‘Për Metën ka një mundësi të dytë, për Nanon s’kam thënë se është i zhytur në vese’

Nov 18, 2011 | 9:12

KREU I PARTISE SOCIALISTE, EDI RAMA DHE KRYETARI I LEVIZJES SOCIALISTE PER INTEGRIM, ILIR META, GJATE NJE CEREMONIE

Kreu i PS flet për personazhet e “Kurban”.
“Për Nanon kam folur për drita e hije, nuk kam thënë se është i zhytur në vese”

Kreu socialist Edi Rama i ftuar në emisionin “Top Story”, në “Top Channel”, me gazetarin Sokol Balla dhe analistë të tjerë, la të kuptohet se bashkëpunimi me Ilir Metën nuk mund të konsiderohet i mbyllur një herë e përgjithmonë. Duke folur për librin e tij “Kurban”, Rama i dha përgjigje kritikave në adresë të këtij libri dhe ideve që ai përcjell. Veçanërisht kritikat adresoheshin në marrëdhëniet e tij të përshkruara në libër me Fatos Nanon, Ilir Metën dhe Sali Berishën.
Zoti Rama, ka nga ata njerëz që nuk të votojnë dhe e kanë blerë librin?
Po ka, drejtori i lajmeve të televizionit “Klan” dhe Henri Çili.
Pse nuk arrini të bindni një pjesë të mirë të opinionit publik se jetoni në një apartament me qira?
Sepse nuk është shumë interesante për publikun të them që banoj në një banesë me qira, sepse është më interesante fantazia se unë jetoj në një kështjellë. Ndërkohë që nuk doja të isha në studio për një arsye shumë të thjeshtë, sepse aty flitet për librin që unë kam shkruar dhe u takon të ftuarve të flasin për të. Ju thatë gjysmën e të vërtetës, sepse gjysma tjetër është se unë nuk doja të vija fare dhe të isha fare. Ndryshe, ç’ndodh me debatet politike apo fjalimet politike apo komunikimin politik, në këtë rast unë kam një brishtësi që me siguri edhe ata që ishin në promovimin e librit e vunë re se është brishtësia e atij që pasi ka krijuar dhe e ka ekspozuar krijesën e vet, është një lloj lakuriqësie përpara së cilës njeriu ndjehet i brishtë.
Me shaka një ish-miku i Berishës dhe ish-armiku juaj, s’po ia them emrin, më tha para emisionit se sikur Berisha të qeveriste vendin ashtu siç bën bisedë kur pi verë, apo sikur Rama të qeveriste vendin ashtu siç shkruan librin, punët në Shqipëri do të ecnin shumë mirë…
Tani për Saliun është e provuar, për rastin tim është ende e paprovuar nëse mund ta qeveris vendin ashtu siç shkruaj. Por gjëja që besoj se vlen të thuhet nga ana ime, është tjetër gjë nëse ia kam arritur apo jo, është se ky nuk është një libër për të shkuarën, ky është një libër për të ardhmen, duke vështruar të shkuarën dhe vërtet unë kam shkruar një varg gjërash që i kam gjetur në kujtesë, por nuk kam shkruar kujtime. Kam kujtuar duke ecur dhe nga ana tjetër, më vjen vërtet mirë që pavarësisht mosdakordësisë me ç’ka thuhet në libër për pjesë të caktuar të tij apo për shumë pjesë të tij, gjë që është më se normale, sepse po të ishte një libër konsensual do të ishte i mërzitshëm, sepse konsensusi, le ta themi, është i mërzitshëm. Më vjen mirë që të gjithë bashkëbiseduesit sot nuk janë mërzitur duke lexuar librin. Unë e kam thënë në fund se ju mund të mendoni çfarë të doni, por nuk do të doja të mërziteshit. Nga ana tjetër, suksesi komercial i librit është i lidhur me shumë faktorë; jo domosdoshmërisht ata që e blejnë librin, e blejnë për atë që ai vlen, por unë shpresoj shumë që pasi e lexojnë, për secilin libri të vlejë. E fundit, dua të nënvizoj se vërtet personazhet, detajet episodet apo fjalët e këmbyera janë vetvetiu më tërheqëse, më komerciale, janë vetiu më shpejt të lexueshme dhe të thashethemueshme, por libri nuk është ky. Libri është një rrëfim ku unë jam munduar të përshkruaj Shqipërinë siç nuk duhet të ishte dhe për të përvijuar një Shqipëri siç duhet të jetë.
Duke parë pamjet e 2007 me Ilir Metën, ju mungon ky takim, ky bashkëbisedim, sepse në libër e lini një derë të hapur kur thoni se nuk mbaron historia ime me Ilir Metën këtu?

