Rama: Pse s’votuam ligjet me 3/5

Oct 29, 2011 | 10:49
Edi Rama dje gjate tryezes se PS per drejtesine

Pas propozimit të një pakti me 10 pika, opozita organizon një tryezë për reformimin e sistemit të Drejtësisë. Në këtë takim ishin të ftuar edhe krerët e maxhorancës, por asnjëri prej tyre nuk ishte i pranishëm. I vetmi përfaqësues i shumicës parlamentare në këtë mbledhje ishte deputeti i LSI-së, Lefter Koka. Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues nga Ambasada e SHBA, prezenca e OSBE-së dhe Komisioni Europian. Në fjalën e tij, kreu i PS-së, Edi Rama, u shpreh se deri në pranverën e vitit të ardhshëm opozita do të ofrojë një reformë reale për Drejtësinë. “Ky të jetë një proces brenda një axhende të mirëpërcaktuar, e cila të trajtojë të gjitha ligjet që kanë nevojë për ndërhyrje apo për përmbysje dhe deri në pranverë ne të mund t’i japim vendit një reformë reale të sistemit të Drejtësisë, duke i adresuar problemet në themel dhe jo duke vënë arna mbi arna”. Sipas tij, opozita nuk i ka votuar ligjet me 3/5 për shkak se ka refuzuar t’i shohë këto ligje si arna, ndërkohë që vendi, për kreun e opozitës, ka nevojë për një reformë tërësore. Në tryezë, Rama u ndal edhe në bojkotin që i bëri maxhoranca tryezës së thirrur nga PS, duke thënë: “E krijuam për vete, për ju, për miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë dhe, sigurisht, dhe për palën tjetër. Keqardhje që nuk u shfaq. Me siguri do të ketë qenë në ndonjë mal duke sharë opozitën. Po kjo pak rëndësi ka. Ne e kemi bërë zgjidhjen tonë. Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim për t’i dhënë Shqipërisë mundësinë ta kalojë provimin e statusit”.
Ndërsa nënkryetari socialist i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, tha në fjalën e tij hapëse të tryezës se të ftuar për të debatuar mbi reformën në Drejtësi ishin edhe përfaqësuesit e maxhorancës. “Ndjehemi të keqardhur për mungesën e tyre në këtë tryezë. Le të shpresojmë se edhe kjo ftesë kolegësh, kjo tryezë debati profesional, të shërbejë si një shans tjetër reflektimi, për një frymë të re në politikë e në jetën parlamentare, për një qëndrim reflektues ndaj domosdoshmërisë së reformave për sistemin e Drejtësisë, pa të cilin nuk mund të ketë demokraci funksionale dhe shtet të së drejtës”, u shpreh Xhafaj. “Ne kemi hedhur hapin tonë. Kemi bërë një reflektim të parë për mënyrën se si e gjykojmë se çfarë ka ndodhur, jo duke parë, jo duke anatemuar dhe as duke qarë çfarë iku, por duke gjykuar për atë që do të vijë, si do të vijë, si duhet ta sjellim dhe si duhet të sillemi”. Gjatë diskutimit, konstitucionalisti Luan Omari kërkoi që opozita të votojë në Parlament ligjet që kërkojnë tre të pestat, me kushtin që ato të diskutohen edhe njëherë në komisionet parlamentare. Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari, propozoi rritjen e rrogave për prokurorët dhe vendosjen e mandatit 9-vjeçar të prokurorit të Përgjithshëm.

