Refleksione mbi të drejtën për informim për mjedisin në ditët e tubimeve qytetare

Jul 7, 2026 | 9:30

AURELA ANASTASIPROF. DR. AURELA ANASTASI

Tubimet qytetare të kësaj vere, shtruan një sërë çështjesh për mbarëvajtjen e demokracisë dhe të të drejtave e lirive kushtetuese. Por, mbrojtja e mjedisit ishte kauza e parë dhe një nga motivet më të rëndësishme të saj. Në këtë kuadër, një rishikim i të drejtës për informim për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij, sipas Kushtetutës së Shqipërisë, është i nevojshëm për të reflektuar dhe nxjerrë mësimet e duhura. Konkretisht, analiza e përditësuar nxjerr në dukje gjetje të reja që lidhen veçanërisht me detyrat kushtetuese për autoritetet publike, por edhe për qytetarët. Gjithashtu, nevojitet që të forcohet roli i gjykatave në këtë fushë.

E drejta për informim për mjedisin, e afirmuar në nenin 56 të saj, është një nga garancitë më të mëdha që Kushtetuta e Shqipërisë ka sanksionuar për të siguruar mbrojtjen e mjedisit. Kushtetuta nuk ka një nen për të drejtën për një mjedis të shëndetshëm si një të drejtë themelore, por e vendos atë si objektiv social të shtetit. Brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, shteti synon: një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Në kushtetutën tonë mungojnë disa formula për mbrojtjen e mjedisit, që janë parashikuar ose amenduar në mjaft kushtetuta të shteteve të tjera, në të gjitha kontinentet. Kështu p.sh., mund të përmendim Pachamama-n (nënën Tokë) në Kushtetutën e Ekuadorit, e cila është kushtetuta e parë në botë që i jep të drejta ligjore natyrës. Gjithashtu, mund të përmendim përvojën e Italisë, si një vend anëtar të Bashkimit Evropian. Kushtetuta e Republikës së Italisë, ka ndryshuar në vitin 2022, duke shtuar koncepte të reja për mbrojtjen e mjedisit lidhur ngushtë me interesat e brezave të ardhshëm, me mbrojtjen e trashëgimisë, si edhe me mbrojtjen e kafshëve. Shembuj të tillë janë të shumtë në botë. Kjo ka qenë një nga arsyet që i ka çuar disa autorë shqiptarë në përfundimin se, kushtetuta jonë duhet ndryshuar për këtë qëllim. Sidoqoftë, amendimi i kushtetutës nuk do të ishte mjeti më i efektshëm, pa një mentalitet të ri për mbrojtjen kushtetuese të mjedisit. Në përgjithësi, amendamentet e reja ligjore nuk mund të përdoren si një alibi për moszbatimin me efektivitet të dispozitave ligjore ekzistuese. Pa forcimin e kuptimit përmbajtjesor të kushtetutës për mjedisin, asnjë amendament nuk do të kishte sukses.

