Rama në Bruksel, sot çelet grupkapitulli i fundit i negociatave me Bashkimin Evropian

Nov 17, 2025 | 8:16

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel, për konferencën e 7 Ndërqeveritare Shqipëri- BE ku sot pritet të çelet edhe grupkapitulli i fundit i negociatave me Bashkimin Evropian.

edi rama

Ky moment shënon edhe hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave në një kohë prej 12 muajsh.

Me anë të një postimi në Facebook, Rama shkruan: “Konferenca e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE! Hapim grupkapitullin e fundit të negociatave me Bashkimin Europian, në një kohë rekord vetëm 12 muaj”.

Pjese e delegacionit jane edhe ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe pjesëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar për të çelur negociatat për Grup-Kapitullin V: “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”.

Pas përfundimit të punimeve, Kryeministri Rama, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Marie Bjerre do të mbajnë një Konferencë të përbashkët për shtyp.

-Grupkapitulli V përfshin pesë kapituj thelbësorë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, me ndikimin më të drejtpërdrejtë tek prodhimi, konkurrueshmëria dhe zhvillimi i balancuar i territorit:

“Bujqësia dhe Zhvillimi Rural” (kapitulli 11);

“Politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitare”, (kapitulli 12);

“Peshkimi” (kapitulli 13);

“Politika rajonale dhe koordinimi i instrumentave strukturore” (kapitulli 22), si dhe

“Dispozitat Financiare dhe Buxhetore (kapitulli 33).

Përmes këtij Grupkapitulli, Shqipëria përfiton lidhur me modernizimin e bujqësisë, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe dixhitalizimin e zinxhirit ushqimor.

Një vend të veçantë zë forcimi i mekanizmave të kontrollit të sigurisë ushqimore dhe përafrimi me standardet e BE-së, ndërsa sektori i peshkimit dhe akuakulturës synon të përfitojë nga rregullat dhe programet europiane për menaxhim të qëndrueshëm.

Në komponentin e kohezionit, Shqipëria adreson rritjen e kapaciteteve për menaxhimin e fondeve të BE-së dhe përgatitjen për pjesëmarrje efektive në politikat e zhvillimit rajonal.

Ndërkohë, kapitulli për dispozitat financiare dhe buxhetore përfshin përputhjen me praktikat europiane për transparencë, planifikim buxhetor dhe administrim të fondeve publike.

© Panorama.al

Te lidhura