëndrim të opozitës dhe rreth paktit për integrim, të propozuar nga Edi Rama. “Tryeza e javës së ardhshme do të diskutojë dhe do të bëjë një sintezë për paktin e integrimit që ka ofruar opozita, si po shkon, si është pritur nga qeveria dhe si do të pritet në të ardhmen. Do të miratojmë, besojmë, po në këtë mbledhje, një kuadër parimesh për reformën zgjedhore, për të cilën ka punuar grupi i punës, që siç e dini, është ngritur para dy javësh”, u shpreh Zogaj.
Reforma Zgjedhore, Vasilika Hysi: Maxhorancës i mungon vullneti
Opozita është e interesuar për një reformë zgjedhore të thellë dhe të matur. Negociatorja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, tha dje se reforma duhet të kishte nisur me qëllim që të përfundonte deri në muajin mars. “Ne kemi respektuar heshtjen, meqë është periudhë negociatash, por ajo që është kërkuar janë përmbushja e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. E rëndësishme është se duhet të zgjidhim të gjitha problemet dhe kryesisht ato të zgjedhjeve vendore. Dhe ajo që është shumë e rëndësishme, është se ne duhet të bëjmë një reformë të plotë zgjedhore të mirëmenduar dhe aspak të nxituar. Kjo është arsyeja që ne kemi kërkuar që kjo reformë të fillojë dhe të mbarojë deri në muajin mars”, tha Hysi në intervistën për TV News24.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











