
Kreu i PS shkruan brenda dy muajve librin e tij të ri.
Refleksione nga Berisha, Nano e Meta deri te analistët dhe botuesit e mediave.
Kreu socialist, Edi Rama, bëri publik dje posterin e librit “Kurban” në blogun e tij. Faqja e tij hapet me këtë poster, një kokë dashi, sfondi i spërkatur nga gjaku, ndërsa titulli “Kurban” është shkruar me gjakun e kafshës së therur. Se për çfarë flet libri, shtëpia botuese “Dudaj”, në posterin e saj, e cilëson librin “rrëfimi befasi i Edi Ramës”. “Për Tiranën e parë me sytë e protagonistit të 11 viteve të historisë së saj; Për Shqipërinë siç është dhe për Shqipërinë siç mund të jetë; Për aktorë të jetës politike e publike siç nuk i kemi parë asnjëherë më parë; Dhe për veten siç nuk e kemi dëgjuar më parë”, shkruhet në posterin e shtëpisë botuese, e cila lajmëron se libri i ri i kryetarit të PS-së do të hidhet në treg në datën 10 nëntor, ndërsa do të jetë i afishuar në Panairin e përvitshëm të librit nga datat 11-14 nëntor.
Detajet
Brendia e librit mbahet hermetikisht sekret nga shtëpia botuese, ndërsa deri tani mësohet se impulsin e fortë për të shkruar një libër, kryesocialisti e mori ditën e hyrjes së Lulzim Bashës në zyrën e Edi Ramës, në Bashkinë e Tiranës. Një qytetar, dashamirës i kreut të ri të Bashkisë, në një përpjekje për të shprehur një rit të lashtë, atë të therjes së dashit në themelet e një ndërtese të re, gjeti këtë mënyrë për të inauguruar ditën e parë të Lulzim Bashës në Bashkinë e Tiranës. Ky moment ishte dhe nxitja që i krijoi botën e trazuar shpirtërore Ramës për të hedhur gjithçka në letër. Mësohet se Rama, përmes talentit të tij mes prozës dhe publicistikës, analizon këtë rit të lashtë duke ia ballafaquar 11 viteve të qëndrimit të tij në krye të Bashkisë së Tiranës. Përmes një rrëfimi, analize, satire, Rama ka përfshirë në librin e tij shumë personazhe të jetës politike, nga Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta, Spartak Ngjelës, por dhe disa nga ambasadorët e vendeve kryesore të Tiranë, me të cilët kreu socialist ka pasur marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi, mungesa dakortësie, përplasje. Ai tregon momentet e mirëkuptimit me ta dhe kushtet në të cilat kjo ka ndodhur, duke bërë për herë të parë dhe një rrëfim të Edi Ramës, i cili pritet të ndezë debate, të mbështetet apo të kundërshtohet nga protagonistët. Por në librin e tij, si një njeri me marrëdhënie shumë të forta me median, Rama ka përfshirë dhe kategorinë e gazetarëve, analistëve dhe pronarëve të mediave. Mosqenia e tij kryetar bashkie, e ka bërë kreun e PS-së, gjatë muajve të një vere të nxehtë, të kalojë nga analiza në refleksione përmes një gjuhe të çliruar nga rregullat strikte të të shkruarit një roman. Sa u takon njerëzve të medias, detajet janë edhe më hermetike, për shkak të marrëdhënieve kontradiktore që vetë Rama ka pasur në kohë të ndryshme me gazetarët dhe analistët. Ismail Kadare, Fatos Lubonja, Mero Baze, Sokol Balla etj. janë disa nga personazhet e librit të Edi Ramës. Libri i kreut të PS mësohet se është shkruar në periudhën gusht-shtator, kur të gjithë pyesnin se me çfarë po merret Rama, kur të gjithë kishin shkuar me pushime. Recensioni i librit është bërë nga Pirro Misha dhe Ardian Vehbiu.
