Rama: Saliu, si drejtor komunaleje

Apr 22, 2011 | 10:28

Nisi me incidente mitingu i Partisë Socialiste në qytetin e Shijakut.Pak para fillimit të tij, dy makina me flamuj të Partisë Demokratike kanë kaluar pranë demonstruesve socialistë duke bërë thirrje të ndryshme në favor të forcës së tyre politike dhe kundër atyre të opozitës. E menjëhershme ishte përgjigja që i dhanë mbështetësit e Partisë Socialiste, duke u përplasur me shkopinjtë e flamurëve që mbanin në duar. Përleshja që ka zgjatur disa minuta, të cilat dhe pse ndërhynë me vonesë arritën të shmangnin përshkallëzimin e tensionit. Ka gjetur të papërgatitura forcat e rendit, të cilat për shkak të numrit të kufizuar të uniformave blu nuk kanë mundur të shmangin përplasjen e ashpër mes dy grupimeve. Sherri ka përfunduar pas largimit në drejtime të ndryshme të dy makinave të mbështetësve të Partisë Demokratike. Teksa ky incident ka ndikuar jo pak në prezantimin e kandidatit të PS-së në Shijak, Indrit Buka. Në këtë situatë, kreu socialist ka ecur në hyrje të Shijakut në këmbë për të takuar banorët, ndërsa ka mbajtur një fjalim fare të shkurtër, duke akuzuar kryeministrin Berisha se po pret shirita inaugurimi.  “Kryeministri Berisha është shndërruar në një drejtor komunaleje, që po sorollatet në Shqipëri dhe krenohet për kanale ujësjellësash dhe rrugë”, u shpreh Rama. Ndërsa ka ftuar qytetarët e Shijakut të mbështesin Indrit Bukën, Rama i është referuar sportit me të cilin merret Buka dhe ish-deputeti socialist Agron Duka me argumentin se “ata formojnë një ekip të mirë jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në zhvillimin qytetit”.
Tiranë
Kreu socialist ishte dje pasdite në Njësinë Nr.2 në Tiranë, ku prezantoi kandidatin socialist Artemon Cukalla. Rama premtoi se do të vazhdojnë projektet për një Tiranë europiane, ku shtohen rrugët, shkollat, parqet e gjelbërimi, linjat e reja të transportit. “Tiranën e duam si vendin ku realizohen ëndrrat e atyre që vijnë nga familjet e vjetra tiranase dhe atyre që kanë ardhur në Tiranë, siç shkohej dikur në Amerikë për më shumë mirëqenie. Për këtë ëndërr punojmë të gjithë. Që të ndjehemi krenarë që jetojmë në Tiranë”, tha Rama. Në 8 maj, sipas Ramës, qytetarët do të vendosin për të ndryshuar politikën kombëtare mbi territorin, do të jenë ata vendimmarrësit që s’do të lejojnë që qyteti të betonizohet, të kërpudhëzohet ashtu siç ndodh në Kashar, Kamzë e Paskuqan ku qeveris Saliu. “Përditë shkatërrohen potencialet më të rëndësishme të këtij territori. Shiheni si ngrihen pallate jashtë çdo norme, në Kashar, Paskuqan e Kamzë, janë modeli i menaxhimit të territorit të Saliut, modeli i kërpudhëzimit, i barbarizimit. E për të shkuar më tej në Fushë-Krujë, Krujë e Durrës, ku po shkatërrohen ullishtet e pemët për të ngritur male me pallate”. Kjo ndodh, tha Rama, “sepse ata që qeverisin sot janë shumë larg rrugës së zhvillimit”. Duke e cilësuar ditën e 8 majit si ditën kur do të merret një vendim me rëndësi kombëtare, Rama nënvizoi edhe njëherë idenë e tij se zgjedhjet e 8 majit janë tërësisht politike. “Të gjithë qytetarët ta shohin 8 majin si ditën ku do të marrin pjesë në një vendimmarrje të rëndësishme, pasi ato janë zgjedhje krejtësisht politike, jo thjesht pse janë vjedhur votat e opozitës, janë politike sepse do të zgjedhin kryetarët e njësive vendore që do të qeverisin qytetarin”, tha Rama.

Vëzhguesit vendorë: Dënojmë incidentet

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë deklaruan dje se incidentet e ndodhura gjatë kësaj fushate zgjedhore kanë shkaktuar një klimë të lartë tensioni dhe frikë për ecurinë e fushatës. Nëpërmjet një deklarate për mediat, vëzhguesit vendorë i kanë dënuar incidentet dhe personat e përfshirë në to. Ky koalicion u ka kërkuar qytetarëve që të mbajnë qëndrim ndaj kandidatëve apo partive politike, të cilat mbështesin dhe nxisin aktet e dhunës, duke apeluar për një proces sa më normal elektoral. Në vëzhgimin e bërë prej tyre vihet re politizimi me dhe pa shkak i incidenteve, në një kohë kur vihen re edhe raste dhe faktor të tjerë që pengojnë funksionimin e rregullt të procesit zgjedhor. Koalicioni i tërheq vëmendjen, në veçanti, kandidatëve apo degëve lokale të tre partive kryesore, PD-së, PS-së e LSI-së, të heqin dorë nga trajtimi i kësaj gare elektorale administrative si një betejë për luftë a vdekje dhe të japin mesazhe prosperiteti dhe bashkëpunimi.

 

Shijak/Leonidha Musai

© Panorama.al

Te lidhura