Rama: Jo votë oborrit të Berishës

Apr 9, 2011 | 11:15

Koalicioni “Aleanca për të ardhmen” ka hapur në Lezhë fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 8 majit.Pas takimit të zhvilluar në Kurbin, lideri i PS-së, Edi Rama, ka prezantuar në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” kandidatët e koalicionit të majtë që do të garojnë për 21 njësitë vendore të Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit. Rama u shpreh se “katër vite më parë i hapëm rrugë Ilir Metës për një kandidat të tij në Lezhë, por pa mbështetjen e Gjokë Jakut ishim të sigurt se LSI-ja nuk do ta fitonte këtë bashki”. Në vijim të fjalës së tij, kryetari i PS-së, Rama, u shpreh se shqiptarët nuk duhet të harrojnë në asnjë moment premtimet e pambajtura të qeverisë “Berisha”, korrupsionin galopant të familjes së tij, vjedhjen në Rrugën e Kombit, vrasjet në Gërdec e së fundi më 21 janar të protestuesve, ku njëri prej tyre ishte nga Lezha. Duke u ndalur në sloganin e kandidatit të koalicionit “Aleanca për qytetarin” për Bashkinë e Lezhës, i cili është afishuar në qytet, “Jetojmë së bashku, vendosim së bashku”, Rama u shpreh se për Viktor Tushën vendos Ilir Meta dhe Berisha, dhe jo vetë ai. “Ne nuk duhet të votojmë njerëzit që i shërbejnë qytetarit dhe jo qeveritarë vendorë që i shërbejnë oborrit të familjes politike dhe kryetarëve të tyre”, u shpreh kryesocialisti. Rama u ndal edhe në Shëngjin, duke vënë theksin në rëndësinë e portit për zhvillimin e Lezhës, Veriut dhe Kosovës, duke apeluar që të votojnë për “shpëtimtarin Salvator Kaçaj, shpëtimtarin e Shëngjinit, të mbajtur peng në këto 4 vjet”. Rama nuk la pa përmendur edhe të riun lezhjan Aleks Nika, një prej të rinjve që humbi jetën në demonstratën e 21 janarit, i cili u flijua për rrugën e zhvillimit. Lideri i Opozitës së Bashkuar, Edi Rama, theksoi më tej se “rruga jonë është rruga e mirëqeverisjes për komunitetin”. “Vota e 8 majit është sa për të mirëbesuar kandidatët tanë, aq dhe për të protestuar dhe mosbesuar Saliun”, u shpreh Rama. Gjithashtu, edhe deputetët Ndrec Deda dhe Gjovalin Kadeli vunë theksin se kjo fushatë nuk është thjesht një fushatë për zgjedhjet vendore, por është edhe një betejë për të larguar Berishën nga qeverisja. Ndërkaq, kandidati për postin e kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Gjok Jaku, apeloi se “vota për PS-në është një votë për një jetë më të mirë, një votë për drejtësinë e vrasjes së Aleks Nikës, një votë kundër korrupsionit”. Këtë tubim elektoral e ka përshëndetur edhe kryetari i PSV ’91, Petro Koçi, i cili i ftoi zgjedhësit e Lezhës që të votojnë më 8 maj për kandidatët e “Aleancës për të ardhmen”.

Petro Koçi

I pranishëm në ceremoninë e djeshme të hapjes së fushatës zgjedhore për qarkun e Lezhës, kreu i PSV ’91, Petro Koçi, apeloi për vota të bashkuara të të gjithë socialistëve për të larguar pushtetin e Berishës. “Ne, socialistëve, historia e 2005-s dhe 2009-s na ka mësuar se nëse duam të lajmë hesapet me njëri-tjetrin duke votuar Sali Berishën, atëherë do t’ia linim në kurriz popullit regjimin e tij për të paktën edhe 6 vjet të tjerë. Këtë tradhti nuk na i fal Shqipëria”, u shpreh Koçi gjatë fjalës së tij dje në Lezhë.

Aleatët

Aleatët e socialistëve, pjesëtarë të koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, kanë kandidatët e tyre në qarkun e Lezhës. Partia Demokristiane e Nard Ndokës kandidon me përfaqësuesit e saj në komunën e Shëngjinit me Salvador Kaçajn dhe në komunën Kthellë me Tom Lleshin. Gjithashtu, edhe aleatja tjetër e socialistëve, PRL, me kryetar Kurt Kolën, do të kandidojë në komunën Shënkoll me Bardhok Prengën. Partia Aleanca Arbnore Kombëtare, me kryetar Gjet Ndoin, kandidon në komunën Orosh me Kol Gjonmarkaj.

Lezhë/Ardian Bushi

Rama te Fusha e Aviacionit: Po i shtojmë një park të ri Tiranës

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, inspektoi dje punimet e parkut te Fusha e Aviacionit. I shoqëruar nga deputetja e Tiranës, Vasilika Hysi dhe kandidati për Njësinë Bashkiake Nr. 7, Erion Koka, eci në këmbë përgjatë rrugës, e cila ka dy vjet që ka nisur rikonstruksionin. Nuk ishin të paktë dhe banorët e kësaj zone që e shoqëronin kryetarin e Bashkisë. Rama deklaroi se tashmë banorët do të kenë një hapësirë të gjelbër më shumë ku të kalojnë kohën. “Kjo ditë është një arritje e ëndërruar falë një pune të mirë. Tani në Tiranë qytetarët kanë edhe një park tjetër për të kaluar kohën e lirë. Ky park do të rritë cilësinë e mjedisit të pastër në kryeqytet”, u shpreh Rama.
Sipas tij, “me rritjen e këtyre pemëve ky park do të marrë një përmasë akoma më të gjelbër dhe do të ketë akoma më shumë hije dhe fresk, ashtu sikundër do të rrisë ndjeshëm dhe cilësinë e ajrit në këtë zonë, ku unë shoh me shumë kënaqësi që ka një ndryshim rrënjësor dhe dëgjoj me shumë kënaqësi që edhe më të moshuarit ndihen të çliruar në frymëmarrjen e tyre”. Si një nga rrugët më problematike ku dikur përdorej nga autoshkollat dhe ata që donin të mësonin makinën, kjo zonë ka një rrugë të shtruar dhe të mbjellë në një gjatësi prej një kilometri. Por ajo ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare. Rikonstruksioni ka përfshirë vetëm gjatësinë e rrugës para kompleksit të rreth 10 pallateve 12-katëshe, ndërsa rruga nuk lidhet me asnjë nga arteriet e kryeqytetit, duke e izoluar dhe bllokuar qarkullimin.

© Panorama.al

Te lidhura