Rama në Twitter: Saliun e kam lexues të shqetësuar
Berisha: Rama shkruan libër se do të rivalizojë Ben Blushin
Kryeministri Sali Berisha ka ironizuar dje nxjerrjen së shpejti në treg të librit të ri të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama “Kurban”. Duke folur në mbledhjen e radhës së Grupit Parlamentar të PD-së, kreu i maxhorancës thotë se titulli i librit, për nga përmbajtja e tij duhet të ishte “Kur hidheshin themelet e korrupsionit”. “Ndërkohë, mësohet se zoti Rama, ndërsa ne përpiqemi për të promovuar reformat, ai paska qenë i mbyllur duke shkruar një libër. Kjo është një histori shumë interesante. Libri, që në të vërtetë meriton titullin “Kur hidheshin themelet e korrupsionit”, e ka gjithnjë një kthim te libri ”Kur lindi partia”, tek idhulli i tij, pra në vend që të kishte këtë titull “Kur hidheshin themelet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, libri rezulton që është i tëri vaje për Bashkinë e Tiranës. Libri i vajeve për humbjen e Bashkisë së Tiranës. Dhe në mënyrën më interesante për ta shndërruar atë totalisht në vaje, vendos në epiqendër kurbanin, viktimën. Libri hapet me epitafin “Mbeçë more shokë mbeçë, tek dera e Bashkisë, mbeçë”. “Nuk ma ka fajin partia, fajin ma ka babëzia, sepse më iku Bashkia”. Tani të shohim se si do të shkruajë vëllimin tjetër ky zotëri”, u shpreh Berisha. Sipas kreut të maxhorancës, Rama tenton të rivalizojë Ben Blushin, por nuk ia arrin dot. “Një herë mendova se mos ndoshta ky do të rivalizojë me Blushin. Por është një marrëzi të tentosh të rivalizosh me Blushin, i cili ka arkivin e gjyshit të tij sa kjo dhomë, që edhe po t’i kishte Blushi tri jetë, nuk i del dot në fund. Dikush më tha se ka marrë vesh që do të finalizojë këtë librin për Enverin, sepse për Enverin – thotë ai- shkruajnë, – “ndërsa për mua nuk shkruan kush, ndaj dhe do të shkruaj unë për veten time.” Të bëjë ç’të dojë, unë e ftoj për reforma, ai pastaj le të vazhdojë me libra, “Mbeçë more shokë mbeçë, tek dera e Bashkisë, mbeçë”. Këtë zgjodhi ai për epitaf”. Ndërkohë pas deklaratave të kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit të PD, kreu i PS, Edi Rama ka reaguar në faqen e tij të Twitter: “Saliun e kam lexuesin më të shqetësuar, po s’e ka nga shkrimet e librat, e ka nga vrima ku u gjet Kadafi!”.
“Shqipëria”, romani i ri i Ben Blushit

Politikani dhe shkrimtari Ben Blushi shumë shpejt do t’i sjellë lexuesit një tjetër roman, i cili quhet as më shumë e as më pak, por “Shqipëria”. Kjo vepër do të vijë nën logon e shtëpisë botuese “MAPO”, e cila ka blerë të drejtat e botimit të librit të ri të Blushit, madje edhe të drejtën e ribotimit të dy veprave paraardhëse. Momentalisht, libri ende është në proces botimi dhe, nga aq sa mund të zbulojmë, mësojmë se bëhet fjalë për një libër thellësisht metaforik. Thjeshtësisht vepra sjell historinë e një njeriu që donte të zëvendësonte Zotin. Duket se me këtë roman të ri ai tenton të ofrojë në mënyrë artistike historinë e Shqipërisë. Çka në një mënyrë apo në një tjetër, e ka bërë edhe në dy romanet e tij të mëparshme. Tek “Të jetosh në ishull”, një fenomen i vërtetë shitjesh, ai prekte një temë shumë delikate, që është ajo e konvertimit në fenë islame të pjesës dërrmuese të shqiptarëve gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, por jo vetëm, atë të konformizmit, bashkëjetesës etj.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