Rama duke dhënë autografe për librin “Kurban”

Në fakt, ka një problem kur shkruan, të paktën siç shkruaj unë, jam një dashnor obsesiv i gjuhës shqipe dhe i jap rëndësi çdo fjale, çdo presje dhe kur pastaj ato që shkruhen për t’u përkthyer në perceptime të ditës, arrin të deformohen deri në denatyrim. Ajo që do doja të reflektoja për një moment nga çka dëgjova deri tani, mua personalisht më duket se libri flet për të kundërtën e asaj që u tha se ka një engjëll dhe tre demonë, nga një anë unë, një e bardhë që shndrit dhe nga ana tjetër ata, një e zezë që nxin. Nuk është kështu, në radhë të parë tek unë vetë, jam më se i vetëdijshëm për atë që kam përjetuar në të gjithë procesin e të shkruarit. E vërteta është se libri u bë libër shumë vonë, nuk është lindur për t’u bërë libër. Unë nisa të shkruaja jo duke u nisur se ajo që po shkruaja do të shihte ndonjëherë dritën e diellit, por duke qenë i dëshiruar për të folur pa u ndërprerë dhe për t’u rrëfyer duke rrëfyer, besoj se i kam qëndruar, së paku me veten time, premtimit për të mos thënë në asnjë rresht nga faqja e parë deri në faqen e fundit asnjë gënjeshtër.
Pyetja është a keni zgjedhur të mos i thoni të gjitha të vërtetat zoti Rama?
Këtu sigurisht jam absolutisht dakord me zonjën Çavo se nuk ka një të vërtetë. E kam thënë dhe unë vetë që në fillim se kjo nuk është historia e Tiranës, por rrëfimi i një dëshmitari që e ka parë historinë nga këndvështrimi i tij, ashtu sikundër nga ana tjetër, e përsëris, personazhet tërheqin më shumë, është shumë më interesante të merresh me atë ç’ka thuhet se është thënë midis personazheve dhe me vetë personazhet, sesa me tërësinë e librit. Por libri është shumë më tepër se kaq, duhet ta rinënvizoj. Dhe nëse ka një personazh nga fillimi deri në fund, ky personazh është vetë Shqipëria. E nëse ka personazhe po kaq të rëndësishme në këtë libër, janë qytetet e Shqipërisë etj. Do t’i kërkoja zotit Hoxha dhe Henrit që ta rilexonit librin pasi ka kaluar ajo goditja e parë nga personazhet, sepse ma kanë thënë dhe të tjerë që libri lexohet me një frymë, nuk të mërzit, lexohet shpejt, por kjo ka dhe problemin tjetër që shumëçka mbetet dhe pa lexuar. Dhe jam i bindur se në rast se p.sh, në raportin me paranë dhe me materialen kam qenë shumë indiferent, dhe këtë e kam thënë se nuk më ka obseduar paraja apo materia asnjëherë, ndërsa në raport me pushtetin besoj se kam rrëfyer mjaftueshmërisht që nuk është absolutisht e vërtetë se nuk jam i atraktuar apo ndonjëherë i dominuar, në ndonjë rast dhe i gabuar, pikërisht për shkak të këtij raporti.
Nuk na kthyet përgjigje për Ilir Metën?
Do ta mbyll këtu se nëse flasim për personazhe të tjerë nuk është se kam vizatuar tre demonë, por kam vizatuar tre personazhe siç unë i kam njohur, i kam kuptuar ashtu siç i lexoj, duke u munduar të jem sa më i vërtetë. Nuk po përdor fjalën objektiv, sepse askush s’mund të jetë objektiv në kuptimin për të pasur një konsensus kur flasim për personazhe që për shkak të punës që bëjnë, ndajnë dhe nuk bashkojnë.
