
Kryesocialisti Rama i bëri apel kreut të maxhorancës që të mos humbë më kohë për të negociuar për një President konsensual dhe përfundimin e reformave.
Në një konferencë për shtyp para gazetarëve, Rama tha se vendi po rrezikon integrimin. “Ne nuk mund ta marrim statusin e kandidatit, nëse nuk mbyllim Reformën Zgjedhore përpara 24 majit. Fatkeqësisht, po digjen në dëm të procesit ditët e mbetura, duke rrezikuar vetë procesin e integrimit dhe duke rrezikuar statusin e kandidatit për të mbrojtur KQZ-n e Ristanit apo për të mos lejuar asnjë transparencë të mundshme mbi materialet zgjedhore. Në këtë moment historik, kur duhet të ndajmë interesat e palëve nga interesat kombëtarë e publikë të shqiptarëve, si palë e interesuar për t’u bërë pjesë e Bashkimin Europian, të popujve të këtij kontinenti, Kryeministri po bën po ashtu shurdhin ndaj kërkesës sonë për dialog për zgjedhjen e Presidentit të Republikës”, tha Rama. Kreu i PS-së akuzoi Kryeministrin se kërkon një President që të ketë nën kontroll krerët e institucioneve të pavarura. “Ne duam një President për të gjithë shqiptarët. Kryeministri do një President për veten. Po a mund të sakrifikohet interesi kombëtar dhe a mund të mbesë Shqipëria në provimin e vjeshtës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, vetëm e vetëm se Kryeministri kërkon me çdo kusht të fusë në rreshtin e vartësve të tij edhe Presidentin edhe prokurorin e Përgjithshëm, edhe Kryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, edhe kryetarin e Shërbimit Informativ, edhe komandantin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë?! Ky është një nga ato momente politike, ku vlen si rrallëherë shprehja ‘koha është flori’”, u shpreh Rama para gazetarëve. Kryesocialisti i bëri apel kreut të maxhorancës të lërë akuzat ndaj opozitës dhe të punojë për konsensus për kreun e ri të shtetit. “Unë i bëj, publikisht, thirrje Kryeministrit t’i lërë në këtë moment akuzat, shpifjet, gënjeshtrat dhe fjalimet me baltë ndaj opozitës e me dokrra për sukseset e tij imagjinare, sepse koha nuk pret. Kjo është koha e reformave për Shqipërinë që duhet të marrë provimin e vjeshtës. Është koha e konsensusit për Presidentin e ri që duhet të garantojë unitetin e kombit në këtë 100-vjetor të pavarësisë kombëtare. Është koha e betejës së ideve për Shqipërinë që duam për prindërit e për fëmijët e këtij vendi, jo koha e luftës ndaj opozitës, për të mbajtur Shqipërinë peng të pushtetit të një njeriu të vetëm”, u shpreh kreu i PS. Për Ramën, vendi duhet të plotësojë standardet në tri çështjet kryesore politike. “Kjo është koha për të dalë nga llogoret tradicionale të politikës së ditës dhe për t’u bashkuar me të gjitha energjitë në funksion të zgjedhjeve që sot bëhen për të ardhmen; Zgjedhja për reformën zgjedhore; Zgjedhja për Presidentin e Republikës;
Zgjedhja për reformën parlamentare, përbëjnë një moment kyç në këtë udhëkryq, nga ku Shqipëria duhet të dalë faqebardhë”, tha Rama.
Negociatat
Negociatat për Presidentin e ri të Republikës do të nisin pas kthimit të Kryeministrit Berisha nga Çikago, ku do të marrë pjesë në samitin e NATO-s. Berisha është shprehur se do të diskutojë fillimisht në Kryesinë e Partisë Demokratike, nga ku do të mandatohet për të negociuar fillimisht me aleatët e koalicionit të tij e më pas me Edi Ramën. Neritan Ceka, ish- presidenti i PAD-së, është propozuar nga partia që ka krijuar dhe drejtuar si kandidat për President. Jozefina Topalli është një tjetër propozim i bërë nga demokristianët për postin e Presidentit të Republikës. Vetë Berisha është shprehur se Presidenti i ri do të zgjidhet nga radhët e PD-së.
Ftesa
Kryesocialisti Edi Rama, përmes një ftese drejtuar të gjithë kryetarëve të partive parlamentare, ka kërkuar ngritjen e një procesi i cili do të çojë në emrin e Presidentit të ri. Rama është takuar me Ilir Metën ne hotel Sheraton, në prani të Gramoz Ruçit dhe Petrit Vasilit. Gjithashtu Rama është takuar dhe me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili nga ana e tij është shprehur se do të mbështesë një President që do të mbrojë çështjen çame. Pritet që, pas kthimit të Berishës nga Çikago, Rama të zhvillojë një takim me të. Ndërkohë, ish-kryetari i PS, Fatos Nano, ka kërkuar mbështetjen e PS dhe të partive të tjera parlamentare për kandidaturën e tij për President.
Vazhdojnë negociatatmes PD e PS
Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore e përfundoi afatin e tij pa sjellë asnjë produkt të rëndësishëm. Dy ditë më parë, pas një mbledhjeje që zgjati mbi katër orë, mbledhja e fundit e Komisionit, palët nuk arritën të zgjidhnin problemin e zgjedhjes së anëtarit të shtatë të KQZ-së, të procesit të ankimimit të dy anëtarëve të KQZ-së, por dhe të numërimit elektronik dhe identifikimin e zgjedhësve në qendrat e votimit. Ndonëse Komisioni e përfundoi mandatin e tij, negociatat mes palëve kanë vazhduar edhe dje, në një përpjekje për të gjetur pika bashkuese mes tyre. Pritet që vijimi i reformës zgjedhore të vazhdojë në Komisionin e Ligjeve, ku propozimet e deputetëve t’i bashkëngjiten draftit të saj.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