Diskutimet në tryezën e PS
Shkëlqim Hajdari (sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prokurorëve): Buxheti Prokurorisë të jetë i pavarur, i miratuar me ligj, bazuar në kërkesat e parashikuara dhe të argumentuara nga organi i Prokurorisë në çdo fillim viti. Të mundësohet barazimi i pagave të prokurorëve dhe, për rrjedhojë, edhe i gjyqtarëve me prokurorë dhe gjyqtarë të rajonit, Maqedoni, Mali i Zi dhe Kosovë. Ju siguroj se pagat tona janë më të ulëta se këta kolegë që punojnë në vendet e rajonit. Propozoj të ruhet pozicioni kushtetues i prokurorit të Përgjithshëm dhe mënyra e zgjedhjes së tij, por të barazohet mandati i tij me mandatin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë 9 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje. Dy, miratimi i dekretit të Presidentit të Republikës për prokurorin e Përgjithshëm të bëhet nga Parlamenti me votë të cilësuar me tre të pestat.
Luan Omari (konsitucionalist): Esenciale është forcimi i pavarësisë së Prokurorisë. Më parë në Kushtetutë thuhej se prokurori i Përgjithshëm e informon Kuvendin periodikisht; tani fjala “informon” është zëvendësuar me fjalën “raporton” para Kuvendit dhe raportimi implikon edhe një raport varësie. Ligjet me tre të pestat janë faktor i qenësishëm i mbarëvajtjes sonë politike dhe BE ka kërkesa të përsëritshme në këtë aspekt. Ato ligje duhet të votohen, por pasi të rishqyrtohen, sepse shumë prej tyre kanë kaluar edhe në komisionet parlamentare pa mendimin e opozitës, dhe është e drejta e saj e ligjshme të kërkojë shqyrtimin një për një të ligjeve ku të pasqyrohen edhe vërejtjet e opozitës.
Ardian Dvorani (anëtar i Gjykatës së Lartë): Ne jemi ftuar në këtë aktivitet për të përfaqësuar zërin e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë. Në programin tonë është theksuar se Unioni do të garantojë pjesëmarrjen e tij dhe kontributin e tij në të gjitha tryezat, pa asnjë paragjykim, ku vihen në diskutim çështje që lidhen me pushtetin gjyqësor dhe sistemin e Drejtësisë në tërësi. Është e kotë dhe e pakuptimtë që ne gjyqtarët dhe disa të dalin e të flasin për raste të izoluara të korrupsionit gjyqësor, pasi kjo do të ishte e pabesueshme. Nuk bëhet një analizë se nga vjen korrupsioni në Gjyqësor. Paga nuk është masa që si me magji do të mbyllë fenomenet korruptive në Gjyqësor, por ngritja e një sistemi të konsoliduar karriere, një trajtim dinjitoz i gjyqtarëve, janë elemente të domosdoshme pa të cilat çdo masë tjetër nuk do të kish efektin e duhur. Imuniteti nuk u shërben gjyqtarëve si individë. Ka qenë si një garanci për gjyqtarët, duke i garantuar një mbrojtje, i garantohet një pavarësi dhe paanshmëri në trajtimin e çështjeve gjyqësore. Ne nuk jemi kundër diskutimit lidhur me heqjen apo kufizimin e imunitetit. Edhe nëse do të çmohet se imuniteti duhet t’u hiqet përfaqësuesve të pushtetit politik, legjislativ dhe ekzekutiv, në çdo rast, gjyqtarëve të të gjitha niveleve dhe prokurorëve duhet t’u ofrohen disa garanci. Imuniteti i tyre duhet të jetë i kufizuar.
Sokol Sadushi (ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese): Kufizimi i imunitetit do të çojë në ndryshime kushtetuese. Rënia dakord për kufizimin e imunitetit të deputetit hap domosdoshmërisht lojën për ndryshime në ligjet që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të, duke filluar nga Kodi i Procedurës Penale, ligji për Prokurorinë, ligji për Gjykatën Kushtetuese, organizimi gjyqësor etj. Reforma që kërkohet të bëhet nuk duhet të bëhet me arnime ligjore, por duhet të bëhet me mendime të thella që nuk mund të mos prekin edhe ligjet që përmenda.
Theodhori Sollaku (ish-prokuror i Përgjithshëm): Dy janë faktorët që e kanë katandisur Gjyqësorin dhe Drejtësinë në përgjithësi në këtë gjendje: së pari është paaftësia profesionale e njerëzve që punojnë në Drejtësi dhe, së dyti, korrupsioni. Shteti ka për detyrë që të marrë të gjitha masat për ngritjen profesionale të këtyre njerëzve që punojnë në Drejtësi. Kemi Ministrinë e Drejtësisë që është përgjegjëse për ngritjen profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Së dyti, është fenomeni i korrupsionit. E keqja dominon Drejtësinë sa i përket korrupsionit. Unë nuk u frikësohem shumë debateve që bëhen sot për heqjen e imunitetit në radhët e gjyqtarëve. Fenomeni i korrupsionit po dominon në sistemin gjyqësor tonin, është fatkeqësi, por realitet. Heqja e imunitetit apo kufizimi i tij do t’i japë një dorë të mirë punës për t’i bërë këta njerëz në detyrën që ata kanë në dhënien e drejtësisë. Sistemi i karrierës nuk funksionon siç duhet. Ne i kemi mëshuar shumë elementit pavarësi, por sërish kemi gjyqtarë dhe prokurorë të pavarur, ndodh sepse paaftësia dhe korrupsioni i bëjnë gjyqtarët dhe prokurorët të mos ushtrojnë detyrën e tyre në pavarësi të plotë, megjithëse garancitë kushtetuese dhe ligjore janë.

