TIRANË- Në vijim të fushatës elektorale, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama prezantoi sot kandidatin e “Aleancës për të ardhmen”, në njësinë 8 në kryeqytet, Sadi Vorpsi.
“Kandidatura e Sali Vorpsit është një kandidaturë për të ngritur nivelin e vëmendjes mbi të drejtën e pronës, këtë të drejtë themelore, por edhe për të dëshmuar qytetarinë duke u përkushtuar në një shërbim për qytetarët”- tha Rama
Ai denoncoi edhe njëherë presionet që u bëhen punonjësve.
“Mësuesve u bëhet presion për të kontrolluar votën dhe ky fakt kërkon një reagim mbarëpopullor, pavarësisht bindjes së tyre, duhet ta kuptojnë mirë se aty ku kërcënohet mësuesi ka marrë fund gjithçka dhe se asnjë rezultat që vjen nga kërcënimi nuk vlen asgjë”- tha kryesocialisti
Siç humbi këtu Ramiz Alia në vitin 1991, do të humbë Saliu më 8 maj, tha ai.
Më tej, Rama akuzoi qeverinë Berisha se po vjedh Shqipërinë, ndërsa shtoi se “flasin për plan urbanistik, ku ju dhe ne, nuk mund të shohim asnjë plan të vetëm që mund të quhet normal, janë anormal në qeverisje, si në nivelin qëndror dhe në atë lokal”
Sipas tij, ata nuk kanë asnjë plan zhvillimi, s’kanë haberin e qeverisjes vendore. Dhe kanë kurajon pasi kanë shkatërruar nga injoranca, të vijnë të kërkojnë vota në Tiranë, apo në të tjera qytete.
© Panorama.al











