Rama: S’ka dialog me vjedhësin e zgjedhjeve

Jul 13, 2011 | 15:18

TIRANË- “Me pushtetin e vjedhur që grabiti edhe zgjedhjet në Tiranë, që manipulon cdo gjyq, që kërcënon prokurorinë për cdo akuzë mbi fakte, që burgos demonstrues dhe dekoron ata që vranë më pushkë, nuk ka sot për sot asnjë lloj dialogu të mundshëm”. Kështu është shprehur sot kreu i PS-së, Edi Rama gjatë një deklarate për mediat, duke i bërë apel ndërkomëbtarëve të deklarojnë shkoqur për popullin të vërtetën e vjedhjes së zgjedhjeve në Tiranë, pasi kete radhe sipas tij bashke me opoziten u vodhen diten per diell edhe ata vete.

Rama ka garantuar se forca që drejton dhe opozita e bashkuar do të jenë vendosmërisht zëdhënëse e vlerave të integrimit në BE, dhe kursi i ri politik do të jetë shprehje e plotë e domosdoshmërisë për ta futur vendin në rrugën e funskionimit të demokracisë, por ka bërë të qartë se “refuzon t’i nënshtrohet diktaturës dhe nuk bëhet pjesë e farsës së ideuar nga Saliu si gjoja dialog, për të gënjyer e tallur me popullin dhe ndërkomëbtarët”.

Sipas tij, populli do të dëgjojë shkoqur të vërtetën nga goja e partnerëve dhe miqve ndërkombëtarë se ata nuk bëhen palë me vjedhësit e zgjedhjeve, me gjykatësit e kapur dhe me qeverinë që ka tradhëtuar hapur vlerat, parimet, standardet e integrimit në BE.

Ai ka theksuar se duhet të pranohet publikisht se ajo që ndodhi ishte jashtë cdo standardi demokratik ndërkombëtar dhe nuk duhet të përsëritet më kurrë.

“Këtë nuk presim ta dëgjojmë nga Saliu por partnerët. Vetëm pastaj mund të flitet jo thjesht për dialog, por paketë reformash e garancish, të cilat adresojnë aspiratën e qytetarëve dhe prioritet e përcaktuara nga BE.  Këtë nuk e garanton Saliu por ndërkombëtarët,  që duhet ta kuptojnë se në Tiranë nuk u vodh vetëm opozita, por edhe BE, SHBA dhe OSBE”- theksoi Rama.

 

© Panorama.al

Te lidhura