Shehu: Tryeza ishte si seminar
Partia Demokratike reagoi dje për tryezën e organizuar nga opozita për reformimin e sistemit të Drejtësisë. Deputeti i PD-së, Tritan Shehu, njëherësh anëtar i Komisionit të Ligjeve, shprehu rezervat e tij lidhur me këtë lëvizje të socialistëve. “Të hedhim në një moment të tillë, në mënyrë të njëanshme, iniciativa të tilla, më duket provokative, jo me dëshirën e mirë për të zgjidhur situatën, përkundrazi, për të komplikuar situatën, ndërkohë që ka ca sinjale që po shkon drejt një zgjidhjeje”, tha Shehu në një reagim për mediat. “Shumë gjëra mund të diskutohen e zgjidhen në Komisionin e Ligjeve, që është vendi i vetëm dhe më i lartë me të gjitha kompetencat ligjore”, nënvizoi Shehu. Sipas deputetit demokrat, iniciativa e PS është “partiake” dhe konferenca të tilla janë në nivelin e seminareve.

Ambasadori i BE Sekui: Votoni ligjet me 3/5 në Parlament
Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Etore Sekui, tha dje në një prononcim për mediat se progres-raporti i publikuar në fillim të muajit tetor është një mjet i mirë për bashkëpunim mes forcave politike. Ai tha se prioritet duhet të jenë reforma zgjedhore, dhe ajo parlamentare. “Ajo që mund të them nga pozicioni im është se duhet të marrim parasysh raport-progresin. Është një mjet i mirë për bashkëpunim. Raporti tregon jo vetëm situatën aktuale në vend, por edhe rrugën që duhet ndjekur. Sidomos adresimi për disa reforma që janë shumë të rëndësishme, sidomos disa reforma, siç është reforma elektorale, për rregullat procedurale të Parlamentit”, u shpreh Sekui. Sipas ambasadorit të KE-së, votimi i ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend do të ishte një lëvizje e mirë. “E di që ka një diskutim për ngritjen e një komisioni në Parlament, mendoj se kjo është gjë shumë e mirë. Kuptoj që mund të ketë lëvizje sa i përket miratimit të ligjeve me tre të pestat, kjo do të ishte lëvizje shumë e mirë. Integrimi duhet konsideruar si mjet mjaft pozitiv dhe qëllim, kombëtar. Këtë do ta përsëris dje sot dhe nesër”.

Kryeministri, pas dy vitesh në Tropojë
Berisha: Tirana i dha Haxhi Qamilit, Alisë e Ramës atë që meritonin
Kryeministri Sali Berisha është rikthyer në vendlindjen e tij, Tropojë, pas dy vjetësh që nga hera e fundit kur kërkoi votat për zgjedhjet parlamentare. Gjatë vizitës së djeshme ai përuroi nisjen e punimeve të dy akseve rrugore: Kam-Golaj 20 km dhe Rragam-Kam, 31 km. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u ndal te kundërshtari i tij Edi Rama, për të cilin tha se Tirana e nxori në pension politik, njësoj si Ramiz Alinë. “Këtu nga Hasi dua t’u çoj një përshëndetje të përzemërt qytetarëve të Tiranës. Asnjë moment mos harroni se ata e kanë merituar njëqind herë qenien kryeqytetas. Ishin ata, të cilët i dhanë Haxhi Qamilit atë që meritonte. Ishin ata në krye të shqiptarëve që nxorën në pension politik Ramiz Alinë. Ishin ata, të cilët në maj të këtij viti, në krye të shqiptarëve, nxorën në pension politik Edi Ramën dhe i thanë ‘shkruaj memorie’. Po vëllezër, dhe tani i sëmurë nga virusi i Blushit, po shkruan vëllimet e Moisiut. Ndaj ju ftoj të vazhdojmë së bashku”, u shpreh kreu i Ekzekutivit. Sipas tij, gjatë viteve të fundit në qarkun Kukësit, Tropojës dhe Hasit, janë investuar mbi 420 milionë euro, janë ndërtuar 330 kilometra rrugë, 41 shkolla, 50 qendra shëndetësore, 33 ujësjellës/kanalizime, janë investuar 410 milionë lekë në bujqësi. “Brenda vitit që vjen përfundojmë në parametrat më të mirë europianë rrugën Krumë – Kukës. Brenda vitit që vjen përurojmë së bashku rrugën Kukës – Peshkopi. Përurojmë Unazën verilindore të vendit, e cila fillon në Valbonë, shkon në Librazhd, vazhdon me Ersekën, Kolonjën, Përmetin, Kardhiqin dhe Delvinën”, u shpreh Kryeministri. Ai tha gjithashtu se opozita që po bllokon integrimin e vendit do të marrë përgjigjen e merituar përmes votës.                                                                             j.h

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura