Protesta e 38-të radhazi në Tiranë ka vijuar me marshimin e qytetarëve në rrugët e kryeqytetit, ku nuk kanë munguar thirrjet dhe mesazhet kundër mazhorancës dhe klasës politike.
Gjatë marshimit kilometrik, protestuesit kanë brohoritur slogane të ndryshme, mes tyre edhe ato që janë bërë “hite” të protestës 38 ditore, si ajo “Rama n’burg, Berisha n’burg!”.
Qytetarët nuk kanë kursyer as thirrje kundër atyre që u shërbejnë qeverisë dhe tentojnë të intimidojnë protestuesit, me thirrjet “poshtë patronazhistët!”.
Qindra protestues kanë vijuar të lëvizin në formë kolone në disa prej akseve kryesore të Tiranës, duke nisur nga kryeministria drejt ish-Bllokut, Gardës e më pas drejt sheshit “Nënë Tereza”, duke përsëritur thirrjen kryesore të protestës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
© Panorama.al












