Kryeministri Edi Rama ka reaguar dhe ka replikuar me Florjan Haçkën, pas debatit të krijuar për deklaratën e tij “F*ck You” në intervistën me “Financial Times”, duke u shprehur se fjala nuk i ishte drejtuar qytetarëve shqiptarë, por atyre që, sipas tij, e kanë sulmuar prej vitesh.
Në përgjigje, Rama, që e identifikon djalin si “demokrat 24 karatë”, shprehet se nuk ishte një frazë drejtuar popullit shqiptar, por atyre që e akuzojnë pa pasur asnjë provë.
“Më çuan videon e këtij djalit dhe, përpara se të dëgjoja sharjet, ndjeva sëkëlldinë e tij. Pyeta për të. Demokrat 24 karat, nip i një demokrati të respektuar, profesionist me të cilin më lidh respekti i ndërsjellë. Fakti është se unë nuk ua kam thënë shqiptarëve kurrsesi atë fjalë. Duket qartë edhe në artikull.
Kur gazetari më ka pyetur si u përgjigjesh atyre që të akuzojnë se je kumbari i qeverisë, i thashë shkurt fjalën që meriton kush në fakt më akuzon papushim, vite e vite, dhe s’ka lënë dy gurë bashkë për të më baltosur dhe varrosur, por kurrë asnjë provë.Nga një orë bisedë e lirë, ai zgjodhi pikërisht atë fjali. Po unë nuk jam pishman”, tha Rama.
Në reagimin e para disa ditësh, Florjan Haçka e akuzon kryeministrin si shkaktarin e rënies së nivelit të shëndetësisë, që e detyroi babain e tij të kurohej jashtë sepse në Shqipëri e trajtonin për ulcer, por më pas ndërroi jetë.
Rama thotë se sipas verifikimeve, babai i djalit është kuruar jashtë dhe s’ka shkelur në asnjë spital të Shqipërisë.
“Djali ka shkuar larg bashkë me valën e revolucionit imagjinar të bulevardit, urrejtja politike dhe furia e algoritmit e kanë bërë të më fajësojë mua publikisht. Pas dhjetë vjetësh, kur i ati nuk u shërua dot në Tiranë nga kanceri i mëlçisë dhe ndërroi jetë në Vjenë kthehet në skenë për tu përdorur si “mish për top”.
Këtu shkon edhe më tutje djali, i bën mijëra e mijëra shqiptarët që, sipas tij, vdesin rrugëve të botës, sepse këto 13 vite shëndetësinë e paskam kthyer unë në pikën e vdekjes, ndërkohë që transformimi i dekadës së fundit në shëndetësi është epokal, më i madh se i të gjitha viteve të mëparshme të mbledhura sëbashku, e këtë s’e them unë, por faktet, ndërsa unë them, po shëndetësia ka nevojë për shumë më shumë akoma”, shprehet Rama.
Haçka ndër të tjera ka ngritur pretendimin se Rama dhe drejtuesit e shtetit përdorin mundësi për t’u kuruar jashtë vendit, që qytetarët nuk i kanë.
“Ti i hip helikopterit, ti dhe familja jote. E kush janë njerëzit si puna jote? Drejtuesit e shtetit i hipin avionit dhe kurohen jashtë. Kështu që mbylleni gojën. Të paktën mos kaloni në këtë gradë, sepse do e ktheni personale me çdo njeri që është aty”, është shprehur Haçka.
Në përgjigje, Rama ka mohuar që ai apo familja e tij të kenë përdorur mjete apo fonde shtetërore për udhëtime apo shërbime private.
“Kushedi me kë më ngatërron, por unë personalisht jam shtruar dy herë dhe kam bërë dy ndërhyrje në trupin tim në spitalin shtetëror, ndërkohë që familja ime kurrë, kurrë, kurrë s’ka përdorur as helikopterë, as avionë, as fonde të shtetit, as për hall e as për qejf, çdo udhëtim privat i yni është i paguar nga buxheti familjar, gjithmonë në ekonomik”, thotë Rama.
© Panorama.al











