Kryesocialisti Rama, në një intervistë për radion gjermane “Dojçe Vele”, në seksionin shqip, tha dje se Kolegji duhet të japë drejtësi. Sipas tij, nëse kjo drejtësi do të mungojë, vendi do të ketë pasoja. “Hapat tanë janë paralajmëruar. Do të jenë hapat e natyrshëm të një force të madhe politike e qytetare në rrugën e ndryshimit që Shqipëria pret. Zgjedhjet e 8 majit i fituam si një rezistencë e fortë opozitare, zgjedhjet e përgjithshme do t’i fitojmë si një alternativë e fortë qeverisëse. Nëse Kolegji do të vulosë në fund, uroj jo, fitoren e paqenë të humbësit të zgjedhjeve të Tiranës, duke mbyllur sytë para provave ulëritëse të shifrave të manipulimit të zgjedhjeve në tavolinën e KQZ-së, kjo do të jetë një barrë e rëndë me pasoja për vendin – pa diskutim këtu edhe për gjykatësit ligjshkelës dhe për vetë Saliun e për pushtetin e tij të vjedhur”, u shpreh Rama. I pyetur rreth zërave ndrydhe në Partinë Socialiste dhe akuzave për mungesë lirie, Rama tha se debatet zhvillohen gjithnjë për të rënë në një mendje. “Në PS nuk ka asnjë luftë të brendshme destruktive, debatet tona për të rënë në një mendje duke shprehur pikëpamje të ndryshme janë pjesë e bashkëjetesës sonë demokratike, ashtu siç janë edhe proceset demokratike zgjedhore që ne zhvillojmë brenda partisë në bazë të normave të votuara statutore. Ne u referohemi sistematikisht partive të mëdha demokratike të botës së lirë, duke ndryshuar me kohën që ndryshon, në një botë gjithnjë e më të vogël, sepse jemi përditë e më të lidhur përmes teknologjisë së re. Demokracia është proces dhe në rrugën e konsolidimit të saj ka natyrshëm probleme, që duhen adresuar me kurajë e aftësi, ka gjithnjë mësime që duhen nxjerrë e ndryshime, që duhen bërë. Ne do t’i nxjerrim gjithë mësimet e duhura, duke bërë ndryshimet që na duhen për t’i dhënë lirisë sonë vlera dhe për të rritur impaktin e këtyre vlerave në kulturën e bashkëjetesës”, u shpreh Rama. duke folur për bojkotin e parlamentit, Rama tha se PS po hyn në një fazë të re jetës politike. “Jemi shpjeguar qartë për këtë. Dy vitet, që pasuan vjedhjen e zgjedhjeve të 2009-ës, mbaruan me një fitore të madhe në zgjedhjet e 8 majit. Bashkë me to mbaroi edhe një kurs politik i orientuar nga domosdoshmëria e një aksioni të mirëfilltë rezistence opozitare. Ka filluar një fazë tjetër dhe po ndërtojmë një kurs të ri, kursin e alternativës sonë qeverisëse”, u shpreh Rama.