Në dritën e lëvizjes kushtetuese në botë, ne mund t’i japim një kuptim përmbajtjesor shumë më të fuqishëm të drejtës për informim për mjedisin, me qëllim që ajo të shërbejë si një garanci reale kushtetuese, jo vetëm për të mbrojtur të drejtën për informim të shtetasve, por edhe të drejtën e tyre për një mjedis të shëndetshëm. Në nenin 56 të saj, Kushtetuta vendos shprehimisht: “Kushdo ka të drejtë të informohet për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij.” Nga përmbajtja e këtij neni, shohim dy aspekte kuptimplote: së pari, e drejta për informim për gjendjen e mjedisit; së dyti, e drejta për informim për mbrojtjen e mjedisit. Këto aspekte janë interpretuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila e ka zgjeruar kuptimin e nenit 56, edhe me përfshirjen e publikut në proceset e veprimtaritë që sjellin ndikim në mjedis. Në këtë mënyrë, të dyja elementet e mësipërme ecin së bashku dhe garantojnë jo vetëm të drejtën themelore për informim për mjedisin, por edhe detyrimin e organeve shtetërore për marrjen e masave për mbrojtjen e mjedisit. Kur neni vendos se, kushdo ka të drejtë të informohet për mbrojtjen e mjedisit, ka qëllim të sigurojë detyrimin e autoriteteve publike për mbrojtjen e tij. Nga kjo pikëpamje, duket se qëllimi kushtetues i nenit 56 nuk është thjesht garantimi i informimit si qëllim në vetvete, por edhe informimi me qëllim mbrojtjen e mjedisit. Kështu shpjegohet fakti që e drejta për informim për mjedisin është parashikuar si një e drejtë e posaçme kushtetuese, edhe pse e drejta për informim është sanksionuar si e drejtë themelore e përgjithshme në Kushtetutë. Prandaj, zbatimi i këtij neni, kërkon që kur ka arsye të vlefshme për të dyshuar se aktiviteti i propozuar do të ketë një efekt negativ në mjedis, duhet të merren masa paraprake dhe, nëse është e nevojshme, aktiviteti duhet të ndalohet. Nëse nuk veprojnë organet kompetente ekzekutive për këtë, duhet të veprojë gjyqësori, pasi të vihet në lëvizje.

Sa më sipër, e drejta për informim për mbrojtjen e mjedisit, shërben si një mjet në duart e publikut, qytetarëve, grupeve, organizatave etj., për të kërkuar përmes informacionit, masat për mbrojtjen e mjedisit, përgjegjësinë e institucioneve shtetërore për realizimin e detyrave dhe objektivave në lidhje me mbrojtjen e mjedisit, sipas standardeve ndërkombëtare. Por, kjo kërkon edhe një përgatitje nga ana e qytetarëve dhe organizimeve të tyre, për të kërkuar periodikisht dhe në çdo rast konkret, informim dhe konsultim. Kështu e drejta kushtetuese për informim për mjedisin kuptohet si një e drejtë-detyrë për qytetarët. Në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe të ligjit shqiptar, autoritetet publike duhet të japin informacion në çdo rast dhe të konsultohen me publikun edhe pa kërkesën e këtij të fundit. Por, Kushtetuta kërkon që ky informacion të mos jetë pasiv, por në qasje edhe me aktivizmin e qytetarëve.

Ka raste kur e drejta për informim për mbrojtjen e mjedisit vjen në konkurrencë me iniciativën e lirë ekonomike, e sanksionuar si një parim në Kushtetutë, ose me të drejtën kushtetuese për pronë. Balancimi i tyre është detyrë e organeve kompetente shtetërore. Por, në zgjidhjen e konflikteve që krijohen për shkak të mosbalancimit të këtyre të drejtave, një ndihmesë të rëndësishme japin gjykatat e në mënyrë të veçantë, Gjykata Kushtetuese. Vitet e fundit, Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar disa kërkesa në lidhje me shkeljen e të drejtës për informim për mjedisin. Të tilla ishin kërkesat në rastin e ndërtimit të një objekti të rëndësishëm, si hidrocentrali i Skavicës, si dhe për shfuqizimin si antikushtetues të ndryshimeve të ligjit për zonat e mbrojtura. Nga vendimet e kësaj gjykate u njohëm me faktin se kur nisma ligjvënëse nuk është marrë nga Këshilli i Ministrave, por nga deputetët, nuk ka pasur një procedurë informimi dhe konsultimi me publikun. Për rrjedhojë, nuk ishte përmbushur detyrimi për informimin e publikut. Duhet theksuar se, fakti që Konventa Ndërkombëtare e Aarhusit parashikon vetëm për ekzekutivin detyrimin për konsultim me publikun, nuk e justifikon këtë mungesë nga ana e Kuvendit. Neni 56 i Kushtetutës kërkon detyrimin për të gjitha institucionet shtetërore. Edhe Gjykata Kushtetuese, edhe literatura juridike në Shqipëri, kanë theksuar se konventat ndërkombëtare përbëjnë një bazë të domosdoshme të të drejtave që nuk mund të shkelen, ndërkohë që e drejta e brendshme mund të përparojë më tej ose mund të përmbajë dispozita të një karakteri më të gjerë. Kuvendi është organi më i lartë ligjvënës në Shqipëri që prodhon ligjet. Si i tillë, ai vetë duhet të rregullojë procedurat e informimit për mjedisin në të gjitha proceset përkatëse për miratimin e ligjeve. Këtë mund ta bëjë duke amenduar ligjin për konsultimin publik ose përmes një shtojce në Rregulloren e Kuvendit, etj.. Nga ana tjetër, edhe organizatat e shoqërisë civile, edhe entet publike, duhet të jenë më aktive në kërkesat e tyre për informacion nga Kuvendi, si dhe për konsultime e dëgjesa në komisionet parlamentare.

