Rama: Raporti, analizë e kthjellët

Oct 13, 2011 | 12:00
Rama dje gjatë takimit me ambasadorin e BE

Kryesocialisti Edi Rama e cilësoi progres-raportin e Bashkimit Europian një analizë të kthjellët, duke e konsideruar atë një vazhdimësi të opinionit të lënë nga Brukseli që vitin e shkuar. Zyra e shtypit e Partisë Socialiste, përmes një njoftimi të përmbledhur, bëri publik qëndrimin e kreut të selisë rozë ndaj raportit të dorëzuar dje. “Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, z. Edi Rama, u njoh me progres-raportin e Komisionit Europian për vendin tonë, publikuar sot së bashku me Strategjinë e Zgjerimit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e konsideron progres-raportin si një instrument të rëndësishëm për demokratizimin e shoqërisë dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë. Kryetari Rama falënderon shërbimet e Komisionit Europian për analizën e kthjellët në këtë raport, që është një vazhdimësi e detyrave të lëna për vendin tonë nga opinioni i vitit të kaluar”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të PS-së. Për kreun e selisë rozë, progres-raporti kërkon angazhim dhe vullnet politik.
“Si drejtues i opozitës, Edi Rama përfiton nga rasti për të rinënvizuar vullnetin e opozitës shqiptare për të ushtruar përgjegjësinë që i takon në jetësimin e axhendës shtetndërtuese dhe europianizuese të Shqipërisë”, përfundon njoftimi i zyrës së shtypit të Partisë socialiste. Progres-raporti i Bashkimit Europian pritet të jetë çelësi i debatit politik mes maxhorancës dhe opozitës në javët në vazhdim. Dhe pse e thënë qartë që ngërçi politik ishte kushti kryesor që e la vendin larg marrjes së ftesës së vendit kandidat, pritet që palët të adresojnë përgjegjësitë e këtij raporti tek pala kundërshtare.
Opozita
Partia Socialiste propozoi tri javë më parë një pakt prej 10 pikash, të quajtur pakti për integrimin e vendit. Pakti që përcakton dhe qëndrimin e Partisë socialiste ndaj ligjeve me shumicë të cilësuar, që përbëjnë dhe reformat e mëdha të vendit, si ajo në Drejtësi apo plotësimi i vendeve vakante në institucionet kushtetuese, nuk gjeti përkrahje nga ana e maxhorancës. Partia Demok-ratike e cilësoi këtë pakt si një kusht të ri të PS për të bllokuar integrimin e vendit dhe për të mos votuar ligjet me shumicë të cilësuar. Por, bllokimi i paktit ka sjellë dhe bllokimin e reformës zgjedhore, një nga 12 prioritetet e Komisionit Europian, pa plotësimin e të cilave vendi nuk do të kalonte dot provimin e marrjes së vendit kandidat. Opozita dhe maxhoranca ndodhen shumë larg në pozicionet e tyre për të gjetur një pikë të përbashkët për të nisur reformën zgjedhore. Nëse socialistët kërkojnë një korrektim të sistemit zgjedhor dhe ndryshim të KQZ-së apo përfshirjen e emigrantëve në votim, PD kërkon vetëm plotësimin e 52 rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it duke e lënë pezull përparimin në negociatat mes dy forcave kryesore.

Takimi
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, u njoh me progres-raportin e Komisionit Europian për vendin tonë, publikuar së bashku me Strategjinë e Zgjerimit. Raporti iu dorëzua dje pasdite nga ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sekui. Pas takimit, asnjëra palë nuk bëri komente rreth bisedës së bërë mes tyre, ndërsa kryesocialisti komentet e tij i bëri përmes një deklarate të shpërndarë nga zyra e shtypit.

Raporti
Progres-raporti dhe konkluzionet e nxjerra prej tij pritet të jenë pjesë e debatit politik në vend. Raporti do të përbëjë dhe linjën zyrtare të qëndrimit të Grupit Parlamentar socialist sot në Parlament, por dhe tryezës së partive opozitare që pritet të mblidhen javën e ardhshme. Mbi këtë bazë pritet që të ndërtohet dhe strategjia e ardhshme e opozitës përballë maxhorancës në betejën e saj politike.

Aristir Lumezi

© Panorama.al

Te lidhura