Rama: Saliun e pres në debat para shqiptarëve

Oct 3, 2011 | 13:03
Edi Rama

Kryetari socialist, Edi Rama, menjëherë pas deklaratës së ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu dhe ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Volfarth, reagoi në blogun e vet në internet. Në përgjigje të sugjerimit të diplomatit amerikan për një takim privat me Berishën, Rama tha se privatisht takohet vetëm me miq, ndërsa theksoi se “Saliun e pret vetëm në debat para shqiptarëve”. Pritet që sot të ketë një reagim dhe përgjigje nga kreu i maxhorancës Berisha ndaj ftesës që Rama i bëri për një debat publik mes tyre. Përmes një shkrimi në formë editoriali, i teti në vazhdën e rikthimit të tij në publicistikë, Rama kërkoi për herë të parë një përballje publike me Kryeministrin për paktin me 10 pika të kryesocialistit, por dhe situatën politike dhe ekonomike në vend. “Është koha kur Shqipërisë në udhëkryq i duhet një debat publik, ku Saliu dhe unë duhet të dalim të dy para shqiptarëve që përfaqësojmë dhe të ballafaqojmë ato që ata i dëgjojnë prej nesh veç e veç. Le të vijë e të m’i thotë në sy ato që flet gojështhurur lart e poshtë për bllokimin e vizave, bllokimin e integrimit, bllokimin e reformave dhe le ta debatojmë para shqiptarëve ofertën tonë, pikë për pikë, nga 1-shi tek 10. Le të vijë e të m’i tregojë në sy para opinionit publik po të dojë të gjitha arritjet historike të demokracisë, drejtësisë, ekonomisë, nën udhëheqjen e vet legjendare dhe ta debatojmë para shqiptarëve se sa të lumtur i ka bërë njerëzit qeveria e tij në këta gjashtë vjet. Le të vijë e ta bëjë publike përballë meje kundërofertën e tij, natyrisht nëse e ka një të tillë, për të kërkuar mirëkuptimin e opozitës që të mbushen gropat e thella që Shqipëria ka përpara në rrugën e integrimit. Jam gati të mbroj ofertën tonë, të tregoj me prova, fakte, shifra të vërtetën e keqqeverisjes së këtyre gjashtë vjetëve, të dëgjoj me vëmendje të plotë kundërofertën, nëse kjo ekziston. Shqiptarët pastaj le të na dëgjojnë e gjykojnë”, shprehet Rama në editorialin e tij.

© Panorama.al

Te lidhura