Përpos sa më sipër, Kuvendi mund të procedojë edhe për miratimin e ligjeve të tjera që ndikojnë në forcimin e të drejtës për mjedis të shëndetshëm. P.sh., aktualisht, me nismën e deputetëve, në Kuvend është paraqitur projektligji për padinë publike, por ai pret prej kohësh pa veprime në kalendarin e punimeve. Ky projektligj është përgatitur me bashkëpunimin e organizatave të shoqërisë civile dhe parashikon “padinë publike” si një mjet procedural që lehtëson aksesin e qytetarëve në gjykatë, për kërkuar të drejtën për mjedis të shëndetshëm. Do të ishte e dobishme dhe mjaft motivuese që Kuvendi të procedojë sa më parë me këtë projekt. Madje, edhe në këtë rast, ai duhet të ndjekë rregullat e informimit e konsultimit publik, pasi ky projektligj lidhet me të drejtën për mbrojtjen e mjedisit.

Nga ana e saj, Gjykata Kushtetuese luan një rol të rëndësishëm për forcimin e garancisë kushtetuese për informimin e kujtdo për gjendjen dhe mbrojtjen e mjedisit. Madje, përmes vendimeve që jep, ajo mund të forcojë dhe zgjerojë garancitë kushtetuese për mbrojtjen e mjedisit. Duke njohur jurisprudencën e saj, shtrohet pyetja: a përbën shkelja e të drejtës për informim për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij, shkak kushtetues për shfuqizimin e ligjit apo ndalimin e punimeve? Deri tani shkelja e kësaj të drejte nuk e ka shpënë gjykatën deri në shfuqizimin e ligjit ose në ndalimin e projektit ekonomik që prek mjedisin. Mendoj se, ky qëndrim ka nevojë të rimendohet në një dimension tjetër, në çështjet që mund t’i paraqiten për gjykim kësaj gjykate në të ardhmen. E drejta për informim për mjedisin është garancia më e rëndësishme kushtetuese dhe ndoshta e vetmja që kemi për mbrojtjen e mjedisit dhe balancimin e të drejtës për mjedis të shëndetshëm me të drejtat e tjera kushtetuese. Prandaj, të gjitha gjykatat dhe institucionet e tjera publike duhet t’i japin asaj peshën që meriton. Nëse nuk e shohim shkeljen e të drejtës për informim si shkak kushtetues për ndalimin e projekteve ose shfuqizimin e ligjeve të pakonsultuara me publikun, atëherë nuk i vëmë dot kurrë në balancë të drejtën për mjedis të shëndetshëm, me të drejtat e tjera kushtetuese. Veçanërisht, në lidhje me të drejtën kushtetuese për pronë dhe veprimtarinë e lirë ekonomike, e drejta për mbrojtjen e mjedisit do të mbetet gjithmonë si fëmija më i dobët. Është koha për reflektim me urgjencë nga të gjitha institucionet.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura