“Rama ka ndërtuar Romën e tij të kullave”- Protestuesi akuza Ramës: Ka 13 vjet që na gënjen dhe do që të na përzësh, ne nuk largohemi nga sheshi!

Jun 6, 2026 | 19:11

Fjalimet në protestën para Kryeministrisë kanë qenë të larmishme edhe sot, me përfaqësim nga të gjitha trojet shqiptare dhe shtresat.

Një prej protestuesve ka marrë fjalën duke ironizuar deklaratat e kreut të qeverisë dhe duke vënë në dukje degradimin e jetesës në vend gjatë 13 viteve të fundit.

Me nota revolte, ai ka pyetur publikisht kryeministrin se ku është “Roma” që ai premtoi, duke e cilësuar modelin aktual si një sistem që u shërben vetëm oligarkëve dhe ndërtimeve të larta, duke bërë sarkazëm për kreun e mazhorancës.

“Roma nuk bëhet për një ditë, kanë kaluar 13 vite, cila është Roma jote? Është Roma e kullave të shokëve të tu! Ti do të na përzësh neve dhe të ndërtosh Romën tënde, mos e falni motra e vëllezër shqiptarë,” u shpreh ai.

protestuesi Roma

Në fund ai u bëri thirrje shqiptarëve për qëndresë.

“Sheshi nuk do të boshatiset në shenjë solidariteti me të gjithë ata që janë detyruar të emigrojnë. Për çdo shqiptar që u detyrua të ikë, ne nuk ikim nga ky shesh!”, ishte premtimi i tij që u prit me duartrokitje të forta nga mijëra të pranishmit.

© Panorama.al

Te lidhura