Këta janë personazhe që kanë pasur në dorë dhe fatin tuaj politik…?
Ajo që po them është se në rastin e të tre personazheve jam munduar të jem sa më i vërtetë për atë që unë kam njohur dhe parë tek ata, dhe absolutisht nuk shoh ndonjë demonizim të të treve dhe kam thënë atë që mendoj për Ilir Metën. Nuk është çështja se kam lënë një derë hapur, por realisht mendoj se për gjithëkënd, sidomos në një moshë të caktuar, në moshën e pashpresë të Saliut, ka një mundësi të dytë. Kam folur për Fatos Nanon dhe besoj se nuk kam treguar një njeri të tërin të zhytur në hije, por kam folur për drita dhe hije, kam folur për atë që kam njohur. Nuk kam thënë fjalën të zhytur në vese, por kam përdorur më shumë nuanca. Ndërsa për Saliun nuk ka asnjë të fshehtë se është një personazh tërësisht vulgar dhe një personazh tërësisht jashtë kohe që mban fatkeqësisht peng kohën shqiptare.
Libri provokon debat dhe një mënyrë të caktuari të menduari. Një gjë dua të them: këtu nuk bëhet fjalë për një dasi të ushqyer si ajo dasi që na mban peng ne. Ka një ndarje të prerë, të qartë midis dy mënyrash tërësisht të ndryshme për ta parë Shqipërinë. Në rast se ne nuk biem dakord që kjo Shqipëri nuk është atdheu që meritojnë fëmijët tanë, sigurisht e kemi të pamundur të ndërtojmë atdheun që ata meritojnë. Unë jam absolutisht i ndarë prerazi me ata që e kanë ndërtuar deri këtu Shqipërinë e veçanërisht, me ata që në këto 6 vjet e kanë thërrmuar këtë vend. Janë dy vizione thellësisht të ndryshme të zhvillimit, aty flitet shumë qartë për një qasje e cila edhe është artikuluar në formën krejt tjetër te programi ynë, flitet për mënyrës se si mund të dilet nga ky qorrsokak, pa investim, me një jetesë me kosto të jashtëzakonshme dhe pa të ardhmen. Nuk është një libër për të renditur kujtime, por për të parë Shqipërinë ashtu siç është. Është një rrëfim që doja ta ndaja me të tjetrë, me riskun që në aspekte të ndryshme edhe të keqkuptohen edhe të keqgjykohen, por me riskun që po ndaja të vërtetat e mia. Ky është libri pas një rrugëtimi deri këtu dhe kjo është arsyeja pse unë dhe ata që janë me mua nga pozicioni që po flasim jemi gati për t’i dhënë Shqipërisë ndryshimin që ajo kërkon.
Nëse të jesh politikan do të thotë të bësh pazare të pista, do të thotë të pranosh që qëllimi justifikon çdo mjet, pavarësisht si arrihet, e vetmja gjë që vlen është fitorja, unë jo vetëm nuk jam, por nuk dua të jem kurrë politikan. Unë e kam parë dhe e shoh politikën si një mision qytetar dhe nuk do të ndryshoj nga kjo. Në refleksionet e mia kam pranuar të mira, gabime dhe të meta, por nuk kam arritur në konkluzionin se ajo çka mua më ka munguar në këtë vend është se nuk qenkam politikan. Nëse politikanët janë këta, unë nuk dua të jem politikan. Për mua të jesh politikan është shumë më fisnike.

© Panorama.al

Te